KRIMINALITETI TE TË RINJTË DHE RIKTHIMI I SHËRBIMIT TË “VDEKUR” USHTARAK – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

KRIMINALITETI TE TË RINJTË DHE RIKTHIMI I SHËRBIMIT TË “VDEKUR” USHTARAK – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Ka nisur një debat ditët e fundit, pas vrasjes së tetëfishtë në Selenicë të Vlorës, më e rënda e ndodhur në historinë e kriminalitetit shqiptar! Askush më parë në Shqipëri, nuk kishte vrarë njëkohësisht, 8 persona. Askush nuk kishte bërë më parë, një kasaphanë të kësaj përmase dhe askush më parë nuk ka marrë statusin e kampionit negativ të shkaktimit të kaq shumë viktimave, në një ngjarje të vetme. Ky ishte i riu 24-vjeçar, Ridvan Zykaj. Përveç masakrës së pashoqe që shkaktoi, Zykaj vlen të përmendet se, në profilin e tij kriminal është nënvizuar në atë që kanë shkruar mjekët se, nuk ka probleme mendore. Nëse do të ishte e kundërta, do kishim të bënim me një njeri me çrregullime psikike dhe nuk kishte nevojë as për hipoteza dhe as teza, se e kapi kriza mendore dhe vrau, ose sjellja pa takt e viktimave, duke e futur këtë krim makabër në ca hulli që një zot e di se si mund të dilej. Në atë zallamahi diskutimesh dhe debatesh, ajo që më bëri përshtypje ishte propozimi i disa kolegëve gazetarë, madje edhe sociologë, për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak si një element kyç në edukimin qytetar, për të respektuar rregullat dhe ligjet e një shoqërie. Madje, dikush e quante si zgjidhjen e vetme që, kjo rini e shthurur, të vihej në binarë. I respektoj ata që, herë-herë, nën staturën e intelektualëve, sociologëve dhe gazetarëve, japin mendime të vyera për probleme nga më të ndryshmet të shoqërisë sonë. Por nuk besoj se, në këtë rast, kanë qëlluar në shenjë. Madje, kanë bërë një propozim të frikshëm që, do Zoti nuk shkon në veshët e atyre që e kanë në dorë se vërtetë mund ta shikojnë si opsion.

Të nderuar ideatorë të rikthimit të ushtrisë së detyrueshme!

Nuk e rregullon kurrë shërbimi i detyrueshëm ushtarak këtë rini! Nuk është ky çelësi i artë i të qenit qytetar i mirë dhe i zbatimit të ligjit! Në vitin 1990, viti i fundit i sistemit komunist, periudhë që i referohen propozuesit, ushtria ka qenë në momentin e saj më të keq të mundshëm. Ushtria shqiptare befas u gjend si e kapur rob. Pavarësisht se për 45 vjet shtet komunist - buxheti i shtetit shkonte deri në 40 për qind të GDB-së për ushtrinë dhe Shqipëria kishte armë dhe municione të bënte luftë për një vit rresht pa ndërprerje - gjendja e saj përfundoi e mjeruar. Pa asnjë përvojë pozitive, pa infrastrukturë të nevojshme dhe bashkëkohore, rekrutët e asaj ushtrie nuk kishin kulturën minimale ushtarake dhe ishin të paaftë të kryenin një stërvitje të thjeshtë krahasuar me ushtritë e botës e jo më të gatshëm për luftë. Natyrisht, këtu nuk kam parasysh ata djem dhe burra që sakrifikuan deri jetën e tyre, të shërbenin me idealizëm për atdheun, pa menduar më parë partinë. Por sot, është anormale të hyjnizosh dhe glorifikosh ushtrinë shqiptare që, më 1990, gazetari i famshëm i Zërit të Amerikës e perifrazon saktë, teksa shkruan në librin e tij: “Shqipëria në tranzicion” që kishte humbur tiparin kryesor - patriotizmin dhe ndjenjën kombëtare. Po përse atë kohë, por edhe sot, nga një pjesë e opinionit mendojnë se, “ushtria i piqte të rinjtë”? Përse sot, një pjesë e opinionit mungesën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak e quajnë si një mangësi deri në handikap, te të rinjtë e moshës 18-28 vjeç? Këtu ka një bazë reale, por kjo bazë është jo vetëm e diskutueshme, por ka shumë rrethana që është një fosil që duhet vendosur vetëm në një stendë muzeu dhe jo ta rikthesh në funksion. Gjatë kohës së komunizmit, ishte gati legjendar portreti i një djali të kthyer nga ushtria. Ai portretizohej si më i pjekur, më punëtor, më komunikues dhe befas më i mençur. Po përse? Për shumicën e atyre të rinjve që rekrutoheshin si ushtarë, ikja nga fshati, lagjja, qyteti dhe rekrutimi ushtar, ishte si një udhëtim në Hënë. Për shumicën e të rinjve të asaj kohe, ku mungonte me të gjithë kuptimin e fjalës infrastruktura, ajo ishte dalja e parë reale nga shtëpia dhe familja. Shumë piktoreske ishte për këdo të ri, nëse ushtria bëhej larg vendit ku ai jetonte. “Jam nga Saranda, por ushtrinë e kam bërë në Tropojë”; “jam nga Kukësi, por ushtrinë e kam bërë në Vlorë”. Kjo mënyrë ishte shkëmbimi i vetëm i kulturave të asaj kohe, ku gati çdo fshat kishte traditat dhe zakonet e tij, kostumet e deri dollinë e tij dhe të shkoje nga Kukësi në Vlorë, të jetoje 2 deri në 3 vjet, është sikur sot të shkosh nga Shqipëria në Australi. Për të mos shtuar këtu një pjesë të atyre djemve fatkeq që edhe pse në gjimnaz shkëlqyen në mësime, u qethnin kokën dhe i dërgonin ushtarë për shkak të biografisë, duke ua prerë ëndrrën për arsimin e lartë. Marrja e një kulture të re, shkëmbimi i kulturave, njohja e territoreve të reja, njohja me shumë të rinj, jeta në grup dhe me rregull, i shndërroi jetën pjesës më të madhe të të rinjve. Ajo jetë në fakt, ishte edhe një provë e parë reale e atyre të rinjve që, deri në atë moment, nuk kishin kaluar as fshatin e tyre. Jetesa në grup, rregulli ushtarak, ushqim i sigurt, por përherë i pamjaftueshëm, privimi nga gjumi dhe jeta për qejf pa asnjë punë, ushtria mbetej i vetmi cep i shoqërisë ku, të paktën, kishte një lloj kërkese llogarie. Por, a ishte kjo e mira e Shqipërisë, që na sillte ushtria? Të hyjnizosh ushtrinë si një qendër edukimi për rininë, kjo nuk më duket e drejtë, madje e tepruar dhe pa vend! Pyetja është çfarë do bënte i riu Ridvan Zykaj, po të ishte duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak? Po ua jap unë përgjigjen. Nuk dua të bëjë fatalistin, por druaj se parashikimi im, është: I frustruar nga akuzat e shokëve të ushtrisë, nga sjelljet e tij të çuditshme, nga mungesa e arsimimit, kulturës dhe formimit, me një armë në dorë duke bërë shërbimin, ai do kishte bërë të njëjtën kasaphanë, në mos më të madhe në numër në repart dhe kazermë. Nuk është në kulturën e shqiptarit që, kur ka një armë në brez, ta zbrazë atë ku duhet dhe si duhet. Ai e zbraz atë kur i hipën gjaku për gjëra të rëndomta, për një fjalë, për një arsye aspak madhore e patriotike. Në librin tim “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, 1912-2017), për arsyet përse vrasin shqiptarët, kam marrë si referencë dy korifenjtë e mendimit shqiptar - Faik Konicën dhe Mit’hat Frashërin.

Faik Konica shkruan:

“Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqetë. Sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së drejtës dhe atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie!” (Konica Faik, vepra 1, fq. 271-272).

Mit’hat Frashëri shkruan:

“Mjerisht, gjejmë shpeshherë te shqiptari, edhe një kotësi të marrë: Fryhet si misëroku me erë dhe në rruzullim, nuk sheh veçse veten e tij, madhërinë, fuqinë e rreme të tij. A pak zihje dhe vrasje kanë ndodhur për një fjalë, për një vështrim, për një të shkuar përpara, për një kalë ose jelek më të bukur? Se kotësija i jep nakar njeriut, e bën që të mos durojë një tjatër më të mirë, më të ditur, më të pasur, më të nderuar. Kotësija është vesi, sëmundja më e përhapur në djemtë shqiptarë, ajo është fara prej të cilës do të dalin të metat dhe fajet e pastajmë. Kotësia e ngur zemrën, e ftoh shpirtin, e bën njeriun të ashpër dhe të egër, e largon nga shoqërija”. (Mit’hat Frashëri, Elita Shqiptare, Plejad 2008)

E pra, sëmundja e të vrarit pa ndonjë arsye madhore, por për cilësitë misëroke të shqiptarëve, janë të vjetra sa vetë shqiptari dhe jo më kot si slogan të librit, kam nxjerrë këtë frazë: Çdo shoqëri i meriton kriminelët e vet! Prandaj, të thuash se heqja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është faj i rëndë dhe një nga arsyet kryesore që kjo rini vret, është pa asnjë vlerë! Nuk është ushtria, as shërbimi i detyrueshëm ushtarak, edukatorja e kësaj rinie me defekte. Vetëm arsimimi, dija dhe kultura, janë të vetmit edukatorë të pazëvendësueshëm. Natyrisht që, starti është te familja që ka ndikimin themelor. Çfarë trishtimi të ngjall kur, si përherë, si në çdo post vrasjeje, i gjithë fshati, gati një zë dhe bashkë me fshatin edhe familjarë të Ridvan Zykajt, vetëm pak orë pas krimit të tetëfishtë thoshin përpara kamerave: Do t’ia pres vetë gjuhën, do ta djeg, do ta vras me duart e mia! Të zë trishtimi, kur shikon dhe dëgjon këto fjalë. Por duhet ta pranojmë:

Kjo është shoqëri kriminale, që prodhon dhe ushqen vrasës dhe kur një ditë ky vrasës vret dikë, shoqëria vret vrasësin!

I pari që tha do ta vras me duart e mia, ishte gjyshi i Ridvanit. Në formën më të pafajshme, ky gjysh përcolli pikërisht atë edukatë familjare, atë që çoi në ekstrem vrasjen e tetëfishtë. Çfarë do bënte Ridvan Zykaj - që bënte jetën e Robinson Kruzos - i vetmuar në majën e malit? Mes skamjes, varfërisë, mungesës së arsimimit, kafshëve që kujdesej? Çfarë qytetari do ishte ai në jetën e tij? Natyrisht, biseda shkencore nuk do bënte. Prandaj, zgjidhja nuk është ushtria, por kultura. Zgjidhja nuk është rregulli ushtarak, por arsimi. Zgjidhja nuk është armë në duart e të rinjve, por angazhimi me punë. Shteti ynë duhet të marrë modele si në Zvicër, me një terren malor si i yni, kur të rinjtë angazhohen dhe integrohen dhe nuk rrinë kafeneve. Natyrisht, duke u bërë në radhë të parë qytetarë të mirë dhe më pas ushtarë të mirë. Të asaj “ushtrie të detyrueshme” që vdiq dikur, një herë e përgjithmonë!

Fund

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: