BSH: Gjysma e bizneseve të zhytura në borxhe

BSH: Gjysma e bizneseve të zhytura në borxhe
Nuk janë pak, por rreth gjysma e bizneseve në vend, që kanë një borxh për të paguar. Një dukuri e tillë konfirmohet nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilëve, bëhet fjalë konkretisht për 42.5% të totalit të tyre, që u është dashur të marrin një borxh diku për të çuar para aktivitetin e tyre privat. Pjesa më e madhe e këtij borxhi, 88.2% e tij, rezulton se është marrë prej bizneseve pranë bankave, në formë kredie. Ndërsa pjesa tjetër, figuron të jetë marrë në rrugë të tjera alternative, qoftë edhe pranë të afërmve, apo të njohurve të sipërmarrësve. “Huamarrja, si burim më vete apo i kombinuar, është përdorur nga 21.1% e ndërmarrjeve të mëdha, 20.5% e ndërmarrjeve të mesme dhe 11.1% e ndërmarrjeve të vogla”, saktësojnë më tej ekspertët e BSH-së në Raportin e Stabilitetit Financiar, për 6-mujorin e parë të këtij viti. Duke treguar kështu raportin se sa më i madh të jetë një biznes, aq më i varur është ai nga të marrit borxh si i tillë. Dhe sa më i vogël, aq më i pavarur është prej tij. Dukuri kjo që vlen edhe për atë që quhet si borxh i ri, i krijuar pikërisht gjatë pjesës së parë të këtij viti. “Huamarrja e re, gjatë 6-mujorit, deklarohet nga 7.6% e ndërmarrjeve të vogla, 8.7% e ndërmarrjeve të mesme dhe nga 11.2% e ndërmarrjeve të mëdha”, citon BSH-ja. Por duket se kjo dukuri nuk shkon paralel me peshën që një borxh ka mbi aktivitetin e një biznesi. Pasi, sipas ekspertëve, sa më i madh të jetë ky i fundit, aq më pak i rëndon atij borxhi dhe e kundërta. Sa më i vogël të jetë një biznes, aq më shumë i rëndon një borxh që ka marrë diku, qoftë edhe në bankë, për të mundësuar funksionimin e duhur të aktivitetit të tij.

 

80% e bizneseve: Borxhi që kemi marrë, sa gjysma e kapitalit që kemi

“Vlera totale e borxhit rezulton afërsisht sa gjysma e vlerës së kapitalit të ndërmarrjes për 80% të totalit të atyre huamarrëse”. Ky është një tjetër fakt që konfirmohet në Raportin e Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të vitit. Duke shtuar se të analizuara sipas madhësisë, rezulton që ngarkesa e borxhit është më e lartë tek ndërmarrjet e mëdha. “Rreth 22.4% e tyre deklarojnë se vlera e borxhit është e barabartë, ose më e madhe se vlera e kapitalit”, saktësojnë ekspertët, lidhur me një dukuri të tillë. “Ndërsa pjesa më e madhe e ndërmarrjeve huamarrëse, rreth  75.3% e tyre deklarojnë se pagesa e huasë arrin deri në 20% të të ardhurave të ndërmarrjes dhe se kjo peshë ka rënë  krahasuar me 6-mujorin paraardhës”, pohojnë më tej ata. Duke përfunduar me faktin se rreth 74.2% e ndërmarrjeve  huamarrëse të vogla, 77.2% e atyre  të  mesme dhe 79.5% e atyre të mëdha, e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes për financimin e veprimtarisë. E thënë më thjesht, janë të kënaqur me paratë që kanë gjetur borxh, për të çuar para biznesin e tyre.

 

Bizneset e mëdha preferojnë të marrin borxh në euro, të mesmet dhe të voglat vetëm në lekë

Bizneset e mëdha që operojnë në vend, duket se preferojnë të marrin borxh në monedhën evropiane, euro, kurse ato të mesme dhe të vogla, kryesisht në monedhën vendase, lek. Kjo është një tjetër dukuri që ekspertët e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë në lidhje me ecurinë e të marrit borxh si i tillë nga bizneset në tërësi. “Huamarrja e ndërmarrjeve kryhet vetëm në  monedhën vendase për 44.4% të totalit të ndërmarrjeve të vogla, 51.2% të ndërmarrjeve të mesme dhe 40.3% të ndërmarrjeve të mëdha”, citojnë ekspertët bankarë, lidhur me këtë dukuri. “Huamarrja në monedhën evropiane ka një peshë më të madhe për ndërmarrjet e mëdha, përkatësisht për 44.9% të tyre, duke tejkaluar atë të monedhës vendase. Kjo huamarrje zë 41.3% për ndërmarrjet e vogla, ndërsa për ndërmarrjet e mesme zë 36%”, shtojnë ata. Për të përfunduar se huamarrja në dollarë amerikanë ka një peshë të vogël, duke mos i kaluar 7.9% të totalit dhe kjo kryesisht ndodh tek ndërmarrjet e vogla.

 

Bizneset që merren me tregti, marrin më shumë borxh

“Pesha e bizneseve huamarrëse është më e lartë në sektorin e  tregtisë, deri në nivelin prej 57.8% dhe në sektorin e  ndërtimit,  48.5%”. Ky është një tjetër pohim që bëhet në Raportin e Stabilitetit Financiar. Duke shtuar se “sektori i industrisë ka edhe peshën më të lartë të ndërmarrjeve që kanë një ngarkesë borxhi”. Ndërsa duke iu referuar kërkesës për  kredi nga ana e bizneseve, ata shtojnë se ajo mbetet gjithashtu e moderuar. “Më shumë se gjysma e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit, 50.3%, kanë deklaruar se nuk ka asnjë mundësi që të kërkojnë një kredi bankare në 6-mujorin e ardhshëm”, saktësojnë ekspertët. Duke përfunduar se kjo peshë rezulton në rënie për të tre llojet e bizneseve, qofshin këta të mëdhenj, apo të vegjël.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: