HISTORI/ Qemal Mërtiri, piloti që mbeti qiejve të Rusisë

HISTORI/ Qemal Mërtiri, piloti që mbeti qiejve të Rusisë
“Fluturimi i tij, i asaj pasdite vjeshte në stepat e Siberisë, ishte një nga fluturimet më të bukura që kam parë dhe që më ka mbetur i fiksuar në mendje, ndoshta sepse ishte i fundit. Trupi i tij prehet në varrezat e Novosibirsut në Siberinë e largët dhe shpirti fluturon në qiellin e pafund të Rusisë...”

12 tetor 1951 ... Studentët shqiptarë të aviacionit në ish-Bashkimin Sovjetik të atëhershëm kishim shkuar në aerodromin fushor të Koçinjevos, në Siberinë e largët, për të realizuar fluturimet e radhës. Mes tyre, edhe kursanti për pilot, Qemal Mërtiri, i cili kreu aty fluturimin e tij të fundit, pas të cilit nuk u kthye dot më në jetë... Një ngjarje kjo, e cila vjen për lexuesit e “Albanian Free Press” përmes kujtimeve të pilotit Bajram Hitaj. “Qemali ishte bërë një figurë e dashur dhe e respektuar për të gjithë ne dhe jo më kot e kishim zgjedhur si përgjegjës të grupit”, tregon ai. Duke shtuar për atë ditë të ngjarjes së rëndë se “shpirtërisht, kishim vdekur të gjithë...”.

“Arkivoli me trupin e Qemalit u vendos në sallën e madhe të klubit të rajonit, ku iu bënë të gjitha nderimet si një luftëtar trim antifashist, si një pilot i rënë në krye të detyrës. Pranë arkivolit me trupin e Qemalit bënë roje nderi 24 orë rresht pionierë, nxënës shkollash, efektivi i regjimentit dhe komandës së shkollës. Kortezhi i përmortshëm arriti në mijëra vetë. Atë ditë në shenjë zie nuk u hapën as dyqanet dhe u ndërprenë të gjitha aktivitetet në qytezë...”, kujton mes të tjerash ai...

 

Nga Bajram Hitaj*

Dëshmori i atdheut, piloti Qemal Mërtiri i takon asaj plejade të ndritur të rinisë shqiptare që mori pjesë aktive në luftën e madhe antifashiste. Dëshira e madhe për dije e përparim e bëri pjesë të Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, që me krijimin e saj. Në bankat e saj, për tre vite rresht, që nga viti 1945 deri në 1948, u pajis me dije e kulturë dhe u burrërua si pionier partizan.

Ndërkaq, ditën e 7 marsit 1948, së bashku me 9 skënderbegas të tjerë, edhe këta ish-partizanë si Bajram Hitaj, Elmaz Hasanmataj, Riza Ramadani, Gani Selami, Flamur Micko, Refit Jazo, Lulo Musaj, Shaqo Hoxha dhe Hektor Lako, u nisën në ish-Bashkimin Sovjetik me studime për t’u përgatitur si pilot. Mbas tre ditësh udhëtimi me avion e tren mbërrijnë në qytetin Engels. Më datën 10 mars 1948 regjistrohen në shkollën e bombarduesve "Maria Raskova", në qarkun e Saratovit.

Grupi i studentëve shqiptarë u përgatit në këtë shkollë për tre vite me radhë (1948-1951) për të përmbushur detyra luftarake me aeroplanët bombardues, duke u regjistruar kështu në grupin e parë të pilotëve shqiptarë që po përgatiteshin në ish-BS pas Luftës së Dytë Botërore. Teksa po në këtë shkollë, në muajin nëntor të vitit 1948, erdhi dhe grupi i studentëve shqiptarë që kishin studiuar për pilotë në ish-Jugosllavi. Mbas përfundimit të programit teorik, hedhjes me parashutë, grupi i studentëve shqiptar u nda në dy grupe fluturimi. Në grupi i parë u caktuan kursantët Elmaz Hasanmataj, Shaqo Hoxha, Riza Ramadani, Gani Selami dhe Flamur Micko, kurse në grupin e dytë u caktuan kursantët Qemal Mërtiri, Lulo Musaj, Refit Jazo, Bajram Hitaj dhe Hektor Lako. Kur ishin fare pranë titullimit si “Pilot bombardues”, Qemal Mërtiri së bashku me një pjesë të grupit transferohen për të vazhduar studimet në një tjetër akademi, këtë radhë në atë të aeroplanëve gjuajtës-kapës "Flamuri i Kuq i Proletariatit të Stalingradit", në qytezën ushtarake Tollmaçov të Novosibirsut në Siberinë e largët.

Bajram Hitaj, piloti legjendar i të vetmit aeroplani bombardues që kishte aviacioni shqiptar, shoku i afërt i pilotit që ka rënë në Siberi thotë se: “Qemali ishte bërë një figurë e dashur dhe e respektuar për të gjithë ne dhe jo më kot e kishim zgjedhur si përgjegjës të grupit”.

Si ndodhi ngjarja e rëndë

Në datë 12 tetor 1951 kishim shkuar në aerodromin fushor të Koçinjevos për të realizuar fluturimet e radhës. Koha ishte e vrenjtur dhe qielli i zënë. Në kohën kur karroca sapo kishte sjellë ushqimin dhe po hanim “mëngjesin” e dytë hapen pak retë e duket qielli blu, dëgjohet thirrja e instruktorit: “Hej, shikoni qielli u hap”. Ne kursantët e lamë ushqimin dhe me shpejtësi u bëmë gati për fluturim. Unë, pasi e ndihmova Qemalin të lidhte pajimet në kabinën e fluturimit, zura vend në pikën e vrojtimit. Kisha për detyrë të shoqëroja me sy aeroplanin që pilotonte Qemali, që nga momenti i ngritjes, derisa të ulej përsëri në tokë. Unë kisha lidhje me udhëheqësin e fluturimit dhe ndodhesha afër pikës së komandimit. Qemali mori leje për ngritje dhe pas dhënies së saj nga udhëheqësi fluturoi drejt zonës së plotësimit të detyrës. Ai ishte një nga fluturimet më të bukura që kam parë dhe që më ka mbetur i fiksuar në mendje, ndoshta sepse ishte dhe fluturimi i fundit i vëllait tim, Qemal Mërtirit. Avioni i pilotuar prej tij, po realizonte një përmbysje e thellë në të majtë dhe unë i raportoj instruktorit:

- Mërtiri po bën pikiatë të vazhdueshme.

Instruktori i rrëmben me shpejtësi mikrofonin nga dora udhëheqësit të fluturimit dhe pa përdorur as kodet që përdorën zakonisht në aviacion thërret: “Mërtiri nxirre, nxirre jepi me këmbën e djathtë, me të djathtën”, por avioni humbi në horizont... Udhëheqësi i fluturimit hoqi kufjet nga veshi, përplasi me nervozizëm mikrofonin në tavolinë dhe dha në rusisht kushtrimin. Ai kishte eksperiencë të madhe dhe e kishte kuptuar se çfarë mynxyre kishte ndodhur. Duhej të nxitonim për te vendi ku ishte rrëzuar avioni. Ndoshta Qemali mund të kishte shpëtuar. Por jo....

Momentin fatal e kujtoj me lot në sy, teksa përshkruaj tërë dinamikën e fluturimit të asaj pasdite vjeshte në stepat e Siberisë. Humbja e avionit në horizont, në gjuhën e aviacionit do të thotë katastrofë ajrore. Katastrofa kishte ndodhur dhe në rastin e shokut tonë, Qemalit. Vrapuam të gjithë dhe u gjendëm te vendi ku kishte rënë avioni. Nga larg dukej vetëm flaka dhe një parashutë e hapur aty pranë. Para nesh kishin mbërritur aty me makinë instruktorët rusë, të cilët na ndaluan për t'iu afruar vendit ku gjendej i përplasur në tokë aeroplani me trupin e shokut tonë.

- Mërtiri nuk jeton më!

Vetëm kaq mundi të shqiptonte instruktori ynë dhe mbi faqe po i rridhnin lotë. Ndërsa teknikët rusë, që ndodheshin tek aeroplani i rrëzuar me parashutën e hapur nga presioni i goditjes në tokë e mbështollëm trupin e Qemalit. Gjendja jonë psikologjike ishte dramatike. Shpirtërisht, kishim vdekur të gjithë...

Nderimet e fundit

...Arkivoli me trupin e Qemalit u vendos në sallën e madhe të klubit të rajonit, ku iu bënë të gjitha nderimet si një luftëtar trim antifashist, si një pilot i rënë në krye të detyrës. Pranë arkivolit me trupin e Qemalit bënë roje nderi 24 orë rresht pionierë, nxënës shkollash, efektivi i regjimentit dhe komandës së shkollës. Kortezhi i përmortshëm arriti në mijëra vetë. Atë ditë në shenjë zie nuk u hapën as dyqanet dhe u ndërprenë të gjitha aktivitetet në qytezë. Trupi i tij prehet në varrezat e Novosibirsut në Siberinë e largët dhe shpirti fluturon në qiellin e pafund të Rusisë. Ndërsa kryesia e Shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit” ka bërë të gjitha përpjekjet për të realizuar kthimin në atdhe të eshtrave të kursantit për pilot, Qemal Mërtiri, teksa është përcaktuar edhe vendndodhja e varrit me eshtrat e pilotit Qemal Mërtiri...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: