Jam gati për Kombëtaren! Fiorin Durmishaj “ftesë” Panuccit

Jam gati për Kombëtaren! Fiorin Durmishaj “ftesë” Panuccit
Shkëlqen në kampionatin grek sulmuesi i shpresave kuqezi Durmishaj, me dy gola në fitoren e Panionios, Mavraj shtyn debutimin, Kaçe “humbet gjurmët”. Në Zvicër rikthehet Emir Lenjani

Aranit Muraçi

Fiorin Durmishaj po shkëlqen në kampionatin grek, duke tërhequr vëmendjen e trajnerit Christian Panucci, i cili në mungesë të sulmuesit kryesor, Armando Sadiku, po sheh gjithnjë e më të nevojshme afrimin e një lojtari tjetër në sulmin kuqi. Dy gola në fitoren 0-2 në transfertë përballë Smyrnisit e kanë kthyer Durmishaj në një prej favoritëve kryesorë për të fituar një vend në listën e kombëtares, për ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kombeve kundër Izraelit dhe  Skocisë, apo edhe miqësoren më të afërt ndaj Jordanisë. Durmishaj shënoi në minutën e 37-të golin e parë dhe në fillim të pjesës së dytë vendosi fatet e takimit, duke i dhënë një fitore të çmuar ekipit të tij.

Sulmuesi 21-vjeçar ishte i grumbulluar nga trajneri i U-21, Alban Bushi në takimin e fundit ndaj Spanjës. Por në miqësoren me Italinë ai u largua duke mos qenë pjesë e skuadrës si pasojë e një dëmtimi. Me paraqitjen në takimin e djeshëm, Durmishaj shpreson tashmë rikthimin në ekipin Kombëtar A, si një ndër sulmuesit më në formë të momentit. Kujtojmë se dy sulmuesit që mbajtën peshën e sulmit në dy ndeshjet e kaluara, Bekim Balaj e Sidrit Guri, nuk janë aktivizuar aq sa duhet në radhët e ekipeve të tyre, sikurse u ka munguar edhe goli.

Mërgim Mavraj sërish mbeti jashtë planeve të trajnerit të Aris, në përballjen e djeshme ndaj Asteras Tripoli. Mesfushori Migjen Basha e nisi titullar lojën me selanikasit, ndërsa Andi Lila vazhdon të jetë titullar i padiskutueshëm i Pas Giannina, ndonëse skuadra e tij humbi 2-1 me Panathinaikos. Ergys Kaçe, i rikthyer në Kombëtare për ndeshjen e fundit ndaj Skocisë nuk ishte as në stolin e ekipit të Athinës

Nga kuqezinjtë që luajnë në Itali, pavarësisht humbjeve në ndeshjet e fundit, vetëm Strakosha në portën e Lazio dhe Hysaj në mbrojtjen e Napolit po aktivizohet titullarë.

Albian Ajeti dhe Taulant Xhaka ishin titullarë në barazimin2-2 të Basel me Lugano. Sulmuesi me origjinë shqiptare, vëllai i mbrojtësi kuqezi, Arlind Ajeti, cili zgjodhi Zvicrën, shënoi një nga dy golat e fitores. Sakaq, në ZVicër Ermir Lenjani kthehet të luajë përsëri si mesfushor krahu dhe lë shenjë në fitoren 3-1 të Sionit në fushën e Lucernës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: