GJYSMA E RRITJES EKONOMIKE SIVJET, DHURATË NGA ZOTI... - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

GJYSMA E RRITJES EKONOMIKE SIVJET, DHURATË NGA ZOTI... - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

INSTAT-i publikoi javën e shkuar, shifrat e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2018. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë të këtij viti, vlerësohet me rritje prej 4,32%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2017.

Sipas INSTAT-it, ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë sektori i energjisë elektrike me 2.37%, të rritjes reale së PBB-së. Edhe në tremujorin e parë ku rritja ishte 4,45 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2017, ndikimin kryesor sipas INSTAT-it, e dha sërish sektori i energjisë, që ka ndikuar me 2.42%. Pra, sivjet, më shumë se gjysma e rritjes ekonomike, ka ardhur nga rritja e prodhimit të energjisë.

Në fakt, në katër vitet e fundit, nuk është shtuar ndonjë burimi i ri i madh energjik në sistemin elektrik shqiptar. Ndërkohë, burimet e brendshme të këtij sistemi, bazohen tërësisht tek hidrocentralet, prodhimi i të cilave varet krejtësisht nga reshjet. Kështu për shembull, prodhimi i brendshëm i energjisë, arriti rekordin më të lartë në tremujorin e parë të 2018-ës, me 3.2 GWh. Ndërsa në tremujorin e tretë të 2017-ës, ishte në rekordin më të ulët - vetëm 0.4 GWh.

Mesatarisht në katër vitet e fundit, vlera e energjisë elektrike ka përbërë rreth 20% të PBB-së. Si rezultat, luhatjet në prodhimin e saj – nga tremujori në tremujor e nga viti në vit – kanë ndikuar shumë në normën e rritjes së PBB-së. Dhe ky ndikim nuk ka të bëjë me politikat ekonomike të qeverisë – të paktën në afate të shkurtra, këto luhatje varen krejtësisht nga tekat e motit...

Meqë energjia elektrike ndikon kaq shumë në rritjen e PBB-së, është e nevojshme që këtë të fundit ta analizojmë të zhveshur nga efekti i reshjeve (që i ka në dorë i madhi zot). Një analizë e tillë mund të na tregojë se sa do të ishte rritja ekonomike, në qoftë se reshjet do të kishin qenë konstante nga viti në vit, sipas stinëve. Pra, do të na tregonte se sa ka qenë ndikimi faktorëve që varen nga qeveria, si politikat ekonomike, stabiliteti makroekonomik, krijimi i besimit tek investitorët dhe konsumatorët etj.

Në grafikun shoqërues paraqiten normat vjetore të rritjes reale së PBB-së për 14 tremujorët e fundit, për të cilat INSTAT-i ka publikuar të dhëna mbi PBB-në. Përkrah tyre janë paraqitur normat hipotetike të rritjes së PBB-së, duke hamendësuar se nuk ka patur luhatje të prodhimit të energjisë elektrike (pra, duke hamendësuar se reshjet kanë qenë konstante nga viti në vit, sipas stinëve).

Siç mund të shihet në grafik, në disa tremujorë (kur reshjet kanë qenë të pakta), energjia elektrike e ka tkurrur rritjen ekonomike. Ndërsa në disa të tjerë (kur reshjet kanë qenë të shumta), energjia elektrike e ka fryrë rritjen ekonomike.

Dhe tremujorët kur kjo gjë ka qenë shumë e theksuar, janë pikërisht dy tremujorët e parë të 2018-ës. Në qoftë se hidrocentralet nuk do të ishin mbushur nga reshjet e shumta të vjeshtës e dimrit të vjetshëm, rritja ekonomike do të kishte qenë vetëm 2.4% dhe 2.3%.

Meqenëse reshjeve nuk u dihet, mbetet të shihet se sa do të jetë rritja ekonomike në tremujorët në vijim. Në qoftë se sektorët e tjerë (që nuk varen nga reshjet, por nga politikat ekonomike të qeverisë), nuk shënojnë rritje të shëndoshë, synimi i qeverisë për të patur, këtë vit e vitin tjetër, rritje rreth 4.5%, mund të vihet në rrezik.

Grafik: Norma vjetore e rritjes së PBB-së, në qoftë se reshjet do të kishin qenë konstante

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: