Paketa fiskale ‘19, biznesi nis propozimet: Zero tatimi për dividentin dhe fitimet që ri-investohen

Paketa fiskale ‘19, biznesi nis propozimet: Zero tatimi për dividentin dhe fitimet që ri-investohen
Afrimi i momentit të publikimit të paketës së re fiskale 2019 nga qeveria, duket se e ka vënë në lëvizje biznesin për të ngritur zërin mbi pretendimet e tij rreth taksave të reja me të cilat ai do përballet gjatë vitit të ardhshëm. Kështu, dje ka qenë organizata e njohur Konfindustria, ajo që ka paraqitur propozimet e saj, të cilat do t’ia paraqesë zyrtarisht edhe ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

E para, është ajo e bërjes zero të asaj që njihet si “tatimi i dividentit” për kategorinë e bizneseve. Konkretisht, kjo është pagesa që aksionerët e tyre i paguajnë shtetit mbi fitimet që u shpërndan kompania. I vendosur në masën prej 15%, ky tatim është njësoj si ai mbi të ardhurat personale që një qytetar siguron nga qiratë, interesat bankare, apo edhe honoraret, si edhe të ardhurat nga fitimet kapitale në shitblerjen e pronave të patundshme apo titujve. Kujtojmë se kjo është një nga taksat që u rrit nga qeveria “Rama 1”, para katër vitesh, nga niveli prej 10% që ishte atëherë, në atë aktual prej 15%. “Propozohet që tatimi i dividentit të jetë zero për kategorinë e bizneseve që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura. Kurse për kategorinë e bizneseve që punojnë në tregje të rregulluara me ligj, Partneritet Publik Privat, koncesione, etj; të zbatohet parimi i proporcionalitetit, varësisht vlerës së dividentit të shpërndarë, ngjashëm me tatimin për të ardhura personale”, është kërkesa konkrete e Konfindustria-s. Kjo, në një kohë, kur ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, ka paralajmëruar ditët e fundit, në daljet e tij në media, se ky tatim mund të ulet në nivelet prej 8%-9%.

Nga ana tjetër, Konfindustria kërkon edhe bërjen zero, të një takse tjetër, siç është ajo që shteti i merr aktualisht biznesit për fitimin nga aktiviteti privat, që ajo vendos të ri-investojë në vendin tonë. “Propozohet që tatimi i mbi fitimin e riinvestuar nga kompanitë të jetë i barabartë me zero”, pohon saktësisht kjo organizatë. Duke argumentuar se e sheh këtë “si një domosdoshmëri për të nxitur investimet dhe rritur konkurrueshmërinë e vendit tonë në rajon”.

 

Edhe organizatat e tjera të biznesit, në një zë: Të ulet dividenti e taksa e ri-investimit

Nuk është vetëm Konfindustria, por edhe organizata të tjera të biznesit që operojnë në vendin tonë, të cilat kanë ngritur zërin e tyre për një ulje të tatimit mbi dividentin dhe që të mos taksohen më për fitimet e ri-investuara në Shqipëri. Gjithmonë në kuadrin e diskutimeve në prag të paketës së re fiskale, përfaqësuesit e tyre kanë pohuar se do të ishte mirë që të ndërmerreshin dy hapa të tillë për të lehtësuar barrën e sipërmarrjes private në vend. “Ajo që ne kemi kërkuar prej dy vitesh tashmë, është edhe ulja e tatimit mbi dividentin në nivelin prej 9%. Ne vazhdojmë ta përsëritim. Është një konkluzion i nxjerrë nga gjithë sipërmarrja”, ka pohuar konkretisht lidhur me një fakt të tillë, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesi i Dhomës Amerikane e Tregtisë, Mark Crauford është deklaruar pro heqjes së taksës për fitimet e ri0investimit.

“Është normale që ajo të jetë zero për ata që do ri-investojnë në Shqipëri, sepse do të zmadhohet ekonomia”, ka qenë deklarata e tij respektive, lidhur me një fakt të tillë.

 

Ministria e Financave, ende në përpunim të draftit të ri të taksave

Drafti i ri i taksave për vitin e ardhshëm, 2019, është ende në përpunim e sipër nga ekspertët e ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, e pritet që gjatë ditëve në vijim të bëhet publik, së bashku me ndryshimet e reja, të cilat parashikohen brenda tij. Kjo pohohet prej tyre posaçërisht për  “Albanian Free Press”, duke mos përjashtuar as mundësinë që brenda tyre të ketë edhe ndryshime të reja. Siç edhe në fakt ka paralajmëruar vetë kryeministri Edi Rama, apo edhe ministri Arben Ahmetaj. Ndryshime këto që fokusohen kryesisht në sektorin e agro-biznesit. Por edhe në uljen e tatimit mbi fitimin për një shtresë të caktuar të biznesit në vend.

 

Konsultimet e qeverisë me grupet e interesit, cilat pika janë duke u diskutuar mes palëve?

Në kuadrin e konsultimeve me grupet e interesit, mbi disa ndryshime në paketën fiskale që do të shoqërojnë projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria është duke u fokusuar në disa taksa kryesore. Konkretisht, sipas draftit të përgatitur mbi pikat e diskutimit me biznesin, tatimi i dividentit është pikërisht njëra prej tyre. Sikundër, edhe rishikimi i kufijve të pagës, ndërsa sot ato mbi 130 mijë lekë tatohen mbi 23%, nivel ky i cili është më i larti në rajon dhe ka krijuar skema shmangieje për ata që i kanë pagat e larta. Por edhe diskutimi mbi normën e reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për në industrinë fason, etj. “Ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”; përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik; përjashtimi i furnizimit me  shërbim  nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason; përjashtimi i importit të makinerive bujqësore sipas listes së miratuar me VKM, nga çdo importues; normë e reduktuar TVSH 10% për importin e autobusëve elektrikë  të transportit  publik”, thuhet konkretisht në këtë draft vetëm për TVSH-në.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: