APELI/ Ambasadorët: Reforma zgjedhore, të finalizohet në kohën e duhur!

APELI/ Ambasadorët: Reforma zgjedhore, të finalizohet në kohën e duhur!
Vendet e Bashkimit Evropian presin nga pala shqiptare që të punojë për realizimin e reformës zgjedhore në vend dhe finalizimin e saj në kohën e duhur. Një fakt i tillë u bë dje me dije nga përfaqësues zyrtarë të tyre në Shqipëri.

“Ne presim që partitë politike të punojnë së bashku për reformën  zgjedhore, duke u angazhuar në mënyrë gjithë-përfshirëse për të trajtuar rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR-it”, tha ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Reforma zgjedhore, sipas tij, është kyç për Shqipërinë në udhën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç u theksua në konkluzionet e Këshillit të BE-së qershorin e kaluar.

Nga ana tjetër, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, lidhur me zhvillimet më të fundit rreth reformës zgjedhore, tha se aktorët politikë duhet që të nxiten për dialog konstruktiv.

“I nxisim të gjithë aktorët politikë të përfshihen në dialog konstruktiv në lidhje me draftin e reformës zgje-dhore”, tha dje ai. Duke shtuar se mirëpritet vënia në tryezë të një drafti për ndryshime në kodin zgjedhor.

Por edhe ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz ka folur rreth procesit të reformës zgjedhore. Ajo ka kërkuar nga Shqipëria që të plotësohen të gjitha rekomandimet e kërkuara nga OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.

“Ne përshëndesim faktin që procesi i reformës zgjedhore po përparon nëpërmjet paraqitjes së një dokumenti pune”, tha ajo.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: