PAKETA E RE E SIGURISË/ Rama: Monitorim në burgje, ndalim reklamash për bastet, ligj “special’ për “të fortët”

PAKETA E RE E SIGURISË/ Rama: Monitorim në burgje, ndalim reklamash për bastet, ligj “special’ për “të fortët”
Kryeministri Edi Rama, në një dalje për mediat, ka paralajmëruar një sërë masash për rritjen e sigurisë në vend.

Së pari ai njoftoi instalimin e 150 oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, kryesisht gjimnaze.

Oficerët civilë do të jenë të trajnuar për ruajtjen e sigurisë, luftën kundër drogave dhe parandalimin e fenomeneve të dhunës.

Sipas Ramës, projekti-pilot në 15 shkolla ka rezultuar i suksesshëm dhe tashmë do të shtrihet edhe më tej.

Edi Rama njoftoi edhe masat për rritjen e sigurisë në burgje, përmes instalimit të një sistemi monitorimi 24 orësh për paraburgimet dhe burgjet e sigurisë së lartë.

“Kemi vendosur ngritjen e një salle operative non stop me kamera në burgjet e sigurisë së lartë që nga ‘313’ edhe në godinën e operacionit ‘Forca e Ligjit’. Do të ngrihet një sallë monitorimi non stop për të gjitha burgjet në Shqipëri. Kjo e çon sigurinë e burgjeve në një nivel të panjohur më parë. Kjo e çon luftën kundër korrupsionit kronik në burgje në një nivel të padëgjuar më parë, për shmangien fut e nxirr celularë dhe garanton se burgjet janë vende ku vuhet dënimi dhe jo ku komandohet bota e krimit”, tha Rama.

Njëkohësisht Rama foli për aplikim të rreptë të ligjit për lojërat e fatit.

Rama tha se nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometër katrorë të Republikës së Shqipërisë.

Sipas Kryeministrit, nga 30 dhjetori do të pushojnë të funksionuari të gjitha kazinotë elektronike dhe bastet sportive dhe çdo lloj basti.

Ai kërkoi që mediat të heqin reklamat e lojërave të fatit dhe basteve, duke kërkuar që AMA të monitorojë mediat elektronike, ndërsa faqet on-line dhe portalet që transmetojnë reklama të tilla do të mbyllen pas një afati prej 24 orësh.

Kryeministri paralajmëroi edhe ndryshime në Kodin Penal për të goditur “të fortët” që i bëjnë karshillëk qytetarëve dhe policisë.

Për këto ndryshime, ai kërkoi edhe bashkëpunimin e opozitës. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: LSA

Shpërndajeni me miqtë tuaj: