Nis rikthimi i madh, Holanda tre shuplaka Gjermanisë

Nis rikthimi i madh, Holanda tre shuplaka Gjermanisë
Shqipëria mori pjesë në finalen e Euro 2016, kurse në atë event Holanda mungoi. Në kualifikueset e Kupës së Botës Rusi 2018, Shqipëria doli e treta në grup dhe në të njëjtat pozita u rëndit edhe Holanda në grupin e saj, duke mbetur jashtë. Por nëse për Kombëtaren shqiptare mospjesëmarrja në botëror është gjë e zakonshme, për Holandën me histori, ishte e jashtëzakonshme mospjesëmarrja në dy evente të madha radhazi.

Pas kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2016,  kur entuziazmi i shfrenuar fliste për një kualifikim në botëror, “Albanian Free Press” pati paralajmëruar një vit e gjysmë më parë se Shqipëria, për hir të historisë traditës, si dhe gjendjes aspak premtuese të futbollit në vendin e saj, do të rikthehet në pozitat e saj historike, ashtu sikurse Holanda do të ngjitet në pozitat e saj historike.

Nga dy ekipe të barabarta, madje Shqipëria ishte edhe më e suksesshme më 2016, tani duket sikur çdo gjë po rrokulliset drejt historisë që përsëritet.

E ndërsa kuqezinjtë zhgënjyen në ndeshjen e fundit zyrtare me Skocinë dhe po ashtu në miqësore me Jordaninë, Holanda është zgjuar duke nënshtruar rivalen e saj historike, për t’i dhënë një mesazh të qartë botës së futbollit se është rikthyer aty ku e do tradita.

Në “Johan Cruyiff Arena” të Amsterdamit Holanda i dha një leksion futbolli Gjermanisë, duke iu imponuar formacionit të Joakim Loë në lojë dhe rezultat. 3-0 përfundoi kjo sfidë në favor të skuadrës së Ronald Koeman, që ngjalli shpresën e ri-ngritjes pas mungesës në dy turne madhorë radhazi, Europian dhe Botëror.

Van Dijk shënoi me kokë golin e parë në minutën e 30 në zhvillimet e një këndoreje, ndërsa të dytin, që i dha një tjetër goditje të rëndë Gjermanisë e realizoi Depay 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Loja korale e “tulipanëve” u shpërblye me golin e tretë të Vijnaldum në kohën shtesë, kur vetëm pak çaste më parë Holanda kishte “shkundur” mirë traversën.

Holanda me këtë sukses ngjitet në vendin e dytë, një pikë më pak se Franca në Grupin 1 të Ligës A.

Ajo që është më kryesorja, Holanda nuk shihet më me dyshim se mund të kualifikohet në Euro 2020, apo në finalet e Kupës së Botës 2022.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: