Një në tre familje shqiptare me borxhe, gjysma me të ardhura nën 50 mijë lekë

Një në tre familje shqiptare me borxhe, gjysma me të ardhura nën 50 mijë lekë
Një në tre familje në vend ka të paktën një borxh për të shlyer. Ndërsa një në pesë prej tyre figuron me “lista” ushqimesh të papaguara në dyqane. Dhe gjysma e tyre e kalon muajin me më pak se 50 mijë lekë...

Kjo është gjendja aktuale në të cilën ndodhen financat e një familje shqiptare, sipas Bankës së Shqipërisë. Shoqëruar me shifrat përkatëse për 6-mujorin e parë të këtij viti, ky institucion ka pranuar në këtë mënyrë faktin se mjaft familje të këtij vendi gjenden ende në vështirësi për të mbyllur muajin, apo edhe për të “larë borxhet”. “Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë borxh për të paguar. Ku 83% është siguruar nga burime formale dhe 17% nga burime joformale”, citojnë ekspertët e BSH-së. “Peshë të konsiderueshme, në 21% të rasteve të huamarrjes vijon të ketë

kryesisht blerja e mallrave me pagesë të vonuar nga dyqanet”, bëjnë gjithashtu me dije ata. Duke konfirmuar gjithashtu edhe një fakt tjetër, që flet për rënie të mirëqenies së përditshme të një familjeje. Pikërisht atë të rritjes së shpenzimeve, përkundrejt të ardhurave që ajo arrin të sigurojë gjatë një muaji. “

Rritja e shpenzimeve ka qenë më e theksuar, duke rezultuar në ngushtim të balancës financiare (të ardhura-shpenzime) të familjeve”, argumenton BSH-ja lidhur me këtë. Për të vijuar më tej edhe me një fakt tjetër të rëndësishëm, siç është ai që 52% e familjeve shqiptare e kalon muajin me të ardhura që nuk i kalojnë 50 mijë lekë. Kur vetëm para dy ditësh, Instituti i Statistikave konfirmoi se shpenzimet normale të një familje me 3-4 anëtarë gjatë një muaji janë në nivelin e 73 mijë lekëve. Gjë që tregon se gjysma e tyre në vend, nuk arrijnë dot që t’i përmbushin nevojat bazë të jetesës, të tilla si ushqimi, strehimi, veshja, arsimi, shëndetësia, etj.

“Pjesa më e madhe e familjeve, rreth 52%, vijon të mbeten në nivelin e të ardhurave prej 17-50 mijë lekësh, ndërsa rreth 27%, u përkasin nivelit të të ardhurave mujore prej 50-100 mijë lekë”, saktësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë, me shifra konkrete se cili është raporti i familjeve, me të ardhurat që ato kanë për të kaluar muajin.

 

TREGUESIT

Shifrat e situatës financiare ku gjendet familja shqiptare

28% e familjeve kanë një borxh për të paguar

21% e familjeve me borxhe për të paguar në dyqane

26% presin përkeqësim të aftësisë paguese të borxhit

34% të borxhit, familjet e morën vetëm për konsum

52% e familjeve i kanë të ardhurat nën 50 mijë lekë

17% e borxhit është marrë nga burime joformale

-1% në rënie familjet të cilat kanë shtëpi apo dyqane

-10% në rënie të ardhurat nga qiratë apo interesat

46% e familjeve pohojnë rënien e të ardhurave, etj.

 

Çereku i familjeve: Nuk do mundemi që t’i shlyejmë borxhet gjatë ditëve në vijim

Mund të kenë arritur që t’i shlyejnë borxhet apo kredinë deri më tani, por nuk japin dot garanci për më vonë, nëse do munden ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk janë pak, por rreth çereku i familjeve shqiptare, që e pohon një gjë të tillë. E konfirmuar kjo nga vetë Banka e Shqipërisë, edhe përmes shifrës konkrete, prej 26% të familjarëve që kanë deklaruar se presin që në të ardhmen të mos ta kenë më dhe aq të lehtë të shlyejnë këstet e kredive, apo edhe borxhet që kanë listuar tashmë nëpër dyqanet e lagjes. “26% e familjeve pret një përkeqesim të aftësisë së paguese të huave”, pohojnë ekspertët e BSH-së. Duke argumentuar më tej se pjesa më e madhe e këtyre familjeve, 46% e tyre e shpjegojnë këtë pikërisht me rënien që po pësojnë të ardhurat e tyre nga muaji në muaj. “Kurse 38% e rasteve cilësojnë “rritjen e shpenzimeve të jetesës” dhe 16% të rasteve kombinimin e dy arsyeve të mësipërme”, sqaron më tej BSH-ja lidhur me këtë dukuri. Për të përfunduar me faktin se që të gjitha këto familje kanë pohuar se për t’ia dalë një situate të tillë, pra, për “të larë borxhet”, do të jenë të detyruara të pakësojnë shpenzimet e tyre.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: