"Dosja Babalja", nën akuzë për kallëzim të rremë edhe deputeti demokrat Salianji

"Dosja Babalja", nën akuzë për kallëzim të rremë edhe deputeti demokrat Salianji
Përveç Albert Veliut dhe Jetmir Olldashit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vënë nën hetim edhe deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji nën akuzën e "Kallëzimit të Rremë".

I konsideruar “Dëshmitari X” ose Babalja si dhe gazetari Jetmir Olldashi akuzohen se kanë manipuluar videon midis Veliut dhe vëllait të Ministrit të Brendshëm, Agron (Geron) Xhafaj.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deputeti demokrat ka shërbyer si "ndërmjetës" për video-përgjimin, për të cilën mazhoranca thotë se është e inskenuar. Sipas Prokurorisë, nga përgjimet ka rezultuar se deputeti Salianji do të jepte 200 mijë euro për videon.

"Ky shtetas (Fredi Alizoti) ka deklaruar që shtetasin Albert Veliu (Babalja) e njihte prej 20 vitesh. Rreth muajve Tetor - Nëntor të vitit 2017, ai i kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi ai nuk e afronte.

I kishte ofruar që të bënin një regjistrim dhe shtetasi Fredi të hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj.

Për këtë shërbim “Babalja”, i kishte thënë që do të merrnin 200.000 euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte shtetasi Agron Xhafaj.

Sipas deklaruesit,“Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100.000 euro dhe zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me Babalen, ishte zëri i tij. Babalja deri në këto momente nuk i ka dhënë asnjë lek", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: