Ahmet Shqarri: Ju tregoj figurën e të madhit Panajot Pano, portierit që u kthye në një sulmues potent

Ahmet Shqarri: Ju tregoj figurën e të madhit Panajot Pano, portierit që u kthye në një sulmues potent
Kujtimet e gazetarit të mirënjohur, Ahmet Shqarri... “Albanian Free Press” sjell për lexuesit e saj, intervistën e plotë, të realizuar prej tij para shumë vitesh dhe e pabotuarderi më sot, me legjendën e futbollit shqiptar...

Të gjithë shqiptarët e kanë dëgjuar emrin e futbollistit të madh, Panajot Pano. Një sulmues që ka bërë histori, por që ka lënë gjurmë edhe në futbollin europian. Ka vite i ndarë nga jeta, por ai gjithmonë është i pranishëm në shumë diskutime apo në debate sportive për futbollin. Për të është shkruar shumë, por në këto kujtime të Ahmet Shqarrit që sot “Albanian Free Press” i sjell sërish për lexuesin, Pano del më konkret, më i plotë, më i detajuar dhe më njerëzor. Në portretizimin e tij, Shqarri di të hyjë në botën e tij psikologjike, duke formësuar në këtë mënyrë me detaje, jetën e tij plot situata interesante futbollistike. Një portretizim ky, që nxjerr shumë të panjohura të jetës së futbollistit të madh.... 

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

“Një mjeshtër i pakrahasueshëm i futbollit tonë. Lojën magjike të të cilit, dua t’ua afroj disi mijëra e mijëra  dashamirësve të tij, përmes një interviste, që ende nuk e kam botuar. E shfrytëzuar fare pak, vetëm për ilustrimin e një radioreportazhi, përgatitur vite të shkuara, pikërisht atëherë kur i biri i mjeshtrit të madh, Ledio 17-vjeçar luante ndeshjen e tij të parë me “Partizanin”... Duke dashur të bëja krahasime  mes Panos së madh dhe të birit Ledio, biseda natyrshëm kishte marrë trajtën e një delte lumi, duke fituar hapësirë nëpër degëzime të ndryshme të rrjedhës së asaj jete plot histori emocionuese të më të shndritshmit yll të futbollit tonë. Një bisedë, që zgjati pas stadiumit, deri vonë në mbrëmje në shtëpinë mikpritëse të Panajotit, në prani të të shoqes Rebeka dhe vajzës së tyre. Dhe që po e riprodhoj të plotë, madje pa e ndryshuar  për ta ruajtur sa më shumë autencitetin e saj. Shënime interesante, ku Mjeshtri ynë i Madh jep mendime dhe mesazhe të tilla që janë tepër të vlefshme edhe për brezin e sotëm të futbollistëve.

 

***

 

... Është shtator i 1996-ës dhe Panajot Pano, i cili ka gati 10 vjet që e ka lënë futbollin, tashmë në tribunën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” ka drejtuar vështrimin atje, në fushën e lojës ku luan i biri. Sa shpejt kaluan këto vite... Atëherë, në xhiron e lamtumirës, po në këtë stadium, kur linte futbollin i duartrokitur, si në një ëndërr të pafundme, Panajoti vraponte rreth pistës duke mbajtur për dore pikërisht Ledion, atëherë 6-vjeçar... E filloj bisedën me të, me këtë pyetje:

 

Pano, atë maj të 1975-ës, kur luajte ndeshjen e fundit me  Partrizanin, a mendon se me Ledion tënd, i cili sapo nisi startin e tij futbollistik, ke konkretizuar atë që parashikoje?

- Po, për disa kohë kam luajtur rolin e trajnerit, megjithëse im bir është përgatitur në shkollën e futbollit. Natyrisht, ai ka marrë ca gjëra nga unë. Shikoje në lojë, sa mirë e përdor topin, gjuan bukur dhe saktë nga çdo pozicion, sidomos goditjet e dënimit që i duken si penallti. Ka shumë gjëra të mira, intuitë, fantazi, bën lojë kolektive, por vë re se i duhet më shumë lëvizshmëri në fushë. Është pak flegmatik, gjë që ia ka vënë në dukje edhe e ëma. Pra, duhet ta gjejë ai topin dhe jo ta gjejë topi atë. Kjo arrihet nëpërmjet një stërvitje të vazhdueshme dhe shumë  serioze. Ledio ka edhe një avantazh se është 1 m e 80 cm i gjatë, ndërsa unë 1 m e 69 cm.

...Eh , këtë moshë, sa Ledio, kam pasur edhe unë kur nisa futbollin me të rinjtë e Tiranës, veçse me një ndryshim, sepse Ledio pa mbushur ende 17 vjeç, vjen nga të rinjtë e “Shkëndijës” së Institutit të Fizkulturës si golashënuesi më i mirë i kampionatit të kësaj moshe me 24 tundje rrjetash. Ndërsa unë, fillimin e karrierës sime e pata si portier. M’u  desh ca kohë që të futesha pastaj në rolin e sulmuesit. Në kampionatin e parë, në finalen e humbur me Durrësin u mjaftova vetëm me një gol, ndërsa në të dytin nuk e mbaj mend mirë, por më duket se për çdo ndeshje arrija të shënoja.

 

Dukej se ishe i lindur për sulmues?

Meqenëse ju gazetarët i pëlqeni ca gjëra të veçanta, po të them se sulmues u bëra fare rastësisht, pasi fillimin e nisa si portier. Një ditë, kur po prisnim të luanim një ndeshje miqësore, njëri prej sulmuesve nuk po vinte. Atëherë, trajneri ynë Xhavit Demneri e pa të arsyeshme që rolin e tij ta luaja unë. Mbaj mend se e pata të vështirë, megjithëse me skuadrën e klasës, kur isha në shkollën 7-vjeçare, e kisha provuar këtë rol. Mezi krijoja hapësirë rreth vetes, që të merrja topat e ardhur nga shokët. Isha i imët dhe i brishtë në trup, i bëja apo jo 50 kg. Mirëpo, erdhi një rast kur një top, që e kisha pranë vetes duhej kapur më shpejt se këtë ta bënte kundërshtari, i cili më ishte ngjitur pas si pullë. Menjëherë u shkëputa nga vendi me një sprint, që e la shumë mbrapa mbrojtësin tim roje dhe ashtu, në vrapim e sipër, gjuajta fort duke e përplasur topin në rrjetë. Kisha shënuar. Duket se kjo i bëri përshtypje të mirë trajnerit që më provoi pastaj edhe në ndeshjet e tjera.

- Ti çun, më tha trajneri, po u forcove më shumë në trup, do të bëhesh sulmues i mirë!...

E vija re se atij i pëlqente loja që bëja në të dy krahët si edhe lëvizshmëria, sprinti, kërcimet dhe gjuajtjet me kokë.

(Pikërisht ato gjëra që më vonë do të bëheshin cilësitë kryesore të lojës së Panos...)

- Po, veçse mu desh shumë kohë në stërvitje për t’i përsosur të gjitha ato që duheshin për një lojë rezultative, sidomos kur isha përballë mbrojtës shtatlartë e të fuqishëm. Vetëm kur mund t’i kaloj ata, vetëm atëherë fitova besim. Atëherë shënimi i golit u bë diçka e zakonshme për mua. Në fillim, mbrojtësi më nënvleftësonte, pastaj kur panë se rrallë lija pa i shfrytëzuar rastet për gol, atëherë nisi “odiseja” ime me ta.

- Sidomos kur ike nga “17 Nëntori” dhe pate si kundërshtar ish-shokun tënd të skuadrës, Skënder Halilin e famshëm?

- Ne nuk ikëm nga 17 Nëntori, por na morën të tjerët. Kështu që na u desh të bëheshim “Kundërshtarë” jo vetëm me Skënderin, për të cilin them se ka qenë mbrojtësi më i mirë që ka pasur Shqipëria. Ato që bënte në lojë Skënder Halili shtatlartë dhe tepër elegant, unë i shoh sot vetëm nga mbrojtësit më të mirë të botës. Ishte atlet i vërtetë, akrobat, i zgjuar, mjaft i vëmendshëm, vështirë se mund ta kaloje vetëm për vetëm.

 

Të gjithë ju të atij brezi ishit të shkëlqyer!

Mbi të gjithë ishim djem të mirë, që e donim njëri-tjetrin. Ishim si një familje e mrekullueshme. Nuk kishim zili, por veç ku të gjenim rast për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Kështu ka qenë që me informacionin e parë kur luajta me Skënder Halilin, Fatmir Frashërin, Aurel Verrinë, Pavlo Bukovikun, Osman Memën, si dhe me të tjerë që gjeta, kur nisa të luaj me të rriturit tek “Puna” e Tiranës, sidomos me më të  vjetrit, Bedri Stërmasin, Cen Petrelën, Sadik Strugën, Met Metanin, Enver Shehun, Osman Recin, Enver Radën e të tjerë. Trajneri Myslym Alla dinte të vendoste autoritet, por edhe të ngjallte respekt midis shokëve. Që të bësh gol, duhet që të sakrifikosh, sidomos para portës duhet të djersitesh shumë, se topi nuk të vjen nga qielli. Mbi të gjitha duhet të kesh intuitë për t’u gjendur atje ku mund të jetë topi më i përshtatshëm, për ta çuar pastaj në rrjetë. Duhet të jesh lojtar taktik dhe për mua, lëvizshmëria pa top është kryesore. Unë p.sh. bëja rreth 40 sprinte rreth zonës dhe të mendosh se vetëm 2-3 raste mund të  shfrytëzoheshin për gol, gjatë ndeshjes. Të gjitha këtyre duhet t’u shtosh dhuntinë, që zhvillohet me anë të stërvitjeve të vazhdueshme.

 

Dhe vetëm nëpërmjet këtyre cilësive numri 10, Panajot Pano, i bënte të gjithë portierët të dorëzoheshin pa kushte.

Në fillim kam mbajtur në shpinë numrin 7. Kur isha me të rinjtë ky numër më pëlqente shumë. Shkova tek “Puna” e Tiranës dhe atje, nga viti 1957 deri më 1959 luajta me numrin 11 në fanellë. Me këtë numër luajta me ca kohë edhe tek “Partizani”, derisa i mrekullueshmi  Refik Resmja e la futbollin dhe numrin e tij 10 e mora unë. Ishte nder për mua që mora numrin e tij. Luajta deri në fund të karrierës sime me këtë numër, që m’u bë mjaft i dashur, sepse këtë numër atëherë  e mbanin shumë  lojtarë  të njohur në botë.

 

Meqenëse erdhi rasti, cilin futbollist yll në botë e konsideroni si më të shndritshmin?

Mendoj se ka shumë futbollistë  të shquar, që kanë shkëlqyer e vazhdojnë të çudisin botën me artin e tyre. Por mbi të gjithë unë vë Pelen. Pavarësisht nga skemat e tyre të ndryshme taktike që kanë evoluar dhe pavarësisht se me çfarë kundërshtarësh ka luajtur Pele, ai ishte i papërmbajtshëm.

 

Po Maradona?

Pele, Maradona, Kroif… ka kohë që bota kërkon të zgjedhë më të mirin midis tyre. Por është edhe Bekenbauer. Këta në fakt janë më të mëdhenjtë, për mua. Por, Pele është më i madhi ndërmjet më të mëdhenjve. Meqenëse më pyete për Maradonën, po të them se virtuoziteti i tij, horizonti në lojë, lëvizshmëria në fushë, me dhe pa top, teknika e shkëlqyer golat e befasishëm, të gjitha këto e bëjnë atë një flori të vërtetë.

 

Edhe kur shënon me dorë?!

Për mendimin tim, ai gol me dorë që Maradona i shënoi Anglisë, ishte projektuar më parë për t’u bërë prej tij. Pavarësisht sesi erdhën rrethanat, ai realizoi atë që kishte menduar dhe synuar.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: