INSTAT rrëzon qeverinë: Shqiptarët më të kursyer, po konsumojnë më pak

INSTAT rrëzon qeverinë: Shqiptarët më të kursyer, po konsumojnë më pak
Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë e Financave kanë trumbetuar fort për rritjen e konsumit, që sipas tyre ka ndikuar në rritjen ekonomike. Por realiteti i shifrave që përcolli dje INSTAT-i përmes Anketës së Buxhetit të Familjes, duket se paraqet një tjetër panoramë...

Më të kursyer se më parë, të paktën sa u përket nevojave bazike të të jetuarit, si ushqimi, apo strehimi. Kjo është situata që ka karakterizuar shpenzimet e një qytetari shqiptar gjatë vitit të kaluar. Dukuri e pohuar dje zyrtarisht nga Instituti i Statistikave dhe që konfirmon se konsumi i shqiptarëve nuk është aspak në rritje, siç thonë në fakt përfaqësues të qeverisë.

Duke nisur nga kryeministri Edi Rama, i cili në komentet e fundit ka përmendur se një ndër treguesit që sipas tij flet për rritjen ekonomike të vendit, është pikërisht konsumi. “Ka një matës për xhepat e popullit, konsumi. Konsumi s’do rritej nëse shqiptarët nuk kanë pará në xhepat e tyre. Dhe ai është rritur”, ka thënë saktësisht ai, lidhur me këtë dukuri. Duke përmendur madje edhe Bankën Botërore, që sipas tij për rastin e Shqipërisë ka deklaruar që konsumi vijon të rritet si pasojë e rritjes ekonomike, mbështetur dhe nga rritja e punësimit.

Por edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, vazhdimisht në deklaratat e tij, e ka pohuar faktin se në vend ka një rritje të konsumit. “Rritja ekonomike mbështetet nga rritja e konsumit, e bazuar në rritjen e besimit të konsumatorëve”, ka qenë njëra prej tyre, e bërë kohët e fundit.

Ndërkaq, realiteti, i përcjellë dje përmes Anketës së Buxhetit të Familjes 2017, nga Instituti i Statistikave, nuk duket edhe aq optimist, sa i përket konsumit si i tillë, teksa vë re përmes shifrave të saj se një familje vjet, vetëm për ushqim ka shpenzuar -2.2% më pak se vitin e mëparshëm.

Kështu, nëse në 2016-tën ajo shpenzonte në muaj 33 mijë lekë vetëm për të ngrënë, vjet ka shpenzuar rreth 7 mijë lekë më pak, ose 32.3 mijë lekë. Duke folur qartë për një rënie të konsumit për këtë zë kyç në shpenzimet e çdo familje.

Pa harruar këtu, as ato për t’u veshur dhe për t’u mbathur që vjet, duket se shqiptarët i kanë prerë me “thikë”, deri në -11.4% ulje. Më në detaje, nga 3.5 mijë lekë që një familje me 3-4 veta shpenzonte në vitin 2016, në 2017-tën shpenzoi vetëm 3.1 mijë lekë. Sikundër, duket se shqiptarët nuk e kanë “vrarë fort mendjen” vjet për të mobiluar apo mirëmbajtur shtëpinë, teksa shpenzimet mujore për këtë, i kanë pakësuar deri në nivelin prej -4.3%.

Ndërkaq, edhe në tërësinë e tyre, shpenzimet e një familje shqiptare vjet, mund të thuhet se kanë pësuar një rritje krejt të papërfillshme, prej 0.4%. Mjafton të kujtojmë se vetëm çmimet janë rritur me 2.2%, po t’i referohemi normës së asaj që në ekonomi njihet si inflacioni. E duke treguar kështu se rritja e shpenzimeve, ende nuk po e arrin dot ritmin e rritjes së çmimeve.

 

 

SHIFRAT

Një shqiptar ka shpenzuar 20 mijë lekë në muaj për shpenzimet bazë

Që një qytetar shqiptar ta mbyllte vjet muajin me shpenzimet bazë të të jetuarit, i janë dashur rreth 20 mijë lekë. Shifra është dhënë dje nga ekspertët e statistikave, sipas të cilëve, me këto pará janë mbuluar ushqimi, transporti, strehimi, veshjet, arsimi, deri edhe argëtimi, apo kafet dhe restorantet. “Shpenzimet mesatare për konsum të një individi vlerësohen të jenë 19.6 lekë në muaj, nga të cilat: 8.6 lekë për konsum ushqimor dhe 10.996 lekë për konsum jo-ushqimor”, saktësojnë ekspertët rreth një fakti të tillë. Ndërsa kanë përllogaritur më tej edhe shpenzimet që një familje me 3-4 veta ka realizuar përgjatë një muaji, vitin e kaluar. “Në vitin 2017, shpenzimet mesatare mujore për konsum të njësive familjare, të përbëra mesatarisht nga 3.7 persona, kanë qenë 73.400 lekë”, pohuan ata, në kuadrin e publikimit të Anketës së Buxhetit të Familjes.

 

 

DUKURIA

Shëndeti, shqiptarët tani po nxjerrin më shumë pará nga xhepat për ilaçe

Ata po nxjerrin më shumë pará nga xhepat se më parë, për të blerë ilaçe. Një dukuri aspak pozitive kjo për shqiptarët, por që konfirmohet nga të dhënat e fundit të INSTAT-it. “Shpenzimet e bëra në grupin “Shëndet” kanë shënuar rritje prej 14.3%, krahasuar me vitin 2016. Rritje, e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupin “ilaçe”, cilësojnë ekspertët. Duke folur kështu për një përkeqësim të cilësisë së tyre të jetesës, teksa për të njëjtat pará që shpenzojnë gjatë një muaji, jo pak prej tyre “i heqin nga goja”, duke pakësuar ushqimet, për t’i blerë ilaçe.

 

Qytetarët: Mezi arrijmë ta mbyllim muajin!

Sa më i varfër të jetë një vend, aq më shumë shpenzojnë qytetarët e tij për ushqime, pasi ai mbetet një nevojë e domosdoshme dhe vetëm pas plotësimit të tij, ata mund të mendojnë për nevoja të tjera më pak jetësore, ku i fundit vjen argëtimi

“Jemi vetë i katërt në shtëpi. Me 200 mijë lekëshin që çoj unë, lajmë vetëm qeranë. Kurse me 300 mijë lekëshin e burrit hamë bukë. Mezi arrijmë ta mbyllim muajin...”. E trishtë kjo llogari e Dianës, pastrueses 35-vjeçare nga një fshat i jugut që jeton në kryeqytet prej pak vitesh. “Hesapi” mujor i së cilës as nuk i afrohet shifrës prej 73 mijë lekësh që INSTAT-i konfirmoi dje se një familje me 3-4 veta shpenzon në muaj, për normat bazë të të jetuarit. Mjafton të përmendim këtu, që “strehimi” asaj i afrohet gati gjysmës së shpenzimeve mujore. Ku sipas INSTAT-it, kaq në fakt një familje ka ato që kryen vetëm për t’u ushqyer. Por nuk është se edhe ata që e kanë një shtëpi të tyren, ia dalin gjithmonë “ta mbyllin muajin”. Sepse mund të kenë “taksirate” të tjera... “Prej tre vitesh, kam nënën e sëmurë. Përgjigjem e vetme për të, pasi jetojmë së bashku. Vetëm ilaçet bazë mujore i shkojnë 100 euro në muaj. Kur pensionin e ka më pak se aq. Pa llogaritur analizat, apo terapitë e vazhdueshme që duhet të ndjekë, të cilat janë marramendëse. Edhe pse fitoj mirë, shëndeti i saj kushton...”, mbytet nga trishtimi Entela, vajza e re, vetëm 27-vjeçare, që përballet e vetme me betejën për jetën...

Por sa qytetarë të tillë ka në këtë vend, të cilët nuk arrijnë dot t’i sigurojnë dot 20 mijë lekët, që sipas INSTAT, një njeri shpenzon mesatarisht gjatë një muaji? Apo familje, që me paga dhe pensione bashkë, nuk arrijnë dot te kuota e 73 mijë lekëshit, që po sipas INSTAT-it, i duhet një të tille me 3-4 anëtarë ta mbyllin muajin? Për të dalë kështu tek debati “historik” dhe i trashëguar në kohë, se në këtë vend nuk ka ende as një minimum jetik të fiksuar zyrtarisht, sesa i duhet vërtet një qytetari për të përmbushur nevojat e tij bazë. I lënë gjithmonë në harresë, nga institucionet, nga sindikatat, mesa duket nga të gjithë...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: