Jordania, sfidë personale e Panucci-t para Izraelit

Jordania, sfidë personale e Panucci-t para Izraelit
Sot në “Elbasan Arena”, ora 20:00, Shqipëria përballet me Jordaninë në një miqësore e cila do t’i vlejë trajnerin për ndeshjen e tretë të Ligës së Kombeve kundër Izraelit, katër ditë më vonë

Aranit Muraçi

Miqësorja me Jordaninë shihet si sfidë për kuqezinjtë, që të sigurt do të kenë braktisjen e tifozëve. Ka pasur pak interesim për bileta rreth takimit që do të zhvillohet sot në “Elbasan Arena”, kjo për faktin se Kombëtarja shqiptare ka zhgënjyer thuajse në të gjitha ndeshjet e këtij e viti. Megjithatë, miqësorja shihet si sfidë personale e trajnerit, i cili duhet të orientojë në fushë një ekip bindës në lojë dhe rezultat, për të shpresuar që e njëjta gjë të ndodhë edhe katër ditë më vonë ndaj Izraelit.

Trajneri Christian Panucci nuk ka zbuluara asgjë lidhur me formacionin me të cilin do të zbresë sot në fushë ndaj Jordanisë, por gjithsesi “Albanian Free Press” mësoi se nga stafi kuqezi, se trajneri nuk ka ndërmend të rrezikojë, duke iu besuar lojtarëve më të mirë që ka në dispozicion me dy tre të rinj, të cilët do të testohen në rolet ku ka më shumë mungesa. Një i tillë është sulmi.

Për miqësoren me Jordaninë trajneri Christian Panucci nuk ka preferuar të zhvillojë seancën tradicionale 24-orë para ndeshjes në stadiumin ku do të luhet sfida. Kjo për arsyen se do të jetë pikërisht miqësorja test për ndeshjen e ardhshme kundër Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve, më e rëndësishmja dhe ndoshta vendimtare për të ardhmen e tij në stolin kuqezi. Një humbje në Izraelin lëkund ndjeshëm pozitat e trajnerit dhe cenon rëndë objektivin e Kombëtares shqiptare për kualifikimin e mundshëm në Euro 2020, pasi nuk jep asnjë garanci për rezultat pozitiv në ndeshjet e fundit ndaj Skocisë. FSHF në kontratën me Panucci-n, që skadon pas dy vjetësh, ka një klauzolë lidhur me kualifikimin. Pikërisht në këtë klauzolë do të bazohet federata për zgjidhjen e parakohshme të kontratës, teksa Panucci e ka marrë parasysh rrezikun. Humbja në Skoci, përmes një loje jo bindëse, dhe një rezultat zhgënjyes me Izraelin rrezikon rënien e kuqezinjve në Grupin D të Ligës së Kombeve. Gjithsesi, trajneri italian është ende në lojë për të rikuperuar dhe marrë më të mirën, në tre ndeshjet e mbetura të këtij viti.

Përgatitjet e fundit u zhvilluan në kompleksin “Tropikal”, ku është akomoduar kombëtarja. Një seancë pa shumë ngarkesë, duke patur parasysh faktin se futbollistët vijnë pas impenjimeve në fundjavë me skuadrat respektive. Trajneri ka biseduar me futbollistët para nisjes së stërvitjes, bisedë që ka zgjatur shumë pak, rreth 40 minuta. Edhe pse miqësore, nga trajneri është thënë se kërkohet impenjim maksimal ndaj Jordanisë. Grupi me25 lojtarë që trajneri ka thirrur për miqësoren me Jordaninë dhe ndeshjen zyrtare ndaj Izraelit është i plotë, pa asnjë të dëmtuar. Portieri i tretë, Alban Hoxha, që ishte i impenjuar me Partizanin në ndeshjen ndaj Kukësit ishte i fundit që iu bashkua grupit në seancën e paradites së djeshme.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: