Ikën poeti i “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, ndahet nga jeta Fatos Arapi

Ikën poeti i “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, ndahet nga jeta Fatos Arapi
Një ndër zërat më të rëndësishëm të poezisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, Fatos Arapi, është ndarë sot nga jeta.

Poeti u shua në moshën 89-vjeçare ndërsa do të prehet në varrezat e Sharrës në kryeqytet.

Fatos Arapi lindi në Vlorë më 1929, u arsimua në Sofje të Bullgarisë dhe e vazhdoi karrierën artistike dhe profesionale në Tiranë.

Për shumë vite ai ka punuar si gazetar dhe pedagog në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Fatos Arapi numëron në krijimtarinë e tij novelat “Patat e egra”, 1969; “Cipa e borës”, 1985; “Gjeniu pa kokë”, 1999 etj; disa romane: “Dhjetori i shqetësuar”, 1970; “Shokët”, 1977; “Deti në mes”, 1986; disa drama: “Partizani pa emër”, 1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk”, “Në front diku”, 1995; ka bërë disa përkthime: “Këngë për njeriun”, Nikolla Vapcarov, 1981; “Poezi, Pablo Neruda”, 1989; Safo, 1990; “Antologji e poezisë turke” etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

Por padyshim emri i tij është ngulitur për kontributin e jashtëzakonshëm në poezinë shqipe.

Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezia dhe vjersha”.

Kulmin poetik, Fatos Arapi e arriti me “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, botuar më 1977.

Në vitet ’70-80, emri i Fatos Arapit renditej krahas atij të Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë në “treshen e artë” të poetëve shqiptarë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: