Fitorja e parë e Kombëtares jashtë vendit, emocionet në tokën moldave...

Fitorja e parë e Kombëtares jashtë vendit, emocionet në tokën moldave...
Kujtimet e gazetarit të mirënjohur Ahmet Shqarri:  “Situatat e reja politike pas viteve ’90, shkatërrimi i perdes hermetike që ndante Shqipërinë nga bota, bënë që të lehtësohej së tepërmi edhe kontakti i gazetarëve tanë me ata të vendeve të tjera. Si nisën udhëtimet e tyre të shpeshta me Kombëtaren... Madje edhe ato të tifozëve”

 Viti 1996 ... “Në Kishinjau, Shqipëria mundi Moldavinë me rezultatin 3-2. Për herë të parë, futbolli ynë ka arritur një fitore jashtë fushës së tij në aktivitete të tilla zyrtare, për eliminatore të Kampionatit Evropian dhe ato Botërorë, që përbën edhe një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e këtij sporti”. Ky është rrëfimi i radhës që gazetari Ahmet Shqarri paraqet për lexuesit e “Albanian Free Press”, në vazhdën e kujtimeve të tij, këtë herë, mbi udhëtimet e tij me Kombëtaren. “Udhëtimi im me kombëtaren ka nisur për herë të parë me një avion charter që shkonte për në Vilnius, ku ajo do të luante për eliminatorët e Kampionatit Botëror ndaj përfaqësueses së Lituanisë. Ishte 14 prill i vitit 1993”, shton mes të tjerash ai...

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

“Udhëtimi im me kombëtaren ka nisur për herë të parë me një avion charter që shkonte për në Vilnius, ku ajo do të luante për eliminatorët e Kampionatit Botëror ndaj përfaqësueses së Lituanisë. Ishte 14 prill i vitit 1993 dhe në avion kishte përfaqësues nga media të ndryshme, ku binte në sy veçanërisht temperamenti i Robert Papës, që me kolegun e tij Lirim Zalla dhe me operatorin së RTSH-së, Ylli Agovi, kishin marrë përsipër regjistrimin dhe transmetimin jo vetëm të ndeshjes, por edhe të sferave të tjera të jetës në atë vend, që siç thoshte Papa, i ruante ende gjurmët e komunizmit stalinist. Ishte edhe Bashkim Tufa i “Sportit”-t që për shumë kohë luante rolin e analistit për ndeshjet e futbollit në emisionet e Radio-Tiranës. Kishte edhe të tjerë, ku të gjithëve u pati bërë përshtypje mbërritja në Vilnius në atë mbrëmje të vonë. Muzgu i errët i jepte më shumë zymti aeroportit, hyrja e të cilit me ato kolonat e larta dhe me harqet e gurtë na kujtojnë fragmente ndërtesash në bllokun “Agimi” në Tiranë, si dhe portikun e Kombinatit të Tekstileve po në kryeqytet, që ishin ndërtuar në kohën e sovjetikëve. Ishte udhëtimi i parë me Kombëtaren, që edhe atë ndeshje të radhës jashtë fushës së saj e humbi. Me një formacion ku luante në portë Kapllani dhe pastaj emra të tjerë si Dema, Shulku, Taho, Ocelli, Kushta, Peqini, Demollari, Dosti, Dalipi, Bano dhe Fortuzi, trajneri Bejkush Birçe atë natë pas asaj humbje 3-1 në Vilnius ndaj Lituanisë, ku golin e vetëm për ne e shëqnoi Demollari, nuk kishte se si të mbetej i kënaqur. Megjithatë, në intervistën  tjetër që i mora trajnerit Xheki Çarlton të Irlandës, i pranishëm në stadiumin “Zhalgirs”, (sepse skuadra e tij bënte pjesë në grupin tonë), ai pati thënë se Shqipëria është më e fortë në fushën e saj. Por nuk do të kalonte shumë dhe do të vinte edhe  fitorja e parë jashtë vendit...

 

***

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që kombëtaren ta shoqëronin kaq gazetarë sa atë ditë, kur po fluturonin për në kryeqytetin e Lituanisë. Situatat e reja politike pas viteve ’90, shkatërrimi i perdes hermetike që ndante Shqipërinë nga bota, bënë që të lehtësohej së tepërmi edhe kontakti i gazetarëve tanë me ata të vendeve të tjera. Por mbi të gjitha, ishte një faktor tjetër i rëndësishëm ai që bëri të mundur atë udhëtim të parë, por edhe të tjerët që erdhën më vonë të një grupi gazetarësh ne drejtim të atij vendi aq të largët, siç ishte Lituania. Federata Shqiptare e Futbollit nisi t’i bënte më mirë llogaritë e saj. Kështu që në vend të prenotimit të biletave për linja të ndryshme të avionëve nga ku duhej të udhëtonin, futbollistët e përfaqësueses sonë, që luanin nëpër vende të Evropës, angazhoi një avion charter, që i kushtonte më lirë. Dhe në atë avion, si dhe në të tjerë më vonë, ku luante kombëtarja, vendet që mbeteshin bosh nga lojtarët dhe anëtarët të delegacionit, filluan të mbusheshin  me gazetarë, të cilëve ky udhëtim ua kursente biletën. Kjo metodë është ndjekur disa herë, duke u rritur gjithnjë e më tepër numri i gazetarëve që vazhdojnë ta shoqërojnë Kombëtaren. Madje nëpër këta avionë charter, shpesh kanë udhëtuar edhe mjaft tifozë, shumica e të cilëve biznesmenë, që kishin dhe kanë mundësi për të përballuar shpenzimet e qëndrimin nëpër vendet ku luan Kombëtarja. Megjithatë, jo gjithmonë avionët charter kanë qenë “goma e shpëtimit”, sepse disa herë udhëtimet për atje ku luante Kombëtarja janë bërë me linja të ndryshme ajrore, sipas interesave financiare të Federatës dhe kështu gazetarët janë detyruar të ndjekin linja të tjera, duke përballuar vetë shpenzimet e udhëtimit për në Gjermani, Bullgari, Maltë, Slloveni, e ndonjë vend tjetër. P.sh. kështu është vepruar, si në Greqi, kur tërmeti i 1999-ës bëri që ndeshja atje të mos luhej dhe gazetarëve, bashkë me të tjerët që kishin ardhur të ndiqnin lojën e Kombëtares sonë, u shkua dëm biletat e atij udhëtimi... Sidoqoftë, këto udhëtime, kush më shumë e kush më pak, kanë lënë mbresa dhe emocione të cilat janë kushtëzuar nga lojërat e kombëtares sonë, nga niveli i paraqitur prej futbollistëve, profesionalizmit i të cilëve, për të qenë realist, nuk ka qenë gjithnjë i pëlqyeshëm.

 

***

Fitorja e parë jashtë fushës sonë ...

Futbollistët e Kombëtares sonë gjatë eliminatorëve për Evropianin ’96, kishin shkelur më parë ishullin britanik, kur patën luajtur në Uells. Pa u shoqëruar nga gazetarë, ekipi qe kthyer nga Uellsi me bindjen se ishte paraqitur mirë, megjithëse kishte humbur. Vetëm kaq. Informacioni i mëtejshëm për shqiptarët, që rrallë e shkelin atë vend, mungonte krejtësisht. Ka munguar madje jo vetëm ky informacion, por gjithçka që mund të flitet e të shkruhet për një vend ku regjistrohet një histori prej shqiptarëve, qofshin ata futbollistë. Kështu, edhe pse u tha e vazhdon të thuhet se atë ditë në Uells kombëtarja jonë luajti mirë, por nuk pati fat, e gjithë kjo dukej si diçka imagjinare, sepse në fund të fundit atje s’kishte qenë prezentë fjala dhe pena e gazetarit. Ndryshe ka ndodhur në ndeshje të tjera, duke filluar nga Vilniusi me Letoninë, apo me Gjermaninë në Kaizerslautern, pastaj me Gjeorgjinë në Tbilisi. Tashmë gazetarët po vazhdonin udhëtimin edhe në Kishiniev, Kishinjovo apo Kishinau, siç përmendet në disa variante emir i kryeqytetit të  Moldavisë, jo vetëm nga të huajt, por edhe nga vetë vendasit.

 

***

Duke ditur e dëgjuar jo shumë, për të mos thënë fare pak për Moldavinë, udhëtimi për atje ngjante pak si me një aventurë. “Eskorta” e gazetarëve po bëhej si diçka e zakonshme në shoqërimin e ekipit Kombëtar të futbollit, duke u shtuar në numër nga ndeshja në ndeshje. Kështu po ndodhte edhe këtë herë për në Moldavi. Charter-i i kompanisë ajrore bullgare, i vënë në dispozicion të shqiptarëve që shkonin në Moldavi, më shumë se futbollistë dhe drejtues të ekipit, këtë herë ishte i pushtuar nga gazetarë, por edhe nga tifozë, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, në asnjë vend ku ndonjë ekip i futbollit shqiptar kishte pasur rast që të luante. Prandaj dhe  “zbarkimi” i shqiptarëve atë ditë të 6 qershorit 1995 në aeroportin e Kishinievit ishte diçka e veçantë. Udhëtimi nga Tirana në tokën moldave është përshkuar thuajse me një frymë, se pas një orë e gjysmë fluturim kemi parë të na shfaqet poshtë nesh një reliev i butë dhe krejt i gjelbëruar. Ato tre ditë në kryeqytetin moldav, ne i kaluam midis mbretërisë së gjelbërimit! Pemë nga llojet nga më ndryshmet, ku sidomos arra dhe bliri që dominonin, i jepnin Kishinjevit me ato rrugë të bukuradhe të gjera që shndrinin nga pastërtia, një hapësirë dhe frymëmarrje, që besoj se rrallë mund të ketë qytet tjetër. Midis këtij gjelbërimi ndodheshin edhe hotelet, apo ndërtesa e mëdha të stileve nga më të ndryshmet, ku nuk mungonte “Grataçeli” 30-katësh, as magazinat e mëdha me shkallë lëvizëse, as teatri i operas dhe ai kombëtar me portikë  të lartë në hyrje, si ato të kohërave antike; “Harku i Triumfit” i ndërtuar që më 1846-ën dhe deri te monumentet e panumërta, përjetësonin ngjarje të rëndësishme dhe njerëz të ndritur të atij vendi, ku padyshim vendin kryesor e zinte ai i Carit të Madh Stefan, i cili 500 e ca vjet më parë sundonte Besarabinë. E të gjitha këto, të zhytura nën një gjelbërim të thellë e të freskët. “Dacha”, hoteli  ku do akomodohej ekipi ynë kombëtar zinte një hapësirë jo të vogël mes njërit prej parqeve të shumtë të kryeqytetit moldav. Aty pranë ndodhej edhe “Seebeco”, hoteli tjetër ku na thanë se kishte qëndruar ekipi përfaqësues i Gjermanisë, që pati fituar pikërisht aty në Kishiniev 3-0, “aq sa ç’na mundët ju në Tiranë”, siç na thanë disa të rinj që kishin ardhur aty enkas për t’u marrë autografe sportistëve tanë. Sidomos kërkesa kishte për Demollarin, që mesa duket moldavët e njihnin po aq sa edhe rumunët, për të cilët ai ka luajtur dhe ka shkëlqyer për aq kohë sa u aktivizua me “Dinamo”-n e Bukureshtit. Por kërkesa kishte edhe për Strakoshën, për Kushtën, për Rrakllin, ndërkohë që ekstravagant në paraqitjen e tij, portieri ynë Blendi Nallbani kishte mbledhur shumë simpatizantë rreth vetes. Sapo është akomoduar në “Dacha”, trajneri Neptun Bajko, me ndihmësin e tij Hito Hitaj, së bashku me futbollistët kanë marrë përsëri autobusin, këtë herë për të shkuar në stërvitje në stadiumin “Republican”, më i madhi i vendit, ku 24 orë më vonë do të zhvillohej ndeshja, që do të regjistronte një rezultat historik për futbollin shqiptar. Për hir të së vërtetës, dua të them se nga të gjithë ata shqiptarë që erdhën me charter në Moldavi, stërvitjen e ekipit tonë atë natë e kam ndjekur vetëm unë me Mikel Jankun dhe teknikun e Radio-Tiranës, Fatmir Dizdari. Të 17 lojtarët në dispozicion të Bajkos atë lirshmëri dhe siguri që e kishin shfaqur që nga aeroporti i Rinasit dhe gjatë udhëtimit po e shfaqnin edhe në atë stërvitje, që trajneri po bënte në prag ndeshjeje. E ndërsa stërvitja vazhdonte, takojmë drejtuesit e stadiumit, prej të cilëve mësojmë se në Kishinjev ka edhe një stadium tjetër, i quajtur “Dinamo”, që ka një kapacitet prej rreth 5 mijë spektatorësh ndërkohë që “Republican” pranon 19.000 spektatorë të ulur. Mësojmë gjithashtu prej tyre po edhe prej gazetave që morëm atë mbrëmje për atmosferën e ballafaqimit Moldavi-Shqipëri. Nga ato që shkruheshin, të mbetej në mend njëri prej artikujve ku thuhej se n.q.s. Moldavia edhe këtë herë do të humbte, atëherë për drejtuesit e ekipit të saj nuk kishte alternativë tjetër veç asaj të dorëheqjes. Pas stërvitjes, ekipi përsëri përmes gjelbërimit nga stadium është kthyer në “Dacha”.

 

***

Ndryshe nga ç’na priti më 6 qershor, të nesërmen Kishinjevi i gdhi i vrenjtur dhe gjatë paradites ra edhe pak shi që i  dha më tepër shkëlqim, sesa dielli i djeshëm gjelbërimit të qytetit. Secili sipas mënyrës së tij po përjetonte një ditë të veçantë në kryeqytetin moldav. Shumë prej moldavëve, që për aq pak sa i pamë dhe i njohëm, ishin tepër të thjeshtë dhe shumë njerëzorë lëviznin me shporta të mbushura me lule ose dikush vetëm me një buqetë në dorë. Dhe midis këtyre njerëzve për një çast të dukej vetja se ishe në Shqipëri kur aty-këtu nëpër rrugë takoje mjaft shqiptarë, që siç na thanë kishin ardhur aty për tregti. Duke folur shqip, i pari që na njohu ishte Sulejmani nga Gjakova, prej të  cilit mësuam se kalonte shpesh nëpër Moldavi, pasi merrej me biznes.

Atë ditë në Kishinjau, Shqipëria e ka mundur Moldavinë  me rezultatin 3-2. Kombëtarja jonë arriti kështu fitoren e dytë në grupin e 7-të eliminator të kampionatit Evropian të futbollit. Për herë të parë, futbolli ynë ka arritur një fitore jashtë fushës së tij në aktivitete të tilla zyrtare, për eliminatore të Kampionatit Evropian dhe ato Botërorë, që përbën edhe një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e këtij sporti ku autorët e golave Sokol Kushta dhe Arjan Bellai me Rudi Vatën ishin protagonistët kryesorë të asaj ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme.

 

Kampionati i Evropës në volejboll për femra, 1989

“Kur vajzat tona ndesheshin me ekipin sovjetik “Uralçka”

“Kujtoj finalet e Kupës së Kampionëve të Evropës në volejboll për femra, zhvilluar në Forli të Italisë në vitin 1989, ku “Dinamo”-ja e Kreshnik Tartarit pati zënë vendin e tretë ndërmjet katër finalistëve, duke mundur ekipin francez “Rasing” të Parisit. E kujtoj atë ngjarje, sepse ndeshjet e luajtura të skuadrës sonë i kam transmetuar drejtpërsëdrejti, duke u lidhur me Radio-Tiranën, në çastet kur loja i afrohej fundit. Dhe çasti më i vështirë në atë transmetim ka qenë kur u përballëm me ekipin sovjetik “Uralçka”, gjë që ndodhte për herë të parë pas 30 vjet të prishjes së marrëdhënieve tona me BS-në. Them i vështirë, sepse para nisjes për në këto finale, kur dihej se merrte pjesë dhe një ekip rus, asnjë nga drejtuesit e atëhershëm nuk na pati dhënë ndonjë porosi si të vepronim. Megjithatë, sikur të mos ishte përfaqësuesja e një “shteti armik”, kronika e kësaj ndeshje që luajti “Dinamo” u dha pa asnjë ngjyrim emocional, aq më tepër, se kundërshtari atë ditë na mundi me rezultat të thellë”.

 

INCIDENTI

“Tërmeti i 1999-tës në Athinë, ndeshje mes lëkundjeve të forta”

“Një ngjarje tronditëse ka qenë ajo e 7 shtatorit 199, kur do të luhej ndeshja me Greqinë për eliminatoret e kampionatit Europian të Futbollit. Atë ditë, tërmeti i tmerrshëm që goditi Athinën duke shkatërruar tragjedi në kryeqytetin grek, bëri që ndeshja të nesërmen të mos zhvillohej. Por me këtë rast, megjithatë nuk kam si të mos kujtoj paradoksin e asaj dite kur ndeshja e skuadrave “Shpresa” sidoqoftë u zhvillua. Kështu, në stadiumin “Karaiskaqis” të Pireut, edhe pse nën dridhjen e vazhdueshme të tërmetit që nuk pushonte, kemi ndjekur gjithë atë lojë që tanët e humbën 5-2, ndërkohë që futbollistët e Kombëtares sonë, duke iu trembur lëkundjeve të tërmetit, në panik braktisën dhomat komode të Hotel-Chandris ku ishin akomoduar dhe preferuan barin e lulishteve aty pranë për të kaluar jashtë në natyrë atë natë të frikshme e plot makth...”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: