OP-ED NË ‘ALBANIAN FREE PRESS’ – ATY KU PROPAGANDA S’MBAN MË - Nga SONILA MEÇO

OP-ED NË ‘ALBANIAN FREE PRESS’ – ATY KU PROPAGANDA S’MBAN MË - Nga SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Që e vërteta është viktima e parë e politikës këtë e dimë. Asgjë e re. Por pas intensitetit të lartë të skandaleve, ku shteti ngjan letër punëdore për të bërë varka përmidis alibive të pushtetit të kapur, e vërteta është viktima e dytë e një krize ekonomike dhe jo thjesht luftës për pushtet. Tashmë që propaganda nuk po mjafton, me gjithë shtrydhjen ekstreme të fantazisë së mjeshtrave të saj, me gjithë thurjen përmes aftësisë dhe panikut të telenovelave me vajza fshati e diva qyteti, gënjeshtrat e domosdoshme nuk mbulojnë dot më të vërtetat e dëmshme.

Pas kapjes së shtetit, dobësimit të institucioneve dhe ngulfatjes së medias, shoqërisë civile e opozitës, propaganda duhej të kish mjaftuar për të kapur një herë e mirë shpirtin e popullit. Duhej të qe instaluar mirë tashmë në ndërgjegjen kolektive dhe individuale se reformat janë të dhimbshme e si të tilla do të hasnin në reagimin e dhunshëm e agresiv të atyre që preken drejtpërdrejtë prej saj, se shndërrimi I Shqipërisë në një motor për integrimin e rajonin do të kërkonte beteja morale dhe të dhimbshme me ata që mbanin status-quo-në, se konspiracioni me opozitarë dhe shtetarë të tmerruar nga ndëshkimi do të shndërrohej në kredo shoqërore. E ku më mirë se në ndjenjat e brishta të popullit do të mund të apelonte një propagandë e shndërruar në art, e cila si çdo formë tjetër promovimi lë gjurmë kur krijohen kushtet e domosdoshme.

Që nga paniku mbi frontin e së keqes bashkuar për t’ju përvjedhur ndëshkimit të drejtësisë tashmë të rilindur, tek ekonomia e drobitur e trashëguar, tek ndërkombëtarët rezidentë a jo në Shqipëri në mbështetje të plotë të pushtetit.

Por edhe pse u ndërtua mjeshtërisht kombinimi më i mirë i kushteve, megjithëse sot jetojmë mes një klime frike e dekori teatri propagandistik, për të kontrolluar mendje e shpirt njerëzor, ngjan se përpos krimit që po bën spektakël krah pushtetit, apo edhe në rrugë (i dalë jashtë kontrolli),  nuk do të mjaftojë dot më ky kombinim për të fshehur një problem të madh në derë të shqiptarëve. Krizën ekonomike. Por jo asaj ekonomie  përkufizuar në letër, atë të përsosurisë së grafikëve, por të vërtetën, atë alarm që ka nisur të mërzisë, stresojë e alarmojë çdo shqiptar pasi fik televizorin, shuan portalet, largon celularin me gjithë Instagram nga nënkresa e i zhytet të vërtetës së vet të madhe, jetës reale.

Sot mund të strapacohet cdo guru i propagandës, si njohës i përsosur i shpirtit të popullit për të manipuluar senset, por nuk mund të arrihet deri aty sa njerëzit të besojnë çfarë thotë lideri, portalet, propaganda e jo tryezën e tyre të bukës, kursimet, buxhetin familjar. Asnjë mrekulli e përvijuar në artikuj profesorësh Harvardi, apo suplementesh shtypi ndërkombëtar nuk mund të krijojë halucinacione mirëqenieje e ëndrra me ekonomi mbresëlënëse. Pushteti jo e jo më. Sepse nuk është iluzioni se ky vend po bëhet shpresa e fundit, por ikja prej tij. Dhe këtë e thonë jo vetëm statistikat e emigracionit, por edhe përditshmëria e fshatarëve e qyteteve që boshatisen, e rrethit tonë shoqëror që sa vjen e tkurret.

Dhe arsyet gjenden lehtë e nuk mund të manipulohen dot. Sidomos ato ekonomike. Ndaj sado shpërqendrim mund të ngjajë ky artikull nga skandalet e njëpasnjëshme që po plasin në politikë, dyerve të pushtetit, herë me bomba e herë më shashka opozite, në thelb çfarë mund të dënojë pushtetin me pamundësinë për të ndërtuar telenovela me penë të spikatur propagande është kjo situatë e rënduar ekonomie që po u merr shpirtin shqiptarëve, po i fut në ankth e stres për të sotmen e të nesërmen.

Rreth 18% e familjeve shqiptare që jetojnë në qarqet Dibër, Gjirokastër, Lezhë dhe Shkodër, kanë ulur ndjeshëm konsumin në katër vitet e fundit sipas INSTAT. I jap rëndësi kësaj pjese të lajmit për një arsye të thjeshtë. Për çfarë ka nevojë shqiptari është një standard më i mirë i jetese. Shpesh propaganda shfrytëzon thjesht treguesit e konsumit për të krijuar idenë se rritja e tij do të thotë se jeton më mirë. Imagjinoni që rritja anemike në nivel kombëtar, apo edhe ulja në disa qarqe e konsumit nuk i japin as këtë shans qeverisë të krenohet, siç shpesh bën. Sepse në radhë të parë rëndësi ka produktiviteti. Vetëm rritja e tij rrit standardin e jetesës e për rrjedhojë konsumin. Ai mat eficencën me të cilin njerëzit, kapitalet, burimet dhe idetë kombinohen në ekonomi. Por kjo lidhet me elementët cilësorë të jetës, si mirëqenia, lumturia, të cilat jo thjesht se janë vështirë të maten, por sepse propaganda u fshihet. Në të kundërtën na plas një lajm se zyrtarisht ekonomia shqiptare në tremujorin e dytë të këtij viti u rrit me 4.3% ndërsa ishte rritur në tremujorin e parë me 4.5% në terma realë. Me të drejtë në edicionet informative oshëtinte fakti se rritja në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është më e larta e regjistruar në ekonominë shqiptare që nga viti 2009.

Po ashtu norma e papunësisë ra në tremujorin e dytë në 12.4%, shifra më e ulët që nga koha e rënies së komunizmit.

Mirëpo e thënë kështu është si t’u thuash njerëzve si ndihen, është si t’i bindësh me zor se ata po jetojnë më mirë se ç’mendojnë. Si për të çmontuar harenë e lajmeve pozitive, anketa tremujore e kryer nga Banka e Shqipërisë dëshmon se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, i cili llogaritet si vlerësim i gjendjes së ekonomisë dhe pritshmërisë për të nga bizneset e konsumatorët ka rënë për tre tremujorë me radhë dhe është në nivelin e vitit 2010.

Sipas Bankës Qendrore mbi 70% e bizneseve nuk kanë plane për investime dhe nuk duan kredi. Në shtator, u dyfishua numri i bizneseve që kaluan në status pasiv. Biznesi rregullisht në anketime kërkon qetësi, rend, siguri dhe garanci se taksat dhe rregullat e qeverisë nuk ndryshojnë kaq shpesh. Pra besimi bie pavarësisht lajmeve për rritje ekonomie. Sepse realisht kjo rritje nuk po reflekton produktivitetin e punës (vlerë të mirash e shërbimesh) së prodhuar nga punëtorët në njësi të punës. Dhe kjo mund të ilustrohet lehtësisht. Pra fakti se rritja ekonomike mund të rezultojë e lartë, nuk do të thotë se vlera e shtuar në ekonomi ka ardhur nga prodhimi i shtuar, por nga faktorë që në fakt gërryejnë stomakun e xhepat e shqiptarëve megjithëse lajmet harbojnë nga gëzimi i shifrës së rritjes ekonomike. P.sh, ekonomia shqiptare sot po ndërtohet ndër të tjera bazuar në kontrata koncesionare, pa transparencë e garë, me një kosto të përgjithshme rreth 700 milionë euro, për disa vepra publike në infrastrukturë pa asnjë informacion a studim mbi përfitueshmërinë ekonomike dhe eficencën e tyre. Projektet janë të pjesshme, që të jenë funksionale duhet të kenë vijueshmëri investimesh, p.sh. aty ku do ndërtohen segmente rrugorë do duhen edhe autostrada vijuese, tunele, apo vepra të tjera që do t’i jepnin arsye ekzistence dhe eficence ekonomike koncesioneve fillestare. Askush nuk garanton për vijueshmërinë, financimet nuk janë të siguruara, mungojnë studime fizibiliteti dhe projekte konkrete. E kësisoj pavarësisht se rritja ekonomike në shifër do rezultojë e lartë për shkak të punës publike me koncesione për rrugë që nuk shpien askund, shqiptarët do jenë të detyruar të shtrëngohen të paguajnë borxhet, sepse këto koncesione janë borxhe. Janë ankth, stres, standard më i ulët jetese.

Dhe si për të përforcuar se ç’rol do kenë nesër në rritjen ekonomike borxhet e shtuara, Shqipëria u rendit në vendet me nivel të lartë rreziku për ekspozimin e borxhit publik në valutë të huaj. Sipas Raportit Global të Stabilitetit Financiar, hartuan nga FMN, Shqipëria renditet në mesin e 51 vendeve në zhvillim me nivel të lartë të borxhit publik. Shqipëria është vlerësuar si vend me rrezik të lartë sa i përket qëndrueshmërisë së borxhit.

Por ka edhe një arsye për të besuar se kjo rritje ekonomike në letër, mbi të cilën po varin trakte propagandistike nuk ushqen dot më shqiptarët e lodhur është fakti se ajo nuk shoqërohet me punësimin në nivelin që një shifër e tillë duhet të sigurojë. Rritja ekonomike për gjashtëmujorin e parë të këtij viti u trumbetua si një ngjarje e madhe e pandodhur në vite, por po në të njëjtin gjashtëmujor sektori privat pati rritjen më të vogël, me vetëm 3,274 vende pune, megjithëse është sektori që jep kontributin më të madh në rritjen ekonomike. Vendet më të mëdha të punës I krijoi administrata për këtë periudhë, apo edhe në sektorë që nuk japin vlerë të shtuar në ekonomi. Sa për krahasim shifror, në vitin 2017, megjithëse me rritje ekonomike më të ulët, sektori privat ofroi, 46,927 vende pune. Por duhet qartësuar një herë e mirë fakti se biznesi sot, që duhej të qe ofruesi më i madh i vendeve të punës, nuk arrin të zhvillojë politika të qëndrueshme punësimi për shkak të planeve të munguara afatgjata nga politika. Mjafton të kujtojmë raportin e BERZH sipas të cilit gjysma e bizneseve në Shqipëri mbijetojnë nga lidhjet me politikën dhe pushtetin e për rrjedhim qeveria e ka të pamundur të krijojë vende pune që përmirësojnë ekonominë, sepse ndikon drejtpërdrejtë si  konkurrencën e bizneseve ashtu edhe mundësinë e tyre për t’u zhvilluar me logjikën e tregut, për të ofruar më shumë vende pune, për të marrë fuqi punëtore më të kualifikuar e me paga më të larta. Gjë që do të reflektonte dukshëm rritjen e mirëqenies dhe standardit të jetesës.

Dhe duhet patjetër shqiptarëve t’u shpjegohet se sado të ndërtosh një panoramë optimiste të rritjes ekonomike ndër më të lartat në rajon, Shqipëria që të ndjejë rritjen në mirëqenie duhet të kesh minimalisht dyfishin e këtyre ritmeve e mbi të gjitha të shtojë ritmin e konvergjencës së të ardhurave, pra afrimit të nivelit të të ardhurave për frymë me mesataren e BE-së. Dhe që sinfonia të ketë kordat optimiste të zërit të ministrit të financave duhet që të pasurohet edhe me një faktor tjetër madhor kur përmendin rritjen ekonomike. Burimi kryesor siç e dimë janë dy investime gjigante infrastrukturore të nisura me kohë e që përfundojnë këtë vit, duke e vendosur sërish FMN-në në pozita paralajmërimi. TAP dhe HEC-i I Devollit janë në përfundim dhe ky fakt do të ndikojë në parashikimet mbi rritjen që vitin e ardhshëm. Fondi parashikon se në vitin 2019 rritja e ekonomisë shqiptare pritet të ngadalësohet në 3.7%, e kushtëzuar kryesisht nga përfundimi i dy investimeve të mëdha energjetike.

Mbështetja më pas në ndërtim është një histori e ezauruar në analiza, mbi faktin se në ç’financime mbështetet kur sektori bankar qartazi i ka qëndruar larg me urdhra precize nga Bankat mëma. Ndaj për sa kohë nuk dihen ende burimet e financimit, do duhet të numërojmë në edicione informative larjet e hesapeve mes atyre që sigurojnë “qarkullimin” në ekonomi. Dhe që rritja ekonomike të shndërrohet ne të qëndrueshme kërkon edhe një mjedis të sigurt makroekonomik dhe politik, kërkon siguri e garanci për investitorë. Skandalet e njëpasnjëshme për të cilat ka gjithnjë nga një alibi, dëshmojnë gjithsesi fuqinë e krimit, të organizuar dhe atij të rrugës, që nuk i garantojnë dot shpresë vendit për thithje investimesh të huaja.

Le të shtojmë në analizën e kësaj rritjeje ekonomike edhe faktin se nuk reflekton as shpërndarjen e drejtë të pasurisë, ku një grusht njerëzish përfitojnë pjesën më të madhe të rritjes, as cilësinë e ajrit, të ujit, të ushqimeve, ilaçeve, as mundësinë për një palë pushime.

Që ky kremastar i fundit ku varet krenaria e qeverisë (rritja ekonomike) po thyhet keqas e vërtetojnë edhe të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë sipas të cilave pasuria financiare e familjeve shqiptare u tkurr me 29 miliardë lekë në 6 muajt e parë të vitit, ndikuar nga zhvlerësimit i euros ndaj lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat e shqiptarëve në valutë u rrudhën me 22.4 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit, duke zbritur në 447.1 miliardë lekë. Ky efekt ka ardhur kryesisht nga zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, por, përtej kursit të euros, pasuria financiare e individëve ka rënë edhe për asetet në lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë të familjeve shqiptare u ulën me 10.7 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit, pra janë prekur depozitat për të kompensuar rënien e të ardhurave. Kjo në të njëjtën periudhë të rritjes “krenare” ekonomike, që përkon çuditërisht edhe me qarkullimin e ulët të lekut.

Se me çfarë është mbajtur ekonomia jonë kryesisht informale, çfarë ushqen ndërtimin, apo aktivitete të tjera që nuk justifikojnë xhiro, tashmë e konfirmojnë edhe tonelatat e kanabisit që vijon lundrimin drejt brigjeve të përtej Adriatikut. Nuk ka rëndësi i para 2017-ës, apo pas saj. Injektimi në ekonominë anemike i këtij lloj financimi kur FMN paralajmëron uljen e rritjes ekonomike, kur zhvlerësimet e kursit po rrënojnë pasuritë e kursimet e shqiptarëve, kur shteti shton borxhet nëpërmjet koncesioneve që do duhet t’i shlyejë me çdo kusht, ka mundësi që ky kremastar i fundmë i propagandës të na jepet për t’u varur vetë e jo për të varur shpresat tona për të ardhmen e ekonomisë.

E thënë troç, nuk ma shans për shpëlarje truri, sepse stomaku do dekonspirojë çdo aftësi hipnotizuese propagande. Mundet të ndodhë që në kushte të një ekonomie gjithnjë e më problematike, politika të bëhet edhe më e ashpër, pushteti gjithnjë e më pak përfaqësues, krimi edhe më i egër. Nëse nuk i bind dot më, atëherë krijo konfuzion thotë shprehja. Mos humbasim në konfuzion, lajmet do prodhojnë skandale të reja, heroina të freskëta showbiz-i, përgjime spektakolare edhe nga wc-të e shtëpive, ama ekonomia do jetë e vetmja që do marrë në qafë me pushtetin edhe të ardhmen tonë. Sidomos atë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: