OP-ED NË ‘ALBANIAN FREE PRESS’ - LUFTA TJETËR, ME SFURQE – Nga FRROK ÇUPI

OP-ED NË ‘ALBANIAN FREE PRESS’ - LUFTA TJETËR, ME SFURQE – Nga FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tanimë politika ka rënë; domethënë ka rënë ‘polisi’ nga ku vjen edhe ‘politika’. Lufta për ta ngritur nis nga e para...

Pse ra?

Në fushën e ‘polisit’ kanë hyrë ‘derrat’, maniakët, mashtruesit, trafikantët, budallenjtë..., dhe qyteti është boshatisur nga vlerat. Kjo ka ndodhur.

Gjithë vlera e politikës, duke u nisur nga opozita- e krijuar si përparimtare, qytetëse dhe anti- diktaturë, tani është kthyer në spiunllëqe, përgjime, video nën gju dhe përballë një i jargavitur, rekrutim hajdutësh e mashtruesish, mburravecje ‘do të ta tregoj unë nesër se kam një përgjim tjetër”...

Uiii, sa neveri! A ka punë ky komb? A ka nevoja jetike serioze ky popull?, a ka ide për zhvillim me kohën e me botën e përparuar ky njeri këtu?... Jo, për këta jo!.

Edhe mazhoranca qeverisëse shpreh kënaqësi të madhe pse përballë i del një politikë ‘derrash’ që llokoçiten në baltën e bërë pis. Sa qejf e ka qeveria këtë opozitë, sepse nuk ka nevojë ta zhvlerësojë, sepse nuk ka nevojë ta përballojë, sepse mund ta marrë përdore që këtu e deri në llokoçitjen tjetër.

Opozita është kthyer në një moçal ku askush nuk do t’i afrohet...

Mirëpo edhe qeveria nuk e ka mirë; nuk e ka mirë as për popullin e as për vete- sepse me një politikë dhe opozitë të tillë i bën ‘varrin’ fatit të popullit. Jeta e popullit nuk është e mirë, korrupsioni shtetëror është në majë, e ardhmja e njerëzve nuk ka shpresë... A mos vallë qeveria duhet të ndjehet e kënaqur vetëm pse përballë ka një politikë tjetër ‘llokoçitjeje’?... Qeveria ka kthyer në jetë shumë zakone të regjimit komunist dhe po i ngop njerëzit me atë ‘ushqim’ që ishin mësuar për pesë dekada... Por as kjo nuk i volit qeverisë...

Sepse nesër mund të nisë një luftë tjetër, luftë për të pastruar ‘gjirizet’ dhe atëherë qeveria do të dalë zbuluar. Sepse nesër me patjetër që do të nisë një luftë e re; njeriu në këto kushte mund të dëshpërohet e të zhduket si njeri normal... A të thotë politika, mëngjes e darkë- se ‘të spiunova’?, ‘të filmova’?, ‘të përgjova’?, ‘të mashtrova’?... Njeriu ikën nga mendja...

Por lufta që vjen, sipas një legjende që i atribuohet shkencëtarit Einshtein, mund të nisë me ‘sfurqe’.

Pse ‘me sfurqe’?

1.

Sepse polisi ra; d.m.th., ka rënë ‘qytetësja’, ajo pjesë e ndriçuar e njerëzimit që do ta printe drejt përparimit, siç e shihni nuk ekziston më. Në fushë kanë hyrë perversët dhe kanë bërë më të zezën. Tani pritet që t’i shkojnë fshatarit te banja në fund të oborrit e ta filmojnë kur t’u duhet; mund t’i hyjnë qytetarit në zhele dhe ta zhburrërojnë... Politika e polisit u shpik pikërisht atëherë kur u ndie se po vinte rreziku që gjirizet të dominojnë fushat. Aty nisi qeverisja. Po tani nuk ka më qeverisje për kombin, tani ka video dhe spiunë ‘për vete’. Gjirizet mund të shpërthejnë kur të duash dhe qyteti të përmbytet edhe fizikisht.

Mjetet qeverisëse që u zbuluan në ‘polis’ që nga Sokrati, Aristoteli e deri te Hobbes e Locke, tashmë i kanë mbuluar. Duhet të nisë nga e para për të përparuar polisin, d.m.th., politikën.

2.

Ç’mjete a njerëz janë në fushë?

Tani nuk është më as Sokrati as Hobbes; as bëhet fjalë... Si këtu edhe mes eurokratëve të BE nuk ka më burra shteti; as burra të vlerë. Këtu të gjithë, njëra palë dhe tjetra, përbëjnë kasat sunduese të shoqërisë, ose siç po thuhet në letërsinë politike të kohës, “establishmentin politik”. Të gjithë janë fajtorë njësoj dhe prandaj nuk duan ta lëshojnë pozicionin sundues që kanë. Mbi popull sundon qeveria, por sundon edhe opozita. Bëjnë marrëveshje për të mbajtur njëri-tjetrin, edhe pse të inkriminuar e të korruptuar. Dje kryeministri i tha kryetarit të Opozitës se ‘kemi një pjesë që e dimë ne të dy”.

Edhe mjetet e tjera: kishë e xhami, media dhe OJQ, janë në të njëjtin moçal. Asnjëri nuk është më i mirë se tjetri, jo pse ‘shërbejnë dikë’, por sepse shërbejnë vetëm moçalin. As ‘eklezia’ e Athinës nuk ndodhet më. Eklezia e Athinës ishin përfaqësues të popullit në asamble që mblidheshin në Plaka për të mbrojtur popullin. Por sot ‘mbrojtja e popullit’ është një koncept që këta e përqeshin...

3.

Po a ka njerëz dhe mjete për ndryshim?

Lufta fillon me ‘heshtat’ e epokës kur kombet bënë luftë përparimtare për të zhvilluar njeriun dhe vendin. Në botë dhe rreth nesh po afrohen erërat e frymës se re ‘kundër kastave’ sunduese që luajnë me nervat e njerëzve në polis. Qeveritë e kastave i kanë mashtruar popujt, i kanë varfëruar, nuk kanë çarë kokë për të qeverisurit e tyre, i kanë vënë në konflikt nga njëri kontinent në tjetrin, u kanë lëkundur sigurinë dhe sovranitetin. Qeveri si këto- kombin dhe familjen i kishin lënë në fund të radhës. Atëherë si të mos krijohej ‘moçali’ edhe këtu në ish-polisin tonë?!

Ne nuk kemi si mbetemi jashtë radhës së kombeve që po luftojnë për të nisur ‘luftën e heshtave’, ose luftën e fillimit të rinovimit të vlerës... E nisim nga e para.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: