BB, qeverisë: Kujdes me koncesionet e formës së Partneritetit Publik-Privat

BB, qeverisë: Kujdes me koncesionet e formës së Partneritetit Publik-Privat
“Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, borxhi publik, i cili është në nivele të larta dhe vijon të rritet, shoqërohet me mungesa ekuilibri buxhetor dhe të jashtme, çka e bën të cenueshëm parashikimin për të ardhmen për shkak të rritjes së kostove të financimit, nëse do të ketë shtrëngim në tregjet financiare”, cilëson BB-ja

Kontratat koncensionare të llojit PPP, me Partneritet Publik Privat që ka përdorur së fundmi qeveria shqiptare kanë qenë në qendër të vëmendjes prej ekspertëve të Bankës Botërore, edhe gjatë publikimit të raportit të tyre të radhës për Shqipërinë. Njësoj si edhe pak kohë më parë, ata i kanë bërë sërish apel asaj që të ketë kujdes me aplikimin e tyre.

“Qëndrimi ynë ka qenë në lidhje me përdorimin e propozimit të pakërkuar me këtë intensitet. PPP është një mënyrë për të ekzekutuar një investim publik. Ne mendojmë se përdorimi i propozimeve të pakërkuara është më i lartë se duhet të jetë. Ky ka qenë dialogu me Ministrinë e Financave që ta përdorim sa më mirë këtë instrument”, tha në lidhje me një fakt të tillë, ekonomistja e BB-së në Shqipëri, Hilda Shijaku.

Sipas saj, nga të tilla lloj koncesionesh mund të vijnë edhe rreziqe, prandaj ato duhen treguar me mjaft kujdes. Sikundër, shtoi se duhet të shihet një racionalizim më i mirë i investimeve publike në drejtim të eficiencës së tyre.

Kujtojmë se kontratat e llojit PPP kanë qenë vazhdimisht në vëmendje edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili njësoj si Banka Botërore, ka bërë apel që ato të aplikohen nën një mbikëqyrje të kujdesshme nga ana e palës shqiptare, pasi mund të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të borxhit publik.

Nga ana tjetër, BB-ja dje ka mbajtur edhe një qëndrim lidhur me dukurinë e shitjes së bankave në Shqipëri, apo ndryshimeve strukturore të tyre duke dhënë garanci se sistemi bankar mbetet një sektor i qëndrueshëm.

“Megjithatë, autoritetet duhet të mbikëqyrin aktorët e rinj dhe të shmangin konfliktet e interesit”, kanë cilësuar ekspertët e Bankës Botërore. Një qëndrim ky, i cili është i njëjtë edhe me atë të shprehur nga ana e kreut të Bankës së Shqipërisë, po për të njëjtën dukuri, dy ditë më parë, gjatë një dalje publike.

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: