Fatmir Xhafaj “sfidë” opozitës: “Tani që nuk do të jem në detyrë provoni akuzat e bëra ndaj meje si ministër”

Fatmir Xhafaj “sfidë” opozitës: “Tani që nuk do të jem në detyrë provoni akuzat e bëra ndaj meje si ministër”
Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka bërë një tjetër reagim pas dorëheqjes së tij, duke deklaruar se ka marrë me qindra mesazhe vlerësimi dhe respekti për punën e bërë, nga qytetarët, por edhe miq e partnerë me të cilët ka punuar.

“...Një pjesë e madhe nga socialistë, me të cilët kam bërë rrugë të gjatë në jetën time. Shumica dërrmuese e mesazheve nga njerëz të panjohur prej meje.

Ju jam sinqerisht mirënjohës për këto mesazhe inkurajuese. I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua.

Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër.

Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo”, shkruan Xhafaj.

/l.k./

Foto Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: