KODI I LUMËS DHE FJALA TIRANIKE – OPINION NGA FRROK ÇUPI

KODI I LUMËS DHE FJALA TIRANIKE – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

- Ulu në atë shkam, o trim! - i tha tjetri, në Brut të bregut të Drinit.

-Jo, bre – tha ky - nuk ulem para mikut, jam në shtëpinë time...

Tjetri u ul... Dhe këtu u nda gjyqi.

Tani i bëjnë gjyqin njëri-tjetrit dhe mbeten “në klasën e parë” gjithë jetën, politikanët që do të qeverisin shtetin.

Sikur këta të kishin kaluar nga katundet e Lumës, do të ishte fat për të gjithë. Të paktën do të mësonin si flitet. Se në traditën  e popullit - që këta e quajnë “i keq”,  “që nuk bëhet”, “popull që e mashtron me një dorë lakra”,  “jepi dru, pa voton për ty”... - ky popull e ka kodin e mençurisë e të fjalës shumë më tepër se sa ç’mund ta kishin miliona karagjozë, miliona mashtrues, miliona majtistë të stilit “Soros”, dhe miliona djathtistë të stilit të këtyre. Ka ca studiues që thonë se, populli ynë në shoqërinë parapolitike, është qeverisur më drejt dhe më duket se shpesh kanë të drejtë.

Shikoni çfarë ndodh në shoqërinë politike të ditës.

Opozita (PD-LSI) ka paraqitur në Prokurori një kallëzim, kundër kryeministrit Edi Rama. Krimi që ka bërë Rama, është ky dhe ka të bëjë me fjalën: I ka thënë, përmes medias sociale, oficerit që hodhi bombën se, dhuna mbi një vajzë u fsheh nga Policia e Shtetit dhe pas kësaj, polici  u largua nga vendi. Tashmë nuk ka mbetur njeri në vendin tonë, që nuk është përfshirë në  historinë e vajzës Xhisiela në Fushë Krujë. A u dhunua apo nuk u dhunua - askush nuk e di... A e braktisi Policia apo jo - kjo mbetet në dokumentet dhe provat zyrtare. Oficeri “Nuhu” tha se, shteti mori pjesë në dhunë. Po kërkohen prova; por po kërkohet edhe dëshmitari Nuhu...

Kryeministri shkroi në media se, “edhe në vrimën e miut, do ta gjejmë atë horr”...

A flitet kështu? Sigurisht, jo.

Opozita ngriti padi kundër fjalës se, “kryeministri do që t’i mbyllë gojën oficerit!” Ndërsa fjalën e “armikut” të kryeministrit, oficerit që mashtroi për dhunën, opozita e konsideron “të mbrojtshme” nga ligji.

A jemi në një vijë, të paktën, me filozofinë  e shoqërisë parapolitike shqiptare!?...

Ja, rasti i Lumës: Gjyqi nisi dhe mbaroi brenda tre minutave.

Një fshat i vogël, Brut, buzë Drinit, herë quhej “i Lumës”, herë quhej “i Hasit”. U mblodhën burrat në një shtëpi të thjeshtë të Brutit, burrat në të dy krahët për të ndarë gjyqin “kujt i përket Bruti”. U ul i pari - lumjan; u ul i dyti - hasjan... me radhë. Në fund, mbeten në këmbë dy burra, njëri lumjan dhe tjetri hasjan, por kishin vetëm një ndenjëse që quhet “shkam”. Lumjani i tha tjetrit: “Ulu ti, se unë në shtëpinë time jam”, dhe tjetri u ul... Kaq u desh dhe gjyqi mbaroi. Përderisa njëri nga hasjanët pranoi të ulej, d.m.th., vërtetoi se nuk ishte në shtëpinë e tij, vërtetoi edhe se Hasi i përkiste Lumës...

Po bëhet një shekull; më shumë se një shekull, duken edhe 30 vjetët e fundit, që nuk e zgjidhim “gjyqin” me “një fjalë”. Fjalët litarë, fyese e denigruese, pa kuptim e ngjyrim, pa mençuri e pa drejtësi - vërtiten pa pushim nëpër podiume politike, nëpër media, nëpër rrugë dhe kafene, nëpër parlamente e seanca.

Fjala e këtyre është kthyer në grackë, ku mbahet gjallë konflikti, stresi, poshtërimi, injoranca dhe në fund, vetë e drejta. Fjala e politikanëve tanë - atë çfarë kërkon, pikërisht atë kundërshton...

A po i thotë opozita kryeministrit se, “nuk je i lirë” të shpifësh e sulmosh me fjalë një oficer policie, që është larguar nga vendi pasi ka lëshuar një akuzë që ka turbulluar vendin?! A po i kërkon pikërisht këtë gjë opozita, kryetarit të qeverisë: “Pse flet dhe kërcënon me fjalë nënkomisarin?”

Për këtë arsye, opozita i është drejtuar hetimit ku kërkon dënim me burg për “fjalën e kryeministrit”.

Brenda të njëjtës ditë, qeveria ka shpallur një projektligj kundër “fjalëve shpifëse dhe denigruese”. Por opozita është ngritur përsëri kundër: “Ju po vrisni fjalën e lirë!” - i ka thënë shumicës...

Të paktën, të ishte modeli nga “gjyqësia” e Lumës e shekullit të kaluar, që të konstatonte “budallallëkun” e opozitës: “Po ti a kërkove të dënohet fjala fyese e kryeministrit?... Po!.. Ndërsa brenda ditës, merr në mbrojtje “fjalën shpifëse dhe denigruese” si “shprehje e lirë...”, do të thoshte kodi i Lumës.

Në një kakofoni “kodesh” ka hyrë politika qysh prej se brenda saj hynë injorantë,  të nxituar për pasuri, të dhënë për padrejtësi... Politika kërkon “vettingun e politikës” jashtë sensit të shtetit, pastaj do të kërkojë “vetting për ushtarët”, pastaj “për qëndistarët”, pastaj “për pastruesit e natës”, pastaj “kush ka qimen e zezë”... Nga njëra anë, politika deklaron se “unë bëj shtet”,  nga ana tjetër ai që thotë këtë, “i hyn shtetit në rrënjë”...

Politika ndodhet në kakofoni parimesh, aksesh, vijash, aleatësh, krahësh, ligjesh, objektivash, perspektivash.... Të gjitha janë kthyer në një grumbull kaotik. Fjalët pa fund dhe ligjet pa fund, janë kthyer në tirani për qytetarët; tirania politike ka marrë pamjen “idiote” të protagonistëve që flasin pa ditur gjuhë as mençuri; vetë tirania e shtetit mbështillet me fjalë mashtruese dhe pa kuptim që të lodhin ty, o njeri,  dhe ti thua: “Mjaft, bëni çfarë të doni, veç fjalë jo!” Këtu ka një shekull e më shumë që luftohet kundër konservatorizmit dhe traditës, kundër atdhetarizmit dhe zakonit...

Këta marrin iniciativë për ta ndëshkuar fjalën tiranike e drobitëse, por edhe nuk duan ta dënojnë.... Se me çfarë do të jetojnë, sikur të mos kenë fjalën vulgare?!

... Në Lumë nuk patën nevojë për më shumë se një fjalë.... dhe gjyqi u zgjidh!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: