Alzheimeri, sëmundja që prek gratë dhe çrregullon mënyrën jetesën

Alzheimeri, sëmundja që prek gratë dhe çrregullon mënyrën jetesën
Në javën Botërore të kësaj sëmundjeje mjekët neurologë  këshillojnë përkujdesje për sëmundjet e zemrës dhe të tensionit, për uljen e nivelit të yndyrave në gjak. Sëmundja Alzheimer është forma më e zakonshme e demencës, e gjendur në mbi 70 % të individëve me demencë.

Sonila Isaku

Alzheimer është një nga llojet e demencës (degjenerimi i trurit) që shkakton probleme me kujtesën, të menduarit dhe mënyrën e sjelljes. Zakonisht simptomat zhvillohen ngadalë, përkeqësohen me kalimin e kohës derisa arrijnë në pamjaftueshmëri për të kryer detyrat e përditshme. Kjo ecuri e ngadaltë mund të zgjasë për shumë vite. Ndryshimet më të hershme mund të jenë kaq të lehta, saqë shpesh është e pamundur të përcaktohet koha e saktë e fillimit të tyre.

Sëmundja

Karakteristike kësaj sëmundjeje është humbja e ngadalshme e aftësive intelektuale pra ajo që quhet demenca. Në fakt me kalimin e moshës truri i njeriut pëson rrudhosje të masës së tij dhe humbje në peshë (atrofia). Ky është një shoqërues i paevitueshëm i moshës së shkuar. Megjithatë, në shumë raste kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe klinike, sepse ka shumë njerëz të moshuar të cilët mbeten aktivë, me perceptim të mirë dhe me intelekt të mprehtë deri në fund të jetës së tyre. Pra, në rastet kur demencat shfaqen në moshat e thyera mund të flitet thjesht për demenca senile (pra që vjen si rezultat i pleqërisë së thellë). Në rastin e sëmundjes së Azheimerit kemi të bëjmë me mosha më të reja. Ekziston një prirje në qarqet mjekësore që i konsideron ndryshimet patologjike në sëmundjen Alzheimer, si pasoja të pashmangshme të moshës.

Simptomat

Simptomat e hershme, shpesh mendohet gabimisht të jenë të lidhura me moshën, ose si manifestime të stresit. Në fazat e hershme, simptoma më e zakonshme është vështirësia për të kujtuar ngjarjet e fundit, e njohur kjo si humbje e kujtesës afatshkurtër. Ndërsa sëmundja përparon, simptomat mund të përfshijnë konfuzion, nervozizëm, agresivitet, problem me të folurën, me humbjen e kujtesës afatgjatë. Shpesh ata preferojnë të rrinë të tërhequr, si nga shoqëria, ashtu edhe nga familjarët e tyre. Gradualisht vijnë duke u ulur edhe funksionet e përkujdesjes së përditshme. Gjithsesi ecuria klinike për çdo individ është e ndryshme dhe është i vështirë përcaktimi i ecurisë për çdo individ. Shkaku dhe përparimi i sëmundjes së Alzheimerit ende nuk janë të qarta. Trajtimet aktuale ndihmojnë vetëm në lehtësimin e shenjave (simptomave) të sëmundjes. Ende nuk ka trajtime specifike që të parandalojnë zhvillimin progresiv të sëmundjes.

Diagnostikimi

Nëse ju ose ndonjë i afërm i juaj ka ndonjërën nga simptomat e mësipërme të sëmundjes së Alzheimerit, është e rëndësishme të vizitoni mjekun, me qëllim që të mund të bëni një vlerësim dhe diagnostikim të hershëm. Ka edhe sëmundje të tjera, si depresioni, lëndimet në kokë, substanca të caktuara ose mungesa e vitaminave, ose edhe efektet anësore të disa barnave, të cilat mund të prodhojnë simptoma të cilat janë të ngjashme me atë të sëmundjes së Alzheimerit. Shumica e këtyre çrregullimeve janë të mjekueshme. Mjeku juaj mund të përcaktojë nëse simptomat janë si pasojë e sëmundjes së Alzheimerit vetëm përmes disa vlerësimeve mjekësore, psikiatrike dhe neurologjike. Meqë ekzistojnë barna të cilat mund t’i lehtësojnë simptomat e kësaj sëmundje, mjeku do të vlerësojë shkaktarët tjerë të mundshëm të demencës, për të përjashtuar mundësitë tjera dhe për të caktuar sëmundjen Alzheimer si diagnozë. Aktualisht nuk ka asgjë test përfundimtar për sëmundjen e Alzheimerit. Diagnoza përfundimtare e sëmundjes është e mundshme vetëm pas vdekjes, kur patologu mund ta ekzaminojë nga afër trurin e pacientit duke parë ndryshimet që tregojnë lidhje me këtë sëmundje

Masat parandaluese

Nuk është se ka të dhëna të sakta për prevenimin e sëmundjes. Megjithatë këshillohet përkujdesje për sëmundjet e zemrës dhe të tensionit, për uljen e nivelit të yndyrave në gjak. Me rrezik më të ulët për zhvillimin e kësaj sëmundjeje rezultojnë njerëzit që merren me aktivitete intelektule si leximi, shkrimi i kujtimeve, lojëra me pazlla, fjalëkryqe, përdorimi i instrumenteve muzikore, marrëdhëniet e mira shoqërore, mësimi i gjuhëve të huaja. Kujdes duhet treguar edhe me ushqyerjen. Rreziku është më i lartë kur përdorim yndyra, sheqerna, proteina shtazore. Më shumë dobi janë edhe aktivitetet sportive apo ecjet dhe shëtitjet në ajër të pastër.

 

Fakte dhe shifra mbi sëmundjen e Alzhajmerit

 

Sëmundja e Alzaimerit dëmton trurin, duke rezultuar në dëmtim të kujtesës, të të menduarit dhe të sjelljes.

Faktori më i madh i rrezikut për Alzaimer është mosha e madhe, ku tre në dhjetë individë mbi 85 vjeç diagnostikohen me demencë.

Në raste sporadike, Alzaimeri mund të prek individë në çfarëdo moshe.

Zakonisht shfaqet në moshën mbi 65 vjeç.

Në rang global, janë afërsisht 44 milionë individë me Alzaimer apo forma të tjera të demencës.

Vetëm 1 në 4 individë me Alzaimer është i diagnostikuar për këtë problem.

Alzaimeri dhe demancat e tjera janë më të përhapura në Evropë, ndjekur nga Amerika e veriut.

Alzaimeri është më pak i përhapur në Afrikën Sub-Sahariane.

Alzaimeri dhe demencat e tjera janë shkaku kryesor për papaftësi në moshën e tretë.

Dy në tre individë me Alzaimer janë femra.

30% e individëve me Alzaimer kanë gjithashtu sëmundje të zemrës dhe 29% kanë edhe diabet.

Më shumë se 40% e familjarëve të individëve me Alzaimer raportojnë se stresi emocional që ata përjetojnë në rolin e tyre është shumë i lartë.

Individët me Alzaimer hospitalizohen tri herë më shpesh sesa moshatarët e tyre pa këtë problem.

 

Infermirët, 750 kërkesa për punë jashtë vendit

Zgjerohet harta e vendeve të huaja të cilat ofrojnë vende pune për infermirë. Pas Gjermanisë është Anglia, Italia por edhe vende të Evropës Lindore të cilët kanë kërkuar të punësojnë infermirë. Por drejtues të Urdherit të Infermierit pohojnë se numri i të larguarve është vetëm 750 persona dhe jo 4 mijë sikurse deklarohet nga shoqata të ndryshme. “Ne shohim me shqetësim lajme të ndryshme në media lidhur me largimin e infermierëve jashtë shtetit, se nga Shqipëria kanë ikur 2000 infermierë dhe deri në dhjetor ikin edhe 4000 infermierë. Ky lajm është i pavërtetë. Këto shifra nuk qëndrojnë. Kanë ikur infermierë jashtë shtetit, janë përgatitur dhe po përgatiten edhe të tjerë, por ne kemi këtu regjistrin e atyre që marrin dokumenta për jashtë dhe për këtë vit ky numër është 750 profesionistë, nga të cilët jo të gjithë kanë ikur, por kanë përgatitur dosjet për të ikur, pasi të marrin nivelin e gjuhës. Për ne, lëvizja e infermierëve jashtë shtetit nuk përbën shqetësim, pasi sipas regjistrit tonë ne kemi sot rreth 6500 infermierë të licencuar në pritje për punësim dhe çdo vit, kjo shifër rritet, pasi nga shkollat tona dalin çdo vit 1000-1200 profesionistë”, sqarojnë drejtuesit e UISH-së. Të dhanë zyrtare të portalit u-albania këtë vit tregun ase infermieria është një nga degët më të kërkuara, ku kuotat u realizuan që në fazën e parë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: