“Harta” e fundit e Kombëtares, dominon Italia dhe Greqia

“Harta” e fundit e Kombëtares, dominon Italia dhe Greqia
Nga lista me 25 lojtarë që trajneri Panucci përpiloi për dy ndeshjet e radhës, ndaj Jordanisë e Izraelit, më shumë se gjysma: 13 prej tyre luajnë në dy vendet fqinje. Numri me gjasa do të rritet

Aranit Muraçi

Italia dhe Greqia dominojnë listën e fundit të Kombëtares. Në fakt janë dy vendet fqinje me Shqipërinë, ku emigruan pas ’90 pjesë më e madhe e shqiptarëve dhe sot normalisht në Itali dhe Greqi aktivizohen shumë futbollistë me origjinë shqiptare.

Christian Panucci ka thirrur 9 lojtarë shqiptarë që luajnë në Itali (5 në Seria A dhe 4 në Seria B)., në listën e fundit të Kombëtares së Shqipërisë, për ndeshjen miqësore të 10 tetorit ndaj Jordanisë dhe përballë Izraelit, në takimin zyrtar të Ligës së Kombeve më 14 tetor.

Mes 9 lojtarëve që vijnë nga Italia, janë edhe dy risi, ajo e ish-lojtarët të përfaqësueses italiane, U-19, Giacomo Vrioni, i cili pasi veshi fanellën e skuadrës përfaqësuese shqiptare U-21, debuton me kuqezinjtë. Vrioni është pjesë e Venezia në Seria B dhe u pëlqye nga Panucci gjatë miqësores U-21 mes Italisë e Shqipërisë, kur ai shënoi edhe një gol. Sulmuesi i lindur në Itali nga prindër shqiptarë me origjinë nga Durrësi, konsiderohet një futbollist me të ardhme të sigurt.  Listës së lojtarëve shqiptarë që luajnë në Itali i është bashkuar në mënyrë po aq surprizë edhe Kastriot Dermaku, pjesë e Kozenca.

Ajo që bie në sy në grumbullimin e fundit është edhe numri në rritje i futbollistëve shqiptarë, të cilët luajnë në Greqi. Kjo për faktin se këtë sezon iu bashkuan Aris dy futbollistë, Mërgim Mavraj dhe Migjen Basha. Në listën e fundit përveç tyre figurojnë edhe Andi Lila e Enea Mihaj, të cilët do të jenë gati ndaj Jordanisë e Izraelit. Ergys Kaçe, i cili është i dëmtuar dhe Fiorin Durmishaj, kandidat për të ardhmen, ose Astrit Ajdareviç i AEK, i grumbulluar më parë nga Kombëtarja Shqiptare, nuk figurojnë në listën aktuale por shihen pjesë potenciale e saj në të ardhmen.  Madje edhe mbi listën e fundit mediat greke e kanë përshkruar me nota pozitive, pasi që arrijnë të pranojnë në kampionatin e tyre lojtarë shqiptarë, që janë shumë të rëndësishëm për Kombëtaren.

“Harta” e lojtarëve të tjerë që plotësojnë listën e Kombëtares është e shpërndarë në vende të ndryshme të Europës, dhe paradoksalisht mungon Shqipëria. Vetëm portieri i Partizanit Alban Hoxha, ose portieri i tretë, përfaqëson kampionatin shqiptar në listë, çka tregon nivelin e dobët të klubeve të Kategorisë Superiore, gjë që po reflektohet edhe nga braktisja e tifozëve nëpër stadiume.

Lista e Kombëtares:

Portierë: Strakosha (Lazio), Berisha (Atalanta) Hoxha (Partizani)

Mbrojtës: Hysaj (Napoli), Kaja (Livingston), Lenjani (Sion), Binaku (Malmoe), Mavraj (Aris), Veseli (Empoli), Prenga (Inter Zapresic), Dermaku (Cosenza), Djimsiti (Atalanta) Mihaj (Panetolikos)

Mesfushorë: Memushaj (Pescara), Ramadani (Velje), Basha (Aris), Xhaka (Basel), Ndoj (Brescia), Grezda (Rangers)

Sulmues: Manaj (Albacete), Gavazaj (Enisey Krasnoyarsk), Uzuni (Lokomotiv Zagreb), Balaj (Grozny), Vrioni (Venecia)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: