Ministri i jashtëm i Turqisë: Gylenistët janë shumë të fuqishëm në Shqipëri, kanë ndikim në politikë

Ministri i jashtëm i Turqisë: Gylenistët janë shumë të fuqishëm në Shqipëri, kanë ndikim në politikë
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka thënë se Turqia pret mbylljen e të gjitha shkollave dhe institucioneve mbarëbotërore të lidhura me organizatën terroriste FETO.

“Do të kemi disa rezultate pozitive nga Amerika Latine, Afrika dhe Azia Juglindore (në lidhje me mbylljen e institucioneve të FETO-s) në ditët e ardhshme", theksoi Çavuşoğlu për agjencinë e lajmeve Anadolu Agency.

Ai ka shtuar se tashmë po funksionon skema e Turqisë pas grushtit të shtetit të 15 korrikut të vitit 2016, për të cilin Ankaraja akuzon drejtpërdrejt klerikun Fetullah Gülen.

“Së paku 30 vende kanë mbyllur shkollat, institucionet dhe shoqatat e FETO-s deri më tani dhe Fondacioni Maarif i Turqisë ka marrë në kompetenca të saj këto shkolla në pothuajse 20 vende”, tha ministri.

Por Çavuşoğlu është shtyrë edhe më tej kur ka folur për Ballkanin në përgjithësi dhe për Shqipërinë e Kosovën në veçanti.

“Ne u kemi thënë se FETO është qartazi shumë e fuqishme në Shqipëri dhe ka njëfarë ndikimi në politikë. E shohim këtë gjë. Edhe në Kosovë është e njëjta. E kemi parë këtë gjatë disa zhvillimeve”, tha Çavuşoğlu.

Ministri i Jashtëm i Turqisë foli edhe për investimet turrke në fushën arsimore në Ballkan.

“Fondacioni Maarif mori administrimin e një universiteti shumë të mirë në Shqipëri dhe shpresoj të ndërtojmë një kampus të ri. Tashmë në Maqedoni është hapur kampusi i ri i Universitetit Ndërkomëtar Ballkanik, është tejet i bukur. Nga ana tjetër, shpresojmë që në Kosovë të hapim universitet. Atje janë hapur shkolla të Fondacionit Maarif. Kryeministri vizitoi shkollat e Fondacionit Maarif në Kosovë dhe tha se e vlerëson cilësinë e tyre të arsimit”, potencoi kryediplomati i Turqisë.

Në intervistën e tij ai ka konsideruar si një përparësi përpjekjet për ekstradimin e gylenistëve të FETO-s në Turqi, duke paralajmëruar vendet e Ballkanit kundër "kërcënimeve serioze të kësaj organizate terroriste”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Anadolu Agency

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: