KURTHI I HISTORISË – OPINION NGA SONILA MEÇO

KURTHI I HISTORISË – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Teksa punonte për biografinë e Henry Kissinger, historiani Niall Ferguson zbuloi atë që do ta pagëzonte jo vetëm si aftësinë shtetare të Kissinger, por edhe genin e munguar të diplomacisë moderne amerikane: rëndësinë dhe kuptimin e historisë. Sipas Ferguson, vendimmarrësit më të rëndësishëm në vend dinë pothuajse asgjë për të shkuarën e vendeve të tjera, të afërta a me rëndësi strategjike, por sidomos të shkuarën e vendit të tyre. Më keq ende, nuk arrijnë të dallojnë injorancën e vet.

Kur pas një rikthimi në Harvard për një leksion të hapur, Kissinger u pyet nga njëri prej studentëve se ku duhej të përqendrohej në studimet e tij për të kapur një vend pune të ngjashëm e sukses të tillë, i sigurt dhe i qetë ai iu përgjigj: “Histori dhe Filozofi”, lëndë që konsiderohen të harruara edhe në shumë shkolla amerikane të politikave publike.

Kësisoj u përgatit Kissinger për punën e tij të parë të rëndësishme në qeverinë amerikane si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Richard Nixon, pas dy dekadash studimi të ethshëm të historisë dhe filozofisë. Për Kissinger studimi i historisë na ndihmon të kuptojmë arsyet se përse kombet dhe njerëzit kanë sukses, apo dështojnë. Precedentët dhe analogjitë ndihmojnë shumë në njohjen e shtetit dhe ndërtimin e aftësisë shtetare. Historia ndriçon pasojat e veprimeve në situata të krahasueshme. Kjo analizë mbi gjetjet e një biografi që punon mbi filozofinë e punës së një prej njohësve më të mirë të “punëve të shtetit” mu shfaq më shumë se njëherë në ditët e fundit. Që nga rasti i radhës së përfshirjes së parlamentarëve a të afërmve të tyre në skandale, në akuza për lidhje me krimin dhe mbështetje të tij, reagimin e kryeministrit, që përsërit veten herë si prokuror e herë si gjykatës, duke dënuar çdo denoncim mbi aferat e njerëzve me të cilët ndan pushtet dhe jo krimin, teksa dëgjoja kryetarin e opozitës Lulzim Basha të bënte publike platformën e opozitës për çlirimin e ekonomisë nga monopolet e oligarkia dhe shkëputjen e qeverisë nga krimi. Në platformë, në mënyrë konkrete propozohen ndryshime ligjore për të forcuar Ligjin Antimafia, duke goditur koncesionet dhënë në kushte korrupsioni, si dhe duke luftuar hyrjen dhe përdorimin e parave me burime të panjohura a të pista në ekonomi.

Pas shumë deklaratash të përgjithshme në kohë, mbi korrupsionin e partneriteteve publikë-privatë, oligarkët si koncept, partia më e madhe e opozitës, në prezencë të përfaqësuesve të lartë të opozitës në tërësi listoi me emra, mbiemra e koncesione respektivë grushtin përfitues të koncesionarëve që shqiptarëve u kushtojnë plot 2,2 miliardë euro. Në kushtet kur sipas Bashës ekonomia është në gjendje kolapsi, në krizë të trefishtë ekonomike, politike e morale, ky është momenti për të hedhur në diskutim publik platformën shpëtimtare. Sipas tij, “marrëdhënia midis krimit dhe politikës nuk është mjaftuar me kapjen e zgjedhjeve, por ka avancuar si një kancer në ekonominë shqiptare, ndaj platforma Antimafia propozon mekanizmin ligjor dhe institucional për evidentimin, sekuestrimin e pasurive të personave publikë dhe privatë të përfshirë në afera korruptive, tenderë, koncesione, PPP”.

Kjo platformë pason kërkesën zyrtare në kuvend të liderit demokrat për ligjin e vetting-ut në politikë, për të garantuar largimin dhe parandalimin e hyrjes në politikë të njerëzve të lidhur me krimin. Kjo është një nismë kushtetuese, që kërkon amendimin e ligjit themeltar, pra një shumicë votash, që përfshin domosdoshmërisht edhe vota të mahorancës. Pavarësisht konceptit të mirënjohur të vetting-ut, kjo nismë nuk ka lidhje me reformën në drejtësi. Pra në një kohë të shkurtër, dy nisma ligjore shënjestrojnë çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi.

Kur dëgjon deklaratat e opozitës, historia e afërt të dëshmon se janë të dëgjuara. Jo nismat, por akuzat, jo ndryshimet konkrete ligjore, por vullneti për të zhbërë korrupsionin dhe politikën e kalbur në dëm të ekonomisë e shoqërisë. Rilindja erdhi në pushtet duke denoncuar pandëshkueshmërinë e krimit të organizuar, korrupsionit, pabarazinë flagrante para ligjit, borxhin e lartë, mbi 1,3 miliardë dollarë të shqiptarëve rënë në duart e oligarkëve e dalë jashtë vendit.

Po të huazonim logjikën e Kissinger në adresimin e problematikave të mëdha të vendit, do të duhej t’i referoheshim historisë dhe filozofisë së saj, për të shmangur si përsëritjen e dështimeve, ashtu edhe fantazmën e nismave, që burojnë vrullshëm teksa liderët janë në opozitë, por u ndërtohet një digë sapo kalohet pragu i derës së pushtetit.

Cfarë na mëson historia: oligarkët janë gjithnjë pranë pushtetit, sipërmarrësit e fuqishëm janë ata që diktojnë ligje e reforma ekonomike, që u sigurojnë norma gjithnjë më të larta fitimi, të fortët përcaktojnë sektorët prioritarë ku shteti orienton koncesione e PPP-ra. Historia e afërt, po dhe ajo ca më e largët na kanë mësuar se rezultatet zgjedhore varen nga paratë e investuara në blerje votash e propagandë, se pushteti është pjesëmarrës në fitimet e oligarkëve, se kontratat, që sigurojnë biznese edhe fantazmë prodhohen në takime okulte me përfaqësues pushteti dhe jo në konkurrencë të lirë e garë transparente, se pasuri e shërbime të rëndësishme publike i lihen në dorë privatëve me justifikimin e administrimit më cilësor, por përfundojnë në “miniera” ari për një grusht njerëzish që i kanë të mjegullta vijat ndarëse mes pushtetit dhe sipërmarrjes. Viktimat janë po ato, ekonomia e dobët, biznesi i ndershëm, populli.

Dhe pas një ndëshkimi të fortë historik për të jetuar në një ekonomi të kapur nga krimi, të vënë në dispozicion të pak njerëzve, që e mjelin pa trashëguar vlerë të saj në kohë e popull, të nënshtruar borxheve, që zënë borxhet, të drobitur sektorëve ku pastrohet paraja që as nuk e prodhon e as nuk e gëzon dot, anemike sepse rritet dobët, keq, jo mjaftueshëm e shëndetshëm, patjetër që nismat prezantuar tashmë me të dhëna e ligje konkrete, me emra e adresa të qarta krijojnë energji të re në perceptimin e fjetur të shqiptarëve. Pavarësisht se klisheja e një klase të tërë politike, që nuk njeh ndëshkimin dhe sillet me ligjet si ia do pushteti ka zënë vend në kokën e trullosur të shqiptarit, dëshira është po ajo për të patur të paktën një herë transparencë të plotë mbi lidhjet e errëta të pushtetit me oligarkinë dhe krimin.

Ajo çfarë sot dimë është një platformë konkrete për të çliruar ekonominë nga krimi dhe paratë e pista dhe artikulimi i saj nga lideri i opozitës, që e ka njohur pushtetin si ministër e kryetar bashkie. Po t’i bashkëngjisim edhe propozimet për ndryshimet kushtetuese që parashikojnë vetting-un e politikanëve, atëherë kemi një alternativë të plotë që mëton të çlirojë edhe politikën edhe shoqërinë nga krimi. Por mu bash këtu duhet të nisë një proces tretës i fortë nga ana e publikut, i etur për ndëshkimin e atyre që po e detyrojnë të nisë emigracionin edhe në moshë të tretë a të mësojë gjermanishten në moshë madhore.

E para, që këto ligje të miratohen duhet edhe vota e mazhorancës, asaj që opozita e cilëson të kapur nga krimi i organizuar, asaj që po i plasin skandalet çdo ditë në dorë dhe pastron hirin duke e fshirë në xhaketat e opozitës. Pra që kjo nismë të jetësohet shanset janë pothuajse 0. Jemi kësisoj ende në nivel deklaratash.

Së dyti, mjafton të kapim një element të propozimit për vetting-un në politikë, atë të përforcimit të mëtejshëm të dekriminalizimit ekzistues, për të ndaluar zgjedhjen në politikë të çdo shtetasi, që ka kontakte me krimin e organizuar. Në kushtet kur sistemi i drejtësisë ndodhet në situatë kaosi me institucione ende të pakrijuara dhe një reformë të paragjykuar në zbatim, me mediat e kapura nga çdo lloj paraje, sidomos kur politikanët e sprovuar në pushtet deklarojnë se do të gjykojnë veten, propozimi ngjan ende i mangët, i paqartë. E po ashtu në rastin e platformës për çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe oligarkia. E para të sigurohemi se nuk do të jenë po ato që sjellin opozitën në pushtet, në mos me vota të blera, me një marrëveshje që i shpëton kokën të dy palëve (një déjà vu e kemi prej majit të vitit 2017).

Çfarë historia na sjell në kujtesë është vullneti në opozitë për të bërë drejtësi, për të ndëshkuar korrupsionin, për të premtuar transparencë, për të sjellë dromca demokracie në qeverisje, por një zvetënim i tij në mënyrë flagrante me të vendosur të ndenjurat në ulëset e buta të pushtetit. Andaj duke ia përmendur historinë më shumë se një herë, u dëshmojmë se për të bërë shtet shqiptarët besojnë vetëm nëse ofrohen zgjidhje politike të sanksionuara mirë në kushtetutë e kod penal. Se në një vend ku drejtësia historikisht është jofunksionale, nuk mund të zëvendësohet nga politika. E për këtë, padronët e sistemit duhet të hapin krahun. Se për sa kohë zgjedhjet kontrollohen nga kryetarë, me lista të mbyllura, lidhje okulte me krimin, pa transparencë financimesh partish, shqiptarët do të vijojnë të përsërisin historinë, duke e harruar. Dhe mundet të nisin e dyshojnë se ligjet që kërkojnë konsensus të gjerë për t’u miratuar, ose e kanë cenin brenda për të shpëtuar të dy palët, ose do mbeten thjeshtë retorikë opozitare.

Dhe po e njëjta histori që përsëritet I kujtoi pak ditë më parë qeverisë, se negociatat nuk hapen pa një reformë të plotë zgjedhore para zgjedhjeve lokale të vitit 2019.

Më konkretisht, Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të sigurojë më legjislacion shkëputjen e të zgjedhurve nga krimi i organizuar, të depolitizojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjitha komisionet e tjera zgjedhore, të krijojë një komision të posaçëm të monitorimit të zgjedhjeve. Nëse reforma nuk realizohet, le të kujtojmë ne, por edhe opozita se qeveria ka lidhje me oligarkët që financojnë blerjen e votës, kriminelët që manipulojnë rezultatin zgjedhor. A mund të pretendohen pra ligje nga ky parlament me gjithë vullnetin e opozitës për dy nisma të forta e konkrete si vettingu në politikë dhe platforma për çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët? Dhe a mund të shkohet në zgjedhje pa reformë zgjedhore që lë historinë të përsëritet mërzitshëm e pa shpresë?

Kisisnger besonte tek historia dhe filozofët, me këtë arriti të rezistonte si një ndër njerëzit me aftësi të jashtëzakonshme shtetare, duke i shërbyer shumë administratave. Teksa lexoja artikullin për biografinë e tij, në sfond platforma e re për përforcimin e Ligjit Antimafia e vettingu në politikë më ngjanin një përpjekje për të bërë shtet më të mirë, por si t’ia bëj historisë që më kujton përpjekje të ngjashme nga aktorë të sprovuar në pushtet? Si mund të bëhet më e besueshme? A mos duhet të hapet gara zgjedhore për të njëjtën transparencë, konkurrencë të lirë, shmangie korrupsioni e blerjesh, abuzimesh e ndikimesh të krimit në lista? Ose do duhej të dënohej ky sistem i tëri, me gjithë mënyrën si zgjedh përfaqësuesit e vet, ose vështirë të besohet se opozita mund ta bëjë ndryshimin e madh duke e mbajtur në këmbë me pjesëmarrjen në të. kjo është histori e vjetër, por sepse e paanalizuar mirë, rrezikon të bëhet fatkeqësia jonë kronike. Po aty Kissinger, si për të më përforcuar dyshimet që veç njohja dhe kujtesa e mirë e historisë t’i sjell në mendje, më thirri në ndihmë një burrë të madh shteti, Churchill: “Sa më shumë të shohësh pas në kohë, aq më larg mund të shohësh në të ardhmen”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: