Në rënie besimi tek ekonomia, si për bizneset dhe për konsumatorët

Në rënie besimi tek ekonomia, si për bizneset dhe për konsumatorët
Qytetarëve të këtij vendi, po u bie besimi tek ekonomia. Qofshin konsumatorë të thjeshtë, por edhe sipërmarrës, ata po shfaqin më pak optimizëm për atë çka i pret “xhepat” e tyre. Një dukuri e tillë konfirmohet nga Banka e Shqipërisë, në Vrojtimin e Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit. “Treguesi i Besimit në Ekonomi ka shënuar një rënie me nivelin prej -4% në tremujorin e tretë të këtij viti”, konfirmon ai. Duke shtuar se kjo ecuri “reflektoi si rënien e besimit të biznesit, ashtu edhe të konsumatorëve”.

Njësoj si edhe në raportin e para pak ditëve, publikuar po nga BSH-ja për situatën financiare në të cilën gjenden familjet, por edhe bizneset, edhe në vrojtimin në fjalë paraqiten tregues në rënie për këto dy kategori. Duke iu referuar konkretisht rënies së besimit të konsumatorëve, ekspertët bankarë e argumentojnë atë me më pak pritshmëri që ata kanë për të ardhmen financiare të tyre. Por edhe me më pak blerje të mëdha, që ata kanë kryer gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, duke treguar në këtë mënyrë më shumë kujdes për shpenzimin e të ardhurave të tyre për gjëra të tilla, pasi nuk i dihet çfarë i pret të nesërmen. “Treguesi i besimit konsumator gjatë tremujorit të tretë, ra me nivelin prej -0.7% dhe është rreth -0.8% nën mesataren e tij historike”, pohon vrojtimi në fjalë. Nga ana tjetër, ai rendit edhe sektorët kryesorë të ekonomisë, në të cilat operon biznesi vendas, ku vihet re një rënie e besimit të secilit prej tyre te ekonomia si e tillë. E fillon së pari, me sektorin e industrisë, për të cilën BSH pohon se “treguesi i besimit të saj rezultoi -0.1% poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë”. Dhe vijon më tej me më pak besim që kanë ndërtuesit, për situatën ekonomike në vend, normë kjo negative deri në -1.9% dhe relativisht e lartë, krahasimisht me sektorët e tjerë, duke reflektuar kështu vështirësitë që po kalon ky sektor në vendin tonë aktualisht. Por BSH-ja nuk lë pa përmendur as edhe sektorin e shërbimeve, i cili është mjaft i rëndësishëm për ekonominë vendase, besimi në ekonomi i të cilit ka rënë deri në nivelin prej -3.2% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, etj.

 

-4%

U shënua në tremujorin e tretë të këtij viti rënia e Treguesit të Besimit në Ekonomi, konfirmuar zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë, në Vrojtimin e Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit

 

-0.7%

U shënua në tremujorin e tretë të këtij viti rënia e besimit për kategorinë e konsumatorëve, ndërsa ky tregues vazhdon që të qëndrojë nën mesataren e tij historike, konkretisht në një nivel prej -0.8%

 

Konsumatorët: Po kursejmë më pak, pesimistë për çmimet dhe papunësinë

Ata po kursejnë më pak se më parë, gati gjysmën e parave që linin dikur mënjanë. Ndërsa paraqiten më pesimistë për atë që i pret çmimet, apo edhe vendin e punës së tyre muajt e ardhshëm. Kjo dukuri vihet re mes shifrave që paraqet BSH-ja për besimin e konsumatorëve në ekonomi, sipas të cilave, kursimi aktual i tyre ka shënuar rënie prej -50% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, ndërsa -42% është shënuar rënia e parashikimeve që ata kanë për kursimet gjatë muajve në vijim. Edhe më e lartë është rënia, po të shohim nivelin e blerjeve të mëdha që ata kanë bërë këtë periudhë, deri -63%, e duke konfirmuar kështu një lloj stepje drejt tyre. Nga ana tjetër, në nivel negativ paraqitet prej tyre edhe situata financiare e këtij viti, teksa janë pyetur sesi ka qenë ajo, saktësisht me -6.9% rënie. Sikundër edhe ajo e situatës aktuale financiare në të cilën gjenden ata dhe familja e tyre, me -3.7% rënie.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: