Jorida Tabaku: Ja skema se si Rama u siguroi tenderin 15 milionë euro kroatëve, futi “në lojë” baxhanakun

Jorida Tabaku: Ja skema se si Rama u siguroi tenderin 15 milionë euro kroatëve, futi “në lojë” baxhanakun
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar sot tenderin që i jep një kompanie kroate monopolin e kontrollit online të faturës tatimore për çdo shitje nga biznesi si “një nga tenderat haptazi korruptiv të qeverisë Rama”.

Ajo zbardhi dokumentet që tregojnë se bëhet fjalë për një “tender fasadë” prej 15 milionë euro, ku kanë marrë pjesë 3 kompani në një “garë fiktive”.

Sipas saj, dy nga kompanitë kanë qenë në garë për të legjitimuar skemën korruptive.

“Bashkëpunëtor në këtë skemë është edhe Armando Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Përmes kompanisë së tij B360, ai nuk ka dhënë asnjë ofertë, në garën fallco për të legjitimuar fitoren e kompanisë kroate të tenderit korruptiv prej 15 milionë dollarësh. Partia Demokratike ka denoncuar edhe më herët se është kjo kompania e baxhanakut të Edi Ramës që merr pjesë si garuese farsë për të mbuluar tenderat e dhënë nga qeveria ish ortakut të tij. Jo pak, por 15.6 milionë euro tendera i ka dhënë qeveria e Edi Ramës baxhanakut të Edi Ramës nëpërmjet ortakut të baxhanakut”, tha Tabaku.

Deputetja e opozitës theksoi se kjo është një skemë mafioze që do t’i kushtojë çdo biznesi 600 deri në 1000 euro.

“Me paketën antimafia, çdo tender si ky i sotmi, çdo koncesion, leje apo liçensë korruptive do të anullohet, pasuritë do të sekuestrohen dhe parat do t’u kthehen atje ku e kanë vendin: në shërbim të qytetarëve - për arsim më të mirë, për spitale më të mira, për rrugë më të mira për vende punë më shumë”, përfundoi Jorida Tabaku. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: