Lulzim Basha: Jemi para një grushti shteti, vetëm Vetingu i politikës na shpëton

Lulzim Basha: Jemi para një grushti shteti, vetëm Vetingu i politikës na shpëton
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi “katastrofë” gjendjen aktuale të shtetit përballë krimit.

“Sot jemi para një katastrofe më të madhe: shteti i është dorëzuar totalisht krimit të organizuar. Me Edi Ramën krimi i organizuar ia ka dalë të realizojë atë që s’e ka realizuar në asnjë vend të Europës. Shqipëria është sot në gjendjen e një grushti shteti. Nuk ka një Gjykatë Kushtetuese që është mbrojtësja e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.”- tha Basha në një takim me banorë të Vaut të Dejës.

Sipas Bashës, Vetingu në politikë është e vetmja rrugë për shpëtimin e vendit.

“Nuk ka për të pasur zgjidhje për këtë vend pa larguar krimin nga politika. Dhe që të largojmë krimin nga politika duhet të largojmë politikanët e lidhur me krimin. Pse të pranojmë ne që gjyqtarët, prokurorët, policët dhe gardistët t’i nënshtrohen vetingut dhe të largohen nga detyra me të drejtë, në qoftë se provohet se kanë lidhje kriminale dhe politikanët të mbeten jashtë dhe sipër ligjit? Cili popull pranon që të ketë politikanë që hanë, pinë, bëjnë pazare, bëjnë pushime, shesin e blejnë apartamente, vetura, gjithçka, me kriminelët e dënuar për drogë dhe pastaj marrin vendime sesa do të jenë taksat, sa do të jetë çmimi i naftës dhe çfarë do të bëjnë me pagat e shqiptarëve. Vetingu i politikanëve do të bëhet”, tha Basha.

Kryetari i opozitës përsëriti sërish paralajmërimin për përgjegjësinë ligjore për kontratat koncensionare korruptive që, sipas tij, shkojnë në total në 2,2 miliardë euro.

“Ne do t’i marrim të gjitha këto kontrata koncensionare, do t’i shqyrtojmë ato me mekanizmin antimafia, do t’i çojmë drejt anulimit dhe, po me mekanizmin antimafia, do të bëjmë të mundur sekuestrimin, verifikimin dhe konfiskimin e çdo pasurie publike që këta oligarkë dhe zyrtarët publikë që i kanë firmosur kontratat, kanë vënë në kurriz të popullit më të varfër të Europës”, ishte paralajmërimi i Lulzim Bashës. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: