KATEGORIA SUPERIORE/ Partizani “ndez motorët” për titullin, Flamurtari në krizë    

KATEGORIA SUPERIORE/ Partizani “ndez motorët” për titullin, Flamurtari në krizë    
Fitorja bindëse ndaj Teutës ngjit të kuqtë në krye të klasifikimit, Laçi “i jep leksione” Flamurtarin. Java e shtatë mbyllet sot me krye-ndeshjen Skënderbeu-Kukësi   

Aranit Muraçi

Pas 25 vitesh, kur fitoi për herë të fundit titullin e 15-të kampion, Partizani jo vetëm udhëheq kampionatin, por është rreshtuar në favorit kryesor për titullin e munguar dhe aq shumë të dëshiruar nga tifozët.

Partizani-Teuta 3-0

Partizani fiton bindshëm ndaj Teutës, duke mos pësuar sërish. Vetëm një gol i pësuar në plot 7 javë dhe fitorja e parë me më shumë se një gol në përballjen e djeshme, konfirmojnë të kuqtë në një prej pretendenteve kryesorë të këtij sezoni. Kur faza e parë po vjen drejt mbylljes, Partizani ka treguar deri tani ekipin më të qëndrueshëm, në lojë dhe rezultate. Dy gola për Partizanin në pjesën e parë shuan shpresat e djemve të detit, për të arritur një rezultat pozitiv në “Selman Stërmasi”. Asani, autor i dy golave, në 29’ dhe 42’, në golin e parë ai shënoi nga një goditje dënimi, dhe pas një asisti të Hilës sulmuesi i të kuqve mposhti portierin Isli Hidi. Në 81’ Mensah realizoi golin e tretë, duke vulosur fitoren.

Kastrioti-Tirana 2-3

Pak ditë pas humbjes në derbi, Tirana gjen fitoren në Krujë. Në pjesën e parë, pavarësisht se vendasit e gjetën të parët golin, kur Bardhi shënon në 30’,  pasi përfiton nga dalja e gabuar e portierit Lika.  Por katër minuta më vonë Greca, me një goditje që falë edhe një devijimi, gjen barazimin dhe në 37’ maqedonasi Bllazhevski realizon golin e avantazhit, duke ia dedikuar atë trajnerit. Në 74’, sërish protagonist Bllazhevski që avancon drejt zonës së Kastriotit dhe pasi driblon portierin Puja gjen golin e sigurisë.  Marku shkurtoi diferencën e golave në fund të ndeshjes, 3-2.  Në kampin e Kastriotit, shkodrani Elvis Plori, ndonëse ndihmoi në ngjitjen e krutanëve në elitën e futbollit shqiptar, pranoi pas humbjes, se për një ecuri më të mirë nuk mjafton thjesht dëshira, puna, aftësitë apo edhe pasioni i një trajneri. “Do të bisedoj me drejtuesit, për të ndryshuar diçka. Do t’iu kërkoj të shohim pozicionin tim për të mirën e skuadrës. Ne kemi ndërtuar një skuadër me mundësitë që kemi patur, por ka nevojë për ndryshim dhe jam i gatshëm të marr përgjegjësitë e mia”, theksoi Plori, tashmë në pritje të votëbesimit të klubit.

Luftëtari-Kamza 1-0

Në Gjirokastër Luftëtari gjen fitoren e dytë përballë Kamzës, rival për mbijetesë, duke i shpëtuar për herë të parë fundit të klasifikimit. Fatet e takimit i vendosi goli i Rapos në 66’, i cili pas një depërtimi në zonë goditi fort duke mposhtur portierin Abdyli. Klodian Duro, trajneri i Kamzës, i dyti i këtij ekipi pas shkarkimit të Devollit, pësoi humbjen e tretë radhazi përballë Luftëtarit. Lidhur me të ardhmen e tij, Duro u shpreh “E njoh shumë mirë Shqipërinë. Nuk më vjen mirë për rezultatet, jam i pari që marr përgjegjësi. Nuk kam frikë nga kjo lojë që quhet futboll. Fiton grupi dhe jo individi. Jam me kokën lart në këtë pjesë.” Klodian Duro përgëzoi edhe trajneri gjirokastrite, Gentian Mezani për fitoren.

Laçi-Flamurtari 1-0

Ndeshja mes Laçit dhe Flamurtarit u vendos në minutën e 65-të, pas një krosi në zonë dhe daljes së gabuar të portierit, duke i dhënë mundësi Gjonit, që me portën bosh të gjente rrugën e rrjetës. Më herët Shtubina goditi traun, ndërsa Flamurtari zhgënjeu, duke iu larguar edhe më tepër ekipeve pretendente për titull. Ilir Daja, trajner i Flamurtarit, pas humbjes në Laç, humbje që lëkundjet e objektivave e ekipit vlonjat, theksoi: “Vazhdojmë të vuajmë në sulm. Edhe fusha ndikoi sepse nuk e kam parë ndonjëherë fushën e Laçit në këtë gjendje.” Ai tha se edhe sulmuesi kryesor dhe kapiteni, si Bushiç, nuk ka rolin ideal, çka ka ndikuar në paraqitjen dhe mungesën e golit. Me këtë fitore Laçi parakaloi Flamurtarin dhe Skënderbeun, duke barazuar me pikë Kukësin kryesues. Meritë të veçantë ka trajneri Artan Mërgjyshi, i cili me modesti ecurinë pozitive deri tani ia dedikon tërë grupit.

 

Lorenc Trashi, kandidat për Kombëtaren

Lorenc Trashi, një ndër më të mirët te Partizani, gjithashtu kandidat për në kombëtare pasi kjo u pranua edhe nga Evin Bulku, ndihmës i Panucci-t, theksoi pas fitores me Laçin: “Nuk mund të komentoj zgjedhjet e trajnerit, thjesht pres momentin tim dhe shpresoj të jem edhe unë pjesë e një grumbullimi të kombëtares.” Nga lista me 25 lojtarë që Panucci publikoi për miqësoren ndaj Jordansië dhe ndeshjen zyrtare kundër Izraelit figuronte vetëm një lojtar i kampionatit shqiptar, portieri i Partizanit, Alban Hoxha.

 

Kategoria Superiore

Java e 7-të/Dje

Partizani-Teuta                 3-0

Laçi-Flamurtari                  1-0

Luftëtari-Kamza                1-0

Kastrioti-Tirana                 2-3

Sot

Skënderbeu-Kukësi        (17:45)

Klasifikimi

Partizani             16

Kukësi                 13

Laçi                      13

Skënderbeu        11

Flamurtari          10

Teuta                    8

Tirana                  8

Kamza                  6

Luftëtari              6

Kastrioti              4

Shpërndajeni me miqtë tuaj: