BSH: Largimi i bankave? Nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, është një proces i lirë

BSH: Largimi i bankave? Nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, është një proces i lirë
Dukuria e largimit të bankave nuk është një fenomen që po ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin. Ai në fund të fundit mbetet një proces i lirë dhe që nuk është shoqëruar aspak me pasoja negative për vendin tonë. Një shpjegim të tillë ka dhënë dje rreth saj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa është pyetur nga gazetarët pikërisht mbi lëvizjet e fundit që kanë ndodhur në sistemin bankar të vendit tonë.

“Pas krizës, shumë nga bankat evropiane dhe që kanë filialet e tyre në vendet e Lindjes kanë qenë të detyruara ose të rrisin kapitalin, ose të vazhdojnë me procesin e zvogëlimit, pra të mbylljes të disa degëve ose filialeve të tyre në disa shtete. Dhe në mungesë të injektimit ose të gjetjes të kapitalit për të shtuar normën e mjaftuesh-mërisë së tij, këto banka janë detyruar të tërhiqen nga rajoni”, shpjegoi kreu i BSH-së.

Për më tepër sipas tij, që kjo situatë nuk ka qenë aspak e papritur.

“Si rregullator të sistemit financiar, ne kemi synuar që ky proces të shoqërohej me konsolidimin e sistemit bankar dhe në njëfarë mënyre ka dhënë rezultat pozitiv, pasi sot kemi dy banka të përthithura nga banka ekzistuese. Pra, në total ne sot kemi 14 banka, kundrejt 16 bankave që kishim më parë. Ky është një tregues pozitiv për  sistemin tonë bankar e financiar”, argumentoi më tej ai. Nga ana tjetër, ka theksuar se pala shqiptare po tregohet e kujdesshme dhe po monitoron zhvillimet edhe për ato banka që janë në procesin e tërheqjes.

“Çdo gjë është e monitoruar dhe e kontrolluar, nuk kemi asnjë surprizë. Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit është rritur edhe më tej, si pasojë e nivelit të lartë të përfitueshmërisë së bankave”, konkludoi Guvernatori, duke thënë se BSH-ja do të kontrollojë çdo aksioner të ri që do të hyjë në sistemin bankar të Shqipërisë.

 

Këshilli i Mbikëqyrjes i BSH-së ka miratuar së fundmi bashkimin me përthithje të bankës “Intesa Sanpaolo Albania” me “Veneto Banka”. Gjithashtu, miratimi paraprak u dha edhe për bashkimin me përthithje të Bankës Amerikane të Investimeve me bankën “NBG Albania”

 

“Eurobondi? Transaksion i suksesshëm! S’e rrit borxhin, vlerësim i ekonomisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e ka vlerësuar pozitivisht emetimin e eurobondit të radhës, prej 500 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare. Sipas tij, ky është një sukses dhe një vlerësues për gjendjen e ekonomisë shqiptare.

“Vlera e ofruar përtej kërkesës dhe interesat e ulëta për eurobondin e Shqipërisë janë një tregues tjetër i situatës ekonomike, që vjen nga tregjet ndërkombëtare dhe që i bashkëngjitet edhe vlerë-simeve të organizmave ekonomikë ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, apo Komisioni Europian”, tha ai.

Më tej, Sejko evidentoi se përfitimet janë të shumta ndërsa theksoi se nga ky emetim nuk do të ketë rritje të nivelit të borxhit publik.

“Ne u informuam përfundimisht për emetimin e eurobondit. Në fakt, ky është një sukses nisur si nga vlera e eurobondit. U ofruan mbi 1 miliard euro për emetimin e tij, pavarësisht se nevoja ishte për 500 milionë euro, pasi ne këtë synonim, qeveria shqiptare këtë synonte. Po ashtu, edhe norma e interesit është tregues i një mbyllje me sukses. Ky është tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare, nga tregjet e huaja ndërkombëtare”, shtoi ai.

 

 VENDIMET

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

- Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, 1.00%

- Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës 1-ditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.10%

- Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, prej 1.9%.

 

 “Mbiçmimi i kursit të këmbimit do të vazhdojë të ketë efekte në inflacion”

“Efekti frenues në inflacion i mbiçmimit të kursit të këmbimit do të vijojë të jetë i pranishëm dhe për disa tremujorë në vijim”. Kjo ka qenë një tjetër deklaratë e bërë dje nga kreu i Bankës së Shqipërisë. “Inflacioni shënoi vlerat 2.3% dhe 2.2%, respektivisht në muajt korrik e gusht, duke regjistruar një rritje të lehtë kundrejt nivelit mesatar prej 2.1%, të shënuar në gjashtëmujorin e parë të vitit. Rritja e inflacionit ka reflektuar forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, ndikimin direkt e indirekt të rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, si dhe çmimet e larta të produkteve ushqimore”, shtoi ai. “Nga ana tjetër, mbiçmimi i kursit të këmbimit ka frenuar presionet inflacioniste të importuara nga tregjet e huaja. Banka e Shqipërisë vlerëson se efekti frenues në inflacion i mbiçmimit të kursit të këmbimit do të vijojë të jetë i pranishëm dhe për disa tremujorë në vijim. Megjithatë, ky faktor frenues do të mbetet kalimtar dhe nuk do të cenojë përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm. Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2020”, argumentoi mes të tjerash Sejko.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: