EUROBONDI/ Shqipëria del në tregjet e huaja për 500 milionë euro, përplaset politika

EUROBONDI/ Shqipëria del në tregjet e huaja për 500 milionë euro, përplaset politika
Shqipëria doli dje në tregjet ndërkombëtare për të siguruar një huamarrje të re prej 500 milionë eurosh, përmes emetimit të Eurobondit të ri, me afat maturimi 5-7 vjet. Shigjeton opozita: Qeveria po merr borxh për të shlyer borxhe, duke mos bërë asnjë investim! Reagon ministri Ahmetaj: Kur erdhëm në qeveri, gjetëm borxhe. Kryeministri Rama: Eurobondi? Tregjet u përgjigjën qartë!

Shqipëria doli dje në tregjet ndërkombëtare për të siguruar një huamarrje të re prej 500 milionë eurosh, përmes emetimit të Eurobondit të ri, me afat maturimi 5-7 vjet.

Kjo u bë me dije zyrtarisht nga ministria e Ekonomisë dhe Financave, sipas së cilës ky pritet të jetë një test i rëndësishëm për Shqipërinë.

“Pas një jave intensive takimesh me investitorët në disa prej qendrave kryesore financiare europiane, sot pritet finalizimi i një procesi të rëndësishëm për ekonominë dhe financat shqiptare, dhe kredibilitetin e vendit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit”, konfirmuan drejtuesit e saj. Duke shtuar se “një afat 7-vjeçar maturimi, për herë të parë për Shqipërinë, do të ishte një arritje e rëndësishme që reflekton drejtpërsëdrejti rritje të besimit të investitorëve tëhuaj në ekonominë dhe financat e vendit. Po kështu, në diferencë nga viti 2015, Eurobondi i ri pritet të rezultojë me interesa më të ulëta”.

Më tej, u sqarua se huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015.

Ndërkaq, ky lajm është komentuar në mënyra të ndryshme nga kampet e politikës vendase.

Përfaqësuesja e opozitës, Jorida Tabaku, akuzoi publikisht se qeveria po merr borxh për të shlyer borxhe, duke mos bërë asnjë investim.

“Pa asnjë investim, pa rrugë, pa shkolla, pa spitale me taksa të rritura 4 miliardë e prapë merr borxh për të shlyer borxhin. Merr borxh për të shlyer borxhet që mori 4-vjeçarin e parë, parà që i përdori për luks e udhëtime, pisha dhe palma!”, akuzoi Tabaku.

Por ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të saj, duke i kujtuar se të majtët e gjetën pushtetin plot me borxhe të trashëguara nga të djathtët. Kurse nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e ka komentuar daljen në tregje për Eurobond të ri, duke pohuar se tregjet u përgjigjën qartë dhe sot vendi shihet si një vend i sigurt për investime.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: