Bizneseve po u bien shitjet, s’po ia dalin me shpenzimet

Bizneseve po u bien shitjet, s’po ia dalin me shpenzimet
“Niveli i shitjeve dhe ai i rezultatit financiar shënojnë përkeqësim, duke zgjeruar bilancin negativ për të gjitha madhësitë e bizneseve”, pohon Banka e Shqipërisë

Ata po shesin më pak se më parë. Fjala është për bizneset në rang vendi, qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël, të cilët janë përballur gjatë pjesës së parë të këtij viti me më shumë vështirësi në aktivitetin e tyre privat. Dukuri kjo e konfirmuar nga Banka e Shqipërisë, në vrojtimin e saj të fundit mbi situatën financiare të tyre në tërësi, që mesa duket nuk paraqitet edhe aq pozitive, po të mendosh se janë përballur me më pak shitje. Fakt ky, që pasohet më tej edhe me tregues më pak optimistë të ecurisë së një biznesi si i tillë, siç është për shembull ai i pakësimit të shpenzimeve, uljes së pagave, etj.

“Bizneset e vogla kanë vlerësuar një rënie të nivelit të shitjeve të tyre, deri në nivelin prej -19.2% gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, duke treguar përkeqësim në krahasim me periudhat e mëparshme. Situata ka rezultuar negative edhe për bizneset e mesme, që kanë shënuar një balancë prej -1%. Por edhe bizneset e mëdha, që kanë raportuar rritje të shitjeve të tyre, e kanë këtë tregues më të ulët sesa periudhat e mëparshme”, kanë sqaruar ekspertët e Bankës së Shqipërisë, lidhur me një dukuri të tillë.

Por nga ana tjetër, ata pohojnë edhe faktin se në tërësi, bizneset kanë raportuar një rënie të rezultatit të tyre financiar, sidomos ato të vogla.

“Bizneset e vogla vazhdojnë që të vlerësojnë një ulje të rezultatit të tyre financiar për 6-mujorin 2018, deri në nivelin prej -17.7%. Niveli i shitjeve dhe ai i rezultatit financiar shënojnë përkeqësim për periudhën në fjalë, duke zgjeruar bilancin negativ për 6-mujorin e dytë të vitit, 2017, për të gjitha madhësitë e bizneseve”, saktëson BSH-ja për këtë. Duke dhënë kështu qartë panoramën e një ngërçi që biznesi, po pëson gjithmonë e më shumë gjatë ecurisë së aktivitetit të tij në muajt e fundit.

 

“Po ulim shpenzimet, vetëm që të përballojmë shlyerjen e borxhit”

 “Ngarkesa në borxh e bizneseve vlerësohet në tërësi që të jetë më e lartë, se niveli mesatar”, pohon Banka e Shqipërisë

 Vetëm për të përballuar shlyerjen e borxheve që kanë marrë në banka, apo edhe dikur tjetër, bizneset kanë qenë të detyruar që të pakësojnë shpenzimet e tyre. Një dukuri tjetër negative kjo, e cila pohohet nga Banka e Shqipërisë, shoqëruar edhe me shifrat përkatëse. “Në rastin e rritjes së kostos së shërbimit të kredisë, në mbi 40% të rasteve, bizneset janë mbështetur në uljen e shpenzimeve të tjera”, citon ajo. Duke sqaruar më tej madje, se ka patur biznese që për një gjë të tillë kanë arritur edhe deri tek prekja e rezervave të tyre. “Në rastin e bizneseve të mëdha janë përdorur gjithashtu edhe rezervat e ndryshme, deri në nivelin prej 21.7%”, saktësojnë ekpspertët. Madje po sipas tyre, pranohet fakti se mjaft biznese kanë qenë të detyruar edhe të rritin çmimet e produkteve që ata shesin, vetëm e vetëm që të përballojnë larjen e borxhve. “Ndërsa për ato të vogla, veç uljes së shpenzimeve të tjera, deri në nivelin prej 50%, janë rritur çmimet e produkteve, përdorur rezervat e ndryshme, madje edhe janë shitur një pjesë të veprimtarisë, deri në nivelin prej 16.7%”, saktësojnë më tej ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

 

Më shumë borxh merret për të mbuluar shpenzimet dhe më pak për investime

Bizneset në Shqipëri duket se marrin më shumë borxh për të përballuar shpenzimet e ndryshme. Ky është qëllimi kryesor i tyre, teksa i drejtohen një banke, apo edhe ndonjë burimi tjetër alternativ për pará. Dhe pas tij, vijnë ato për të kryer investime, me qëllimin e përmirësimit të mëtejshëm të aktivitetit të tyre privat. “Qëllimet kryesore të huamarrjes janë përballimi i shpenzimeve korrente”, cilëson Banka e Shqipërisë, lidhur me një realitet të tillë. Duke shtuar më tej se kryerja e investimeve afatgjata renditet e dyta ndër qëllimet kryesore përse biznesi kërkon kredi. Por edhe për këtë të fundit, pohon se pesha e saj sa vjen dhe po bie, duke faktuar kështu se bizneset po tregohen gjithmonë e më të kursyer kur vjen fjala për të ndërmarrë një investim, ndërsa mendojnë më shumë për likuiditete. “Krahasuar me 6-mujorin paraardhës, rezulton se pesha e ndërmarrjeve që kanë marrë hua për të kryer  investime afatgjata, ka rënë për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve”, cilëson BSH-ja rreth kësaj. Duke përfunduar se “rreth 74.2% e ndërmarrjeve huamarrëse të vogla, 77.2% e atyre të mesme dhe 79.5% e atyre të mëdha, e konsiderojnë  ë përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes për financimin e veprimtarisë. Krahasuar me 6-mujorin e parë 2017, kjo peshë rezulton në rënie për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: