EUROPA E KËNAQUR – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI

EUROPA E KËNAQUR – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Europa” - domethënë Bashkimi Europian - është e kënaqur me ne, me Shqipërinë. Hera më e fundit kur BE-ja na çoi fjalë se “jemi të kënaqur”, ishte pasditja e së premtes. Shefi i Komisionit të Zgjerimit, Hahn, u shfaq shumë i kënaqur, madje edhe me pamje më të kuruar se herë të tjera, në krah të një ministre shqiptareje dhe tha se “BE-ja është e kënaqur” me arritjet e Shqipërisë, mbi reformën e Drejtësisë... Nuk është hera e parë që, “Europa” shfaqet e kënaqur me situatën këtu; madje, në historinë e re mes “aspirantes” Shqipëri dhe “kontinentit të vjetër” ka ulje-ngritje të ndjeshme të kënaqësisë dhe pakënaqësisë.

Kësaj here ndodhi që, “kënaqësia” e BE-së u përplas me ne për një çështje që shqiptarët janë thellësisht të pakënaqur. Drejtësia që kënaq “Europën”, po iu nxin jetën qytetarëve shqiptarë.

Kënaqësia e “Europës” ka formën e rrathëve - jo të “Dantes”- sigurisht, por si rrathët e gurit në xhol:

Rrethi i parë

Çështje nëpunësish eurokratë, nuk po them “çështje kancelarish”... Po të ishin kancelaritë që manifestojnë “kënaqësi” edhe në kohë kolere - ndaj nesh - kjo e keqe do të ishte pak më serioze. Ajo ka ndodhur në momentet e historisë sonë, kur vendi quhej një “black hole” dhe historia mban mend padrejtësitë e kancelarive të mëdha europiane, që ndanë edhe territoret e kombit...

Por kësaj here është fjala për “rrathë” më të ulët që shkaktohen nga nëpunës të vegjël të eurokracisë. Komisioneri Hahn është i fundit që foli “i kënaqur”për drejtësinë; para tij, disa kanë folur shumë keq, disa mesatarisht e disa edhe të kënaqur. Tani është momenti kur të gjithë eurokratët janë të gatshëm të thonë se, “nuk ka parajsë drejtësie si në Shqipëri”. Ata as e kanë mendjen vërtet se si është puna me ne; ata e bëjnë rrethin rrotull vetes. Eurokratëve tani u duhet patjetër të dëshmojnë se Shqipëria kishte “suksese” gjatë mandatit të tyre. Për shtatë muaj në Europë, nis fushata e zgjedhjeve për në Parlamentin Europian, ku do të krijohet edhe Komisioni, edhe Këshilli, edhe Byroja... Të gjithë eurokratët e tanishëm do të shkunden; por qëllimi është që prapë të “lëshojnë rrënjë” në vendet ku janë. Kjo është arsyeja pse Shqipëria “ka suksese”, sukseset tona çmohen si “të nëpunësve europianë”. Kush do të rrojë në zyrat e BE-së, do të na çmojë si “kënaqësi”!

Rrethi i dytë

BE-ja ndodhet në krizën më të madhe që ka ndodhur në historinë e saj 70-vjeçare. Disa studiues parashikojnë shpërbërjen e BE-së, brenda një periudhe jo të gjatë; disa të tjerë e shikojnë “të rinovuar” sipas parimeve të tjera nga këto që aplikuan liberalët europianë. Përplasja mes thelbit konservator sovranist  të Europës dhe deformimeve liberale majtise, tani ndodhet në fushë: Disa kombe europiane kanë kundërshtuar politikat aktuale të emigracionit, praktikat e “kufijve të hapur”, “burokracinë e stërmadhe europiane”, globalizmin në vend të sovranitetit të kombeve, etj. Harta e sovranistëve po përfshin Europën. Klarkët e BE-së, të ndodhur para një pesimizmi të thellë përballë lëvizjeve djathtise, nuk kanë si gjejnë optimizëm në vendet anëtare të BE-së. Atëherë, “adrenalina” gjendet në vende si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, etj. Kësaj here, BE-ja ishte “e kënaqur”me Shqipërinë... Por nuk kishte lidhje me ndonjë realitet...

Rrethi i tretë

Ka sinjale të sjelljeve perverse politike. Prej kohësh, institucionet e BE-së dhe ambasadorët e tyre nuk kanë interesim mbi demokracinë, mbi të drejtat e individit, mbi pakicat etnike, politike ose religjioze, etj. Marrëdhënia me kombet është ngushtuar brenda rrathëve të ngushtë: Cilët liderë janë të bindur edhe verbazi ndaj nëpunësve të “Europës”; cilët i përkasin shkollës liberale majtiste të George Soros; cilët përbëjnë rrezik, nëse aplikojnë idetë e kombeve sovrane...

Deri këtu rrethi nuk është edhe aq i ngushtë. Pak më tej, ngushtohet më shumë: Eurokratët veprojnë “nën gju” për t’i lidhur liderët tanë pas vetes. Shikoni që këtu nuk kemi opozitë dhe këtë e themi njëmijë herë në ditë... Pse? Edhe sepse “Europa” ka interesa të nëndheshme, që t’i ketë njësoj dhe së bashku si qeverinë edhe opozitën... Kësaj here BE-ja qe “e kënaqur” me Drejtësinë, nesër do të jetë “e kënaqur” me opozitën..., e me radhë.

Rrethi i interesave ngushtohet edhe më shumë: Eurokratët të mbetur “pa ujë” me politikat mbi emigracionin, po iu vijnë rrotull planeve të tmerrshme për të instaluar kampe emigrantësh afrikanë në vendin e varfër Shqipëri... Ndërkohë, bëjnë lidhjen tjetër që liderët tanë të jenë “të kënaqur”: Eurokratët, ose u premtojnë këtyre ardhje në pushtet dhe qëndrim në pushtet, ose i kërcënojnë duke pranuar në BE disa “të arratisur” nga policia, nga SHISH, nga burgjet, nga trafikimi..., që herë pas here i nxjerrin mbi ujë: “Ja ku i kemi!”...

Sot për sot, “Europa” i ka në dorë të gjithë rrathët e “kënaqësisë”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: