MILIONAT E “YARIS”/ Nis gjyqi kundër Bashës, replika Balla-Salianji për videon “Babale”

MILIONAT E “YARIS”/ Nis gjyqi kundër Bashës, replika Balla-Salianji për videon “Babale”
Gjykata e Tiranës ka nisur sot shqyrtimin e padisë së kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kundër kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Taulant balla ka mbërritur në gjykatë i shoqëruar nga një avokat, ndërsa Lulzim Basha është përfaqësuar nga avokatët Ivi Kaso dhe Gazmend Bardhi.

Balla ka akuzuar Bashën për shpifje, pas deklaratave të kryetarit të opozitës për përfshirje në çështjen e 3,4 milionë eurove të sekuestruara në automjetin “Toyota Yaris” në portin e Durrësit.

“Unë do t’i shkoj deri në fund këtij procesi sikurse dhe një procesi të ngjashëm. Dhe jam i bindur që në fund të këtij procesi do fitoj një vendim gjykate që nuk do më vlejë vetëm mua por edhe PD-së, tha balla për gazetarët e pranishëm përpara godinës së Gjykatës së Tiranës.

Ai i ka bërë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike të paraqitet personalisht në gjyq.

“Ju të gjithë e dini që Lulzim Basha ka fobi nga këto godinat dhe nuk besoj që do paraqitet ndonjë ditë pavarësisht se burrërrisht i takon të vijë e të përballet”, tha Balla, ndërsa një ditë më parë i kishte bërë thirrje Lulzim Bashës “të mos marrë raport mjekësor” për të evituar paraqitjen në sallën e gjyqit.

Taulant Balla ka komentuar edhe videon e fundit të publikuar nga deputeti Ervin Salianji, duke deklaruar se nuk e ka takuar kurrë Fredi Alizotin.

“Prokuroria po bën një punë të shkëlqyer në zbardhjen e kësaj çështjeje dhe të vazhdojë hetimin deri në fund dhe për video të servirura por personat që nxjerrin video nuk duhet t’ia fusin vrapin sepse rasti i mbrëmshëm i largimit të Salianjit nga Klan duke vënë në rrezik dhe rojet është i turpshëm”, tha Balla.

Ai foli edhe për përdorimin politik të videove nga opozita.

“PD sot është shndërruar në një parti që kalon nga një puntatë në puntatën tjetër të Babales”, tha Balla.

Pas deklaratave të Taulant Ballës për “futje vrapi”, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

“Taulant, unë jo vetëm që nuk iki me vrap, por vij aty ku jeni. Më thuaj si kryeprokuror që je, kur me solli shkresë prokuroria? Si kryeprokuror qe je me thuaj ku te vij se vij ta jap edhe ty provën që e pa i madh e i vogël!”, shkruan Salianji në rrjetet sociale.

Më herët, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, mohoi përmbajtjen e videos së publikuar në emisionin “Opinion”, duke deklaruar se “nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: