MAQEDONIA NGEC NË DYERT E BE – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

MAQEDONIA NGEC NË DYERT E BE – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Referendumi i qytetarëve tëMaqedonisë për pranimin e emrit të ri “Maqedonia e Veriut”, dështoi dje. Qytetarët bojkotuan, vetëm 34% e qytetarëve votues në Maqedoni morën pjesë. Edhe pse shumica dërrmuese e votuesve, mbi 95% votuan “pro”, referendumi bie si i pavlefshëm. Për të pasur një votim të vlefshëm do të duhej që të merrnin pjesë në referendum mbi 50% e votuesve dhe mes tyre (rreth 900 mijë) - 500 mijë të votonin “pro”.

Gjithë bota i kishte drejtuar sytë nga referendumi maqedonas, pasditja e djeshme, 30 shtator, do të ishte ditë “shiriti” për Maqedoninë: E kaloi apo nuk e kaloi pragun drejt BE-së dhe NATO. Qytetarët e Maqedonisë iu drejtuan kutive të votimit për t’iu përgjigjur pyetjes: “A jeni për anëtarësimin në NATO dhe në BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Përgjigja bojkotuese ndaj referendumit “mbi emrin” la në ajër polemikat e gjata, që nga viti 1994, mes Greqisë dhe Maqedonisë mbi emrin e shtetit të dalë nga ish-Jugosllavia. Nëse dje, qytetarët e Maqedonisë do të kishin votuar “pro” pyetjes së referendumit, atëherë shteti do të quhej jo më “Ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë”, por “Maqedonia e Veriut”. Në Greqi, publiku e ka kundërshtuar “Maqedoninë e Veriut”, me argumentin se emri “Maqedoni” prek identitetin kombëtar të Greqisë, krijon premisa për një zaptim të nesërm të trashëgimisë dhe simboleve të larta historike të Maqedonisë, që nga Aleksandri i Madh. Debati prej 24 vjetësh e kishte vënë Greqinë si anëtare e BE-së dhe NATO-s në pozitën që të bllokojë anëtarësimin  e fqinjit verior. Hapi që ndërmorën dy kryeministrat e vendeve fqinjë (Tsipras dhe Zaev) në qershor të këtij viti për të pranuar emrin “Maqedonia e Veriut” krijoi deri diku një atmosferë besimi, por ra dje. Referendumi i djeshëm dëshmoi se edhe publiku maqedonas nuk pajtohet me emrin e ri “Maqedonia e Veriut”, por kërkon të quhet plotësisht “Maqedoni”.

Lavdia e hershme historike e maqedonasve, vallë u bë pengesë për rrëzimin e gjithë “kalasë” së shpresës së ngritur për ta avancuar Maqedoninë drejt BE-së dhe NATO-s?

Ndërtimi i një Maqedonie të re, në fakt dukej si “Guri i Sizifit”. Por a ishte e mundur që nga një “Sizif” i pafuqishëm si Maqedonia, të ngrihej menjëherë “Guri”, në majë të malit si në legjendën e Greqisë së Lashtë?...

Humbja ishte parathënë

Presidenti i Republikës së Maqedonisë u shpreh hapur dhe publikisht kundër referendumit. Ai deklaroi se nuk do të votojë dhe tha se ky referendum “prek sovranitetin” e shtetit të vet. Ivanov, një president që përfaqëson një frymë të tërë nacionaliste sllavo-maqedonase, ka provuar të bëhet pengesë e vendimeve të parlamentit maqedonas për gjuhën shqipe dhe çështje të tjera etnike. Mijëra maqedonas ishin bërë gati që të bojkotonin ose votonin “kundër”. “Ne e duam NATO-n dhe BE-në, - mendojnë shumë qytetarë maqedonas, - por duam të shkojmë atje me kokën lart”. Propaganda nacionaliste i kishte bindur shumë qytetarë se “duke marrë emrin Maqedoni e Veriut, maqedonasit shkojnë me kokë poshtë”...

Edhe sikur referendumi të fitonte me “po”, përsëri duhej një kalvar i madh për ta kaluar në parlament, ku duheshin mbi dy të tretat e votave të deputetëve.

Dështimi i referendumit në Maqedoni ishte i paralajmëruar. Sipas sondazheve të pak kohëve më parë, në votimin për referendumin do të merrnin pjesë maksimumi deri në 40% e votuesve, era e bojkotit ka fryrë gjatë gjithë verës deri në ditën e fundit të vjeshtës së parë. Gjithashtu, mosmarrëveshjet etnike që ngrihen dhe ulen në shtetin ballkanik, krijuan situatë mosbesimi dhe ndikimesh negative. Iniciativa e serbo- kosovarëve, Vuçiç dhe Thaçi për ndryshimin e kufijve e rrudhi dhe e hutoi vullnetin e qytetarëve për të votuar. Frika se vota mund të ndihmonte ndryshimin e kufijve, qe një faktor i rëndësishëm për të qëndruar në shtëpi, jo në qendrat e votimit. Shqiptarët etnikë në Maqedoni edhe pse pro-perëndimorë, votuan në dilemën ekzistencialiste: “Nuk e dimë sa e ndershme është kjo votë, por përderisa bëhet fjalë për NATO dhe BE, ne do të lëvizim”.

Pesha e madhe e “Po-së” ose “Jo-së” në referendumin  e Maqedonisë bëri që në këtë vend të vogël ballkanik, të zbarkojnë liderë të rangjeve më të larta perëndimore brenda një kohe shumë të shkurtër. Vetë kancelarja e Gjermanisë, Merkel bëri thirrje ndaj maqedonasve që të shkojnë në votim dhe t’i thonë “po” referendumit.

Përplasja më e madhe mbi “po ose jo” në referendumin e Maqedonisë, ndodhi ajo mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Sipas Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Jim Mattis, Rusia është kundër zgjerimit të NATO-s dhe “ka financuar” “jo”-në në Referendumin e Maqedonisë për emrin e ri që do t’i hapte rrugën drejt NATO-s. Po kështu, ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov, ka kundërshtuar deklaratat e Shteteve të Bashkuara për “ndërhyrje” të Rusisë në Referendumin e Maqedonisë...

Por 30 shtatori, ishte nata kur Maqedonia e pa veten në udhëkryq: As me NATO-n, as me kundër; as me Rusinë, as jo me Rusinë; as me BE-në ku ndodhej edhe pak hapa larg, as kundër BE-së... Gjithashtu, me votën e këtij referendumi janë tronditur rëndë qeveria e Shkupit dhe qeveria e Athinës, që nënshkruan marrëveshjen për emrin, e cila ra... Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në të dy shtetet gjatë ditëve të ardhshme.

Vetë BE-ja nuk po flet, as po tregon çfarë ka ndodhur me aftësitë e këtij “supershteti” - BE, as po pajtohet me paaftësinë e përfolur të BE-së, që nuk mund të realizojë zgjerim, as po e “lëshon” Maqedoninë drejt Rusisë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: