Ahmet Shqarri: Radiokronistët e mbajtën futbollin gjallë, edhe kur në stadiume kërciste kallashi

Ahmet Shqarri: Radiokronistët e mbajtën futbollin gjallë, edhe kur në stadiume kërciste kallashi
Kujtimet e gazetarit të mirënjohur, Ahmet Shqarri: “Në vitin 1997, kur futbolli dhe çdo sport u ishte zverdhur të gjithëve, kur edhe gazetat ishin “fshehur” duke mos u botuar dhe të huajt pyesnin me çudi “Pse ende luhet futboll në Shqipëri?”, apo UEFA me FIFA-n, i përjashtuan klubet tona nga garat evropiane, radiokronistët e emisionit “Nga një ndeshje në tjetrën” e mbajtën gjallë futbollin shqiptar...

Ata mbetën që të gjithë besnikë të emisionit radiofonik, me fanatizmin e tyre profesional, gjithnjë të gatshëm duke transmetuar çdo javë që luhej futboll. Edhe kur në këtë vend kërciste kallashnikovi... Këto janë disa kujtime të reja që gazetari dhe komentatori i mirënjohur sportiv, Ahmet Shqarri, përcjell sot për lexuesit e “Albanian Free Press”, plot fantazi dhe elegancë nga karriera e tij e gjatë përmes emisionit “Nga një ndeshje në tjetrën”. “Por ky emision ka pasur edhe një tjetër mundësi për të mbijetuar: Radion! Për të cilën, këngëtari i famshëm Frank Sinatra, në kohën kur në skenën  e mediave doli televizioni, pati thënë se, “televizioni një shpikje e bukur. Kur mbyll sytë, më ngjan si radio!...”, rrëfen gjithashtu ai...

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Secili radiokroinist, në stilin e tij...

Secili radiokronist, në stilin e tij, nisi të bëhet i njohur pikërisht nëpërmjet atyre “fragmenteve” që kishte mundësi të  transmetonte në emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. I brezit të tyre, që përpiqej të krijonte stilin e tij, ishte edhe Robert Papa. Për të ardhur deri tek transmetimi sportiv, atij iu desh të vendoste për të studiuar jashtë dëshirës së tij në Institutin e Lartë Bujqësor, sepse ndërkohë nuk i kishte dalë e drejta për të vazhduar Institutin e Arteve, të cilin e pëlqente. Kështu, Robert Papa pas shumë kohësh në transmetim nisi të njihej për ritmin e tij të shpejtë në ndjekjen e aksioneve të lojës. Për të vazhduar me të tjerë, si Ymer Kurti, përvoja e të cilit i jepte shpesh siguri dhe lirshmërinë që i duhej. Ndërkohë dhjetëra të tjerë do të provonin më vonë startin e tyre drejt mikrofonit sportiv në emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, që përbënte një sfidë të re për ata në rrugën e gazetarisë, por pa arritur të krijonin siç duhet portretin  e tyre në këtë  fushë. Dikush për devijim të kursit në jetë, siç ndodhi me Ilir Metën, i cili pasi u bë deputet dhe funksionar i lartë i Partisë Socialiste, arriti deri në majën më të lartë  të hierarkisë politike, në rangun e Presidentit të Shqipërisë. Sportin e ushtruar gjatë studimeve në Universitetin e Tiranës, Ilir Meta kërkoi që ta plotësojë edhe me profesionin e bukur të radiokronistit sportiv, që pas shumë sprovash, dukej se po e fitonte, duke transmetuar jo vetëm në rrethe, por edhe në stadiumet e Tiranës, krahas mjeshtërve tashmë të njohur të transmetimeve  tona.

Dhe historia vazhdon...

Dhe historia vazhdon me personazhe të tjerë, me ata që përvojën e tyre u përpoqën ta pasurojnë, për të thënë diçka të tyren, origjinale, por mbi të gjitha të  saktë e të paanshme, ç’ka është në fakt në themel të punës që bëhet për organizimin dhe realizimin e çdo  emisioni. I tillë është Ymer Striniqi, të cilin mund ta quajmë  “dekan” për atë  grup radiokronistësh që ka nxjerrë Shkodra dhe që me përvojën e tij, mbetet nga ata që kanë bërë historinë e këtij emisioni. I këtij plani është edhe Sefedin Allkja, që pas përvojës si gjyqtar i njohur futbolli, me reputacionin e fituar si radiokronist sportiv, arriti të bëhet nga personat publikë më popullorë, jo vetëm në Elbasan. Për të vazhduar me Moisi Dalipin interesant, apo me Rrok Preçin, që me transmetimet e tij nga Laçi përbënte “kripën” e emisioneve, me Fatmir Eficën e Bujar Qesen, që tani botojnë edhe libra e gazeta, Zef Shtjefni e Fatmir Thaçi plot kulturë dhe kompetentë; e deri tek Mikel Mbriçaj dhe Arbër Emiri pasionant, Pal Toma e Sefer Kika, Piro Qiqi i “Shkollës gjirokastrite” të transmetimeve, nën shembullin e F. Ficos, Agron Kaja, i qetë dhe i saktë. Vladimir Ngjela, gjithashtu nga veteranët e këtij emisioni, duke vazhduar me më të vonshëm, si Astrit Hodaj e Pëllumb Starova, e të tjerë që të na falin, se edhe nuk i kujtoj as emrat, të cilat kanë arritur që të inaugurojnë  emisionin  tonë. Sidoqoftë të gjitha këta, secili i veçantë në mënyrën e tij  të transmetimit, kanë dhënë kontribut të madh për emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, për të cilën shumica ende sakrifikojnë me tërë kuptimin e fjalës. Këta radiokronistë besnikë, po i quaj kështu për atë përkushtim të madh që kanë treguar, madje edhe në ato kohë të vështira kur të luajturit futboll në Shqipëri quhej një absurditet, kur kampionati ynë luhej nëpër fusha asnjanëse, pa spektatorë dhe kur në stadium kërciste edhe kallashnikovi. Pra, kur futbolli dhe çdo sport u ishte zverdhur të gjithëve, pikërisht në këto kushte, kur edhe gazetat ishin “fshehur” duke mos u botuar, këta radiokronistë, besnikë të  emisionit  me fanatizmin e tyre profesional ishin gjithnjë të gatshëm duke transmetuar çdo javë që luhej futboll. Pranë aparaturave të  improvizuara për transmetim dhe shpesh në mungesë të tyre, pranë telefonave ku nëpërmjet një odiseje komunikimi  që shumëkush nuk mund ta kuptojë, së bashku me teknikët e telekomit nëpër rrethet përkatëse, radiokronistët e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën” me transmetimin e tyre gjithsesi kanë bërë të mundur t’i japin frymë futbollit tonë, që ishte pushtuar nga agonia dhe probleme  të tjera. Për këta radiokronistë, jeta vazhdonte... Edhe pse shumëkush, kur dëgjonte transmetimet e ndeshjeve në radio, qëllonte të thoshte: ”Pse ende luhet futboll në Shqipëri!”. Në vitin 1997, kur UEFA me FIFA-n, i përjashtuan klubet tona nga garat evropiane, duke i dhënë ndërkohë Kombëtares sonë “statusin e emigrantit”, pasi e privoi atë që të luante në fushën e saj, në të gjitha këto raste, emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” i ka shërbyer futbollit shqiptar, ekzistencës së tij, nëpërmjet transmetimeve që nuk janë ndërprerë për asnjë javë, duke pasur si protagonistë, pikërisht këta radiokronistë. Por ky emision ka pasur edhe një tjetër mundësi për të mbijetuar: Radion! Për të cilën, këngëtari i famshëm Frank Sinatra, në kohën kur në skenën  e mediave doli televizioni, pati thënë se, “televizioni një shpikje e bukur. Kur mbyll sytë, më ngjan si radio!...”. ,

 

Kujtimet e një pjese jete...

“Albano në Gjirokastër?!”

Ka qenë një rastësi  takimi me Albanon, kur gjatë pushimit nëpërmjet etapave të një rrethi çiklistik në verë të vitit 1985, aty në hollin e Hotel-Turizmit në “Qytetin e gurtë”, kam parë për një çast të vërtitej as më pak dhe as më shumë, por vetë këngëtarin e shquar italian, të cilin nuk kisha sesi të mos e identifikoja menjëherë, veç të tjerave edhe nga ato syzet e tij të vogla karakteristike. Megjithatë, pyesja veten: Albano në Gjirokastër?! Po, ishte me të vërtetë ai! Pas prezantimit dhe një mirëkuptimi, të nesërmen në një vend të bukur, aty përballë ishujve të vegjël të Ksamilit, u realizua edhe intervista me të (e transmetuar pas dy muajsh në TVSH, kur Albano ishte larguar prej kohësh nga Shqipëria). Zbulonte ajo misteret e atij udhëtimi të këngëtarit të madh italian në këtë vend, në kujtim të të cilit ai kishte marrë edhe emrin kur kishte lindur. Ai kishte ardhur në Shqipëri për t’u njohur pikërisht me vendet, ku i ati i tij kishte qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nga ku pati marrë lajmin e lindjes së djalit, të cilit nuk pat ngurruar t’i vinte emrin e kësaj treve, Albano... Një histori tepër mbresëlënëse, me një personazh të jashtëzakonshëm.

IBRAHIM KODRA

“Pikaso i Shqipërisë”, prej tij mora Çmimin Kombëtar në gazetari

Mjeshtri i madh i pikturës botërore, Ibrahim Kodra. I njohur si “Pikaso i Shqipërisë”, ky piktor i shquar modern “zbulohet” edhe si sportist kampion dhe rekordmen i atletikës sonë në vitet ’30-të. Takimi me të, në 1998-ën pati sjellë një nga çastet më të bukura të karrierës sime, sepse përshkrimi i bisedës me piktorin e famshëm, botuar në gazetën “Sporti Shqiptar” do të më shpërblente po atë vit me Çmimin Kombëtar në gazetari dhënë nga fondacioni “Velija”.

 

Ka thënë për futbollin...

 

Vath Koreshi: “Një ndeshje futbolli, ngjarja që ndal lëvizjen e rruzullit...”

“Një ndeshje futbolli, jo rrallë bëhet ngjarja që ndal lëvizjen e rruzullit. Nuk ka asnjë aktivitet tjetër njerëzor, që si nën veprimin e një poli të fuqishëm magnetik, vëmendja e deri një miliard e gjysmë njerëzve, siç ka ndodhur me finalet e mëdha, të përqendrohet në të njëjtin kohë, në të njëjtën pikë. Arsyet janë të pafundme, por ndoshta mbi të gjitha është dëshira për të sfiduar. Njeriu është në një eksperiment të vazhdueshëm të sfidimit të vetvetes, në përpjekje të përhershme për të arritur atë që quhet e paarritshme. Me futbollin, ai sikur kërkon të  tregojë se çfarë mund të bëjë me anë të një topi dhe me këmbët e tij, duke demonstruar virtuozitetin e lëvizjes, befasinë e mashtrimit, forcën e krijimit  dhe intuitën për të dalë mbi një kundërshtar të vendosur para tij, i cili kërkon të bëjë gjithashtu të njëjtën gjë në atë sfidë...

Kam parë të luajnë shumicën e futbollistëve të këtyre 50 vjetëve, duke nisur nga lojtarë të tillë të mëdhenj e të hershëm si: Loro Boriçi, Xhep Spahiu e Qamil Teliti; kur dy të parët  luanin me  partizanin e tjetri me  Tiranën,; apo Zihni Gjinali e Qemal Vogli, që luanin me Dinamon. Të tjerë të shquar si Refik Resmja e Muharrem Karanxha të Partizanit, që kanë arritur të shënojnë deri në 12 gola në një ndeshje; Bozhori i Gjirokastrës e Bizhiuta i Elbasanit, Dake Sherifi e Roza Hazhiu të Lushnjës, etj. Janë me qindra ata që i kam parë nga shkallët  e stadiumeve a në buzë  të fushave. Nuk e di se në çfarë mase është lidhja e sportistëve me artistët, por gjithsesi në njëfarë mënyre, ajo është një lidhje kolegësh pasi thellë-thellë sporti dhe arti kanë diçka të përbashkët: artisti ka dhuntinë të shprehë atë që ndjen, por që nuk di ta shprehë e që nuk mund ta bëjë dot shumëkush. Ju siguroj se artistët i duan  sportistët dhe janë ndër dashamirët më të flaktë të talentit të tyre të mrekullueshëm. Pikëisht, sportistë, por edhe njerëz të  të shquar që e kanë lidhur jetën e tyre me futbollin, na kujtojnë njëherazi se nuk duhet të harrojmë t’i kthejmë sytë nga ky “qiell” e t’i shohin  ata “yje”, pasi pa vëmendje e të lënë në harresë, edhe yjet, sado shkëlqim të  fortë të kenë, zënë e shuhen, ashtu siç mund të ndodhë edhe me  emrat, që sado të mëdhenj e të skalitur qofshin, zënë e zhduken e i mbulon pluhuri... Futbolli është i tillë, që na bën të heshtim e të mbajmë frymën dhe të dëgjojmë  historinë e transmetimeve  tona futbollistike, që nis me Anton Mazrekun e Ismet Bellovën, me Skifter Këlliçin e Aleko Gjergon; për të ardhur tek dhjetëra radiokronistë në të katër anët e Shqipërisë, kolegë të vjetër e të rinj që Ahmet Shqarri, i  cili ka mëse tre dekada  që e ka lidhur jetën me mikrofonin e sportit, ka ditur t’i respektojë nëpërmjet kujtimeve...”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: