Nga 1 janari 2019, jo më kazino elektronike dhe baste sportive!

Nga 1 janari 2019, jo më kazino elektronike dhe baste sportive!
“Në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga 1 janari 2019 nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste. Dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues, nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km katrorë të vendit”, tha kryeministri

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm 2019, në vend nuk do të ketë më kazino elektronike edhe baste sportive. Kjo falë një vendimi të posaçëm të qeverisë, i cili u komunikua dje publikisht nga kryeministri Edi Rama.

“Ky është një lajm që të gjitha familjet shqiptare do ta presin me kënaqësi dhe ka të bëjë me një ndryshim në ligjin për lojërat e fatit. Sipas tij, duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare”, deklaroi ai.

Duke shtuar se ndërkohë po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe të kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë, pra, nëpërmjet internetit.

“Dhe brenda po këtij afati, 31 dhjetorit, ne do të kemi një regjim të ri gati”, argumentoi kreu i qeverisë.

Madje ai ka shkuar edhe më larg, duke paralajmëruar të gjitha mediat që të mos transmetojnë më reklama të kompanive të basteve.

“Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj të gjithë: Brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat, apo nga portalet. AMA duhet të garantojë zbatimin e ligjit përsa i përket ekraneve dhe radiove, ndërsa ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online, që pas 24 orësh do të ketë akoma reklama bastesh në shkelje të ligjit ekzistues të Republikës së Shqipërisë!”, bëri me dije ai.

Duke përfunduar se po dje, qeveria ka pezulluar veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i cili deri në 31 dhjetor 2018 do të transformohet dhe do të robotizohet përmes teknologjisë digjitale, për të funksionuar si mbikëqyrës në regjimin e ri.

 

 

“Aktivitet marrëzie kombëtare...”, nisma e ndërmarrë dikur që u shty nga qeveria

“Aktivitet marrëzie kombëtare...”. Të tillë e ka cilësuar dje vetë kryeministri Edi Rama, atë të basteve sportive, apo kazinove elektronike në vend. Duke përmendur madje edhe faktin që dikur nisma e ndërmarrë po prej qeverisë së drejtuar prej tij, për mbylljen e tyre, u shty, pa mundur që të realizohet dot. Kujtojmë se kjo nismë u titullua “Fund Marrëzisë” dhe nisi të vihej në zbatim plot pesë vite më parë, duke bllokuar dhjetëra subjekte dhe vënë në hetim mjaft persona, por pa mundur që t’i japë vërtet fund kësaj “marrëzie” të lojërave të fatit, përhapur frikshëm në vendin tonë vitet e fundit. Ajo nuk arriti dot t’i largojë kazinotë apo pikat e basteve pranë shkollave dhe vendeve ku rinia përgjithësisht kalon kohën e lirë, duke e ndalur “vrullin” e saj vetëm në gjashtë muaj aksion. Ndërsa në vitin 2015, mbërriti në Kuvend një ligj me ndryshimet e reja që kazinotë të spostoheshin të paktën në periferi të qyteteve. Për të arritur tek dita e djeshme, kur kryeministri Edi Rama i denoncoi ato publikisht dhe premtoi mbylljen e tyre nga 1 janari 2019.

 

 

ABSURDI/ Një vend me vetëm 2.8 milionë banorë, që ka 4 mijë pika bastesh sportive!

Një vend me vetëm 2.8 milionë banorë, por që ka 4 mijë pika bastesh sportive... Ky është absurdi që ekziston në Shqipëri, tashmë i kthyer në një shqetësim, i konfirmuar ky edhe prej autoriteteve përkatëse të këtij sektori. Ka qenë vetë

presidenti i monitorimit të kompanive të basteve në vendin tonë, Artan Shyti, i cili e ka bërë me dije një dukuri të tillë posaçërisht për “Albanian Free Press”, para pak kohësh, duke shtuar se shifra prej 4 mijë pika bastesh është në fakt pa përfshirë pikat ilegale, kryesisht ato “on-line”. Sipas tij, kjo mbetet mjaft shqetësuese dhe duhet të ndërhyjë patjetër që ta rregullojë një situatë të tillë kaotike të krijuar pikërisht në këtë lloj biznesi të lojërave të fatit. Kurse sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, vetëm tre prej kompanive të basteve janë të licencuara.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: