FSHF përgjigje Braçes: Segmente të caktuara të politikës duan të marrin me dhunë Federatën

FSHF përgjigje Braçes: Segmente të caktuara të politikës duan të marrin me dhunë Federatën
Në seancën e sotme parlamentare ka pasur debate midis deputetit të Partisë Socialiste Erion Braçe dhe Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, Arben Ahmetaj në lidhje me ligjshmërinë fiskale të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Pas fjalës së Braçes në Parlament ka reaguar përmes një postimi në faqen zyrtare FSHF ku shkruhet:

“FSHF si gjithmonë, ndjek me vëmendje të posaçme, çdo zhvillim parlamentar dhe jashtë tij, që ka të bëjë me mirëfunksionimin dhe imazhin e saj. FSHF, ashtu sikurse edhe UEFA dhe FIFA është veçanërisht sensitive, sidomos kur shikon tendenca nga ligjvënës, edhe pse të veçuar, që synojnë në thelb të cenojnë standardet ndërkombëtare të vendosura me kohë në këtë organizatë, dhe pavarësinë e saj nga politika.

Sot, fatkeqësisht, si edhe disa herë të tjera, në mënyrë të përsëritur nga i njëjti deputet, por fatmirësisht për reputacionin e parlamentit shqiptar, i vetmi që në parlament sillet si tifoz i një ekipi, dhe në shkallët e stadiumit si ligjvënës, pamë jo vetëm gjuhë ofenduese por edhe kërcënuese, që në subkoshiencë fshehin ëndrrën e vjetër të një segmenti të caktuar të politikës për të pushtuar me dhunë FSHF-në.

FSHF jo vetëm garanton transparencën e saj përballë organizmave ndaj të cilave është e detyruar në bazë të rregullave t’i përgjigjet, por inkurajon gjithashtu punën e çdo institucioni shtetëror, apo qoftë dhe individi me pushtet, që në themel ka mirëfunksionim e kësaj organizate dhe jo ngritjen e ndonjë flamuri politik në ballkonet e saj.

Duke ritheksuar besimin tonë tek institucionet e shtetit, nënvizojmë edhe njëherë se mesazhet e dala nga zëra të veçuar të politikës që baltosin jo vetëm imazhin e FSHF-së por edhe të UEFA-s do të përcillen dhe ndahen me të gjithë partnerët tanë në FIFA dhe UEFA.”

/l.k./

Foto Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: