ITALI/ Bllokohet në det skafi me 5,6 kuintalë kanabis, si u kapën dy skafistët nga Vlora (VIDEO)

ITALI/ Bllokohet në det skafi me 5,6 kuintalë kanabis, si u kapën dy skafistët nga Vlora (VIDEO)
Një skaf me 557 kilogramë kanabis është bllokuar në brigjet e Brindisit në Itali nga Guardia di Finanzia.

Operacioni i ndjekjes në det përfundoi me arrestimin e dy skafistëve që ishin nisur nga Vlora.

Policia shqiptare tha se bëhet fjalë për personat me iniciale G.M., 32 vjeç dhe A.B., 27 vjeç, të dy nga Vlora.

Lënda narkotike ishte e paketuar në 24 dëngje.

Mediat italiane shkruajnë se skafi u pikas në det nga marina italiane gjatë patrullimit, ndërsa dy skafistët hodhën drogën në det dhe tentuan arratinë.

Guardia di Finanzia arriti të bllokonte skafin dhe të prangoste dy vlonjatët, ndërsa mblodhi edhe kanabisin e hedhur në ujërat pranë bregut.

Nga raportet e mediave italiane, mësohet se operacioni është kryer në bashkëpunim me policinë shqiptare, Njësinë e Policisë Kufitare të Guardia Di Finanza të stacionuar në Durrës dhe oficerit ndërlidhës të Policisë shqiptare në Itali. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Video: Guardia di Finanzia