Dhuna ndaj grave, regjistrohen 2 mijë raste në 8 muaj

Dhuna ndaj grave, regjistrohen 2 mijë raste në 8 muaj
Kryesisht janë gratë që kërkojnë urdhër mbrojtje nga burrat, pasi këta të fundit kanë ushtruar dhunë fizike ose psikologjike. Por në disa raste të tjera edhe vajzat kërkojnë urdhra mbrojtje nga babai. Shkaqet e dhunës në familje janë për disa arsye, ku më kryesori mbeten kushtet ekonomike. Pjesa më e madhe e denoncimeve për dhunën në familje përfshijnë shkaqe për mungesë të ardhurash, humbjen e lekëve bixhoz por edhe tradhtinë.

Sonila Isaku

E ndërsa rasti i Xhisila Malokut është ai më i përfoluri gjatë këtyre ditëve, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj nga ish i dashuri, në Ditën Botërore të Dhunës rezultojnë se në vendin tonë ka shifra alarmante ndaj grave që dhunohen. Të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se në muaj rreth 2 mijë gra kanë denoncuar dhunën e ushtruar nga burrat. Duke iu referuar të dhënave të Policisë shqiptare, janë identifikuar rreth 2 mijë raste të dhunës në familje. Më shumë se 1600 urdhra mbrojtje të menjëhershme janë lëshuar për rastet e dhunës. Kryesisht janë gratë që kërkojnë urdhër mbrojtje nga burrat, pasi këta të fundit kanë ushtruar dhunë fizike ose psikologjike. Por në disa raste të tjera edhe vajzat kërkojnë urdhra mbrojtje nga babai. Shkaqet e dhunës në familje janë për disa arsye, ku më kryesori mbeten kushtet ekonomike. Pjesa më e madhe e denoncimeve për dhunën në familje përfshijnë shkaqe për mungesë të ardhurash, humbjen e lekëve bixhoz por edhe tradhtinë.

Por shqetësimi më i madh për Policinë, mbetet fakti se shumë gra tërhiqen nga denoncimi për dhunën në familje, disa herë në komisariat ose para gjykatës. Kjo bën që shumë burra të cilët dhunojnë gratë të mos dënohen. Denoncime për dhunën në familje nuk bëjnë vetëm gratë. Sipas të dhënave nga Policia janë 3 raste në Shqipëri kur burrat kanë kërkuar urdhër mbrojtje nga gratë. Kodi Penal parashikon dënim deri në 3 vite burg për rastet e dhunës në familje, ku në shumicën e rasteve ata që janë dënuar kanë qene burrat.

Rasti

“Mora guximin se nuk durohej me ajo diktaturë, shkova në Komisariatin e Policisë dëshmova gjithë vuajtjet që kanë ndodhur në 18 vjet, tmerret që kanë përjetuar me atë lloj personi”. Kjo është një nga ato historitë e regjistruara në polici, ku një grua 35 vjeçare ka bërë ndaj bashkëshortit të saj, denoncim i cili është shoqëruar edhe me një urdhër-mbrojtje.  “E kam denoncuar po shumicën e rasteve ka mbetur si denoncim pa raport mjekësor, thjesht kam bërë denoncim e kam tërheq direkt, që të qartësoheshin gjërat po asnjë gjë su sheshua, as nuk e përmirësua, por luftë çdo ditë e më keq” tregon 35 vjeçarja Monda K. Për të është e vështirë të jetojë edhe në këto kushte pasi pamundësia e një banese veçmas dhe të ardhurave të mjaftueshme e bën atë që të jetojnë nën të njëjtën ëati me bashkëshortin, për të cili policia ka përcaktuar urdhrin e mbrojtjes dhe duke i ndaluar të afrohet 35 vjeçares. Si Monda janë edhe 8 mijë raste të tjera të regjistruara në vendin tonë të cilat kanë marrë guximin te denoncojnë, ndërkohë që ka me mijëra të tjera të cilat ende nuk e kanë marrë këtë hap.

Ndryshimet në ligjin për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare kane bere te mundur, qe grave te dhunuara tu sigurohet mbrojte e menjëhershme, duke përfshirë edhe fëmijët edhe pse ato mund të mos jenë objekt i dhunës.

 

Ndryshimet ligjore

Të gjendur përballë këtyre rasteve Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale muajt e fundit bëri ndryshimet ligjore duke ashpërsuar masat kundër personave që ushtrojnë dhunë në familje apo ndaj çdo personi tjetër, me të cilin dhunuesi është në lidhje afektive, ndërsa shton kategoritë që përfitojnë mbrojtje të menjëhershme.  Ndryshimet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale plotësuan një sërë  boshllëqesh që kishte ligji i mëparshëm për masat emergjente të mbrojtjes. “24 orët e para pas denoncimit të dhunës janë shpesh vendimtare për gratë që përballen me dhunën në familje, ndaj  aktivizimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes nga policia e shtetit, deri në konfirmimin e tij nga gjykata është i rëndësishëm” ‘ pohoi pak javë më parë Ministrja Manastirliu sa i takonte ndryshimeve ligjore. Për herë të parë, ligji kundër dhunës parashikon ngritjen e qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave të dhunës në familje si dhe ngritjen e strukturave trajnuese për dhunuesit, të cilët kryesisht janë burrat. Këto struktura trajnuese duhet të ngrihen nga pushteti vendor. Nisma ligjore parashikon që gjykata urdhëron dhunuesin apo dhunuesin që të marrë pjesë në programe të aftësimit prindëror, rehabilitimi dhe psiko-sociale, të organizuara nga subjekte publike ose private.

Gjithashtu, ligji ri parashikon marrjen e masave për të parashikuar programe për arsimimin parauniversitar e profesional të të miturve dhe të rinjve nga 18 deri në 21 vjeç, që janë dhunues, dhe të të miturve që janë viktima, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin dhe rishoqërizimin e tyre.

 

Kategoritë që përfitojnë nga ndryshimi i fundit ligjor

 

-Bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish–bashkëshorti/ja apo ish partneri/ja bashkëjetues;

-Vëllezërit, motrat, përfshirë, sipas rastit, edhe bashkëshortin/en ose bashkëjetuesin/en e tyre, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe motrave, nëse janë anëtarë të njësisë shtëpiake;

-Paraardhësit dhe pasardhësit në vijë të drejtë, pa kufizime, përfshirë edhe rastet kur kjo marrëdhënie krijohet nëpërmjet birësimit;

-Prindërit dhe fëmijët e bashkëshortit/es ose të bashkëjetuesit/es, përfshirë edhe fëmijët e birësuar prej tyre.

-Gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e adoptuar të bashkëshortit/es  ose bashkëjetuesit/es;

-Kujdestari dhe personi që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria, sipas përcaktimeve të kujdestarisë mbi të miturit dhe personit që i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar sipas dispozitave të Kodit të Familjes.

-Vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit/es nëse kanë bashkëjetuar gjatë 3 muajve të fundit;

-Fëmijët e bashkëshortëve apo partnerëve bashkëjetues;

-Personat, të cilët janë në lidhje afektive në çift, jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje;

 

 

Fakte mbi dhunën ndaj grave

70% e grave përjetojnë dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim në një moment gjatë jetës së tyre

Dhuna kundër grave mund të parashikohet dhe të parandalohet

Dhuna ndaj grave mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e grave

Dhuna ndaj grave mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve

Dhuna kundër grave rrit gjasat për t’u infektuar me HIV

Dhuna ndaj grave ndikon seriozisht zhvillimin ekonomik

Burrat të cilët kanë qenë viktima të keqtrajtimit në fëmijëri, kanë 3-4 herë më shumë gjasa për të kryer dhunë ndaj partnerit intim

Përdorimi i dëmshëm i alkoolit nga burrat rrit gjasat e dhunës ndaj partnerit

Dhuna seksuale është e përhapur në vendet e konfliktit, pas konfliktit dhe gjatë shpërnguljeve me dhunë

Programet që rrisin aksesin e grave në mikrokredi dhe trajnojnë njerëzit për marrëdhënie të shëndetshme e aftësi negociuese, mund të parandalojnë dhunën ndaj grave

Programet shkollore mbi dhunën mund të parandalojnë dhunën kundër grave

Angazhimi i burrave dhe djemve në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe promovimin e barazisë gjinore mund të ketë efekte pozitive

Organizata Botërore e Shëndetësisë jep udhëzime sesi të zbatohen programe të bazuara në fakte për parandalimin e dhunës seksuale ndaj grave prej partnerit intim

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zhvilluar rekomandime për të mbështetur punonjësit e shëndetësisë për të adresuar pasojat e dhunës seksuale

Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet kërkime mbi kuptimin dhe parandalimin e dhunës seksuale

.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: