Ahmet Shqarri: Dy ndeshje, dy barazime, kur Flamurtari ecte si fitimtar në Barcelonë...

Ahmet Shqarri: Dy ndeshje, dy barazime, kur Flamurtari ecte si fitimtar në Barcelonë...
Kujtimet e gazetarit të mirënjohur Ahmet Shqarri: Historia e transmetimeve të drejtpërdrejta të ndeshjeve të “Flamurtari”-t të Vlorës, e cila me suksesin e saj bëri të mundur realizimin e të parit transmetim në radio të një ndeshjeje futbolli në Barcelonë, ndaj njërës prej skuadrave më të famshme në botë…

 E mërkura e 1 tetorit 1986 do të mbetet e paharruar për futbollin shqiptar, teksa ekipi i “Flamurtari”-t sfidoi në zemër të Barcelonës ekipin e madh të këtij qyteti “që magjeps...”, siç thoshte Servantesi... Kështu e përshkuan atë ndeshje të madhe, në kujtimet e ti të radhës përcjellë për lexuesit e “Albanian Free Press” nga gazetari i njohur, Ahmet Shqarri. Shoqëruar edhe me vlerësimet superlative të shtypit spanjoll, por edhe personalitetet e larta të sportit të këtij vendi, për ekipin vlonjate të futbollit shqiptar të asaj kohe. Por edhe me një përshkrim të detajuar të elementëve plot ngjyra të atyre ditëve të lavdishme për futbollin shqiptar...

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Pas rrugës që kaloi përmes dy aeroporteve ish-jugosllave, në atë të Titogradit dhe Beogradit, me një avion të shoqërisë ajrore “AlItalia” nisemi pastaj nga Roma për në Barcelonë. Pas Adriatikut, tani duhej kaluar Mesdheu. Pra, përsëri det. Futbollistët vlonjatë të “Flamurtari”-t, me të cilët udhëtojmë, duket se e kanë për zemër detin tek vështrojnë me interesim nga dritarja e avionit midis reve, prej nga shihet hapësira e gjerë dhe e kaltër.

Duke mos pasur një linjë udhëtimi të drejtpërdrejtë nga Tirana në Barcelonë, kemi ndjekur një itinerar të çuditshëm, nga Tirana në Han të Hotit, për të kaluar pastaj në ish-Jugosllavi dhe Itali e për të mbërritur kështu në Spanjë pas tri ditësh, që nga nisja jonë. Duke u endur hoteleve dhe aeroporteve, të lodhur dhe pa stërvitje, megjithatë tek të gjithë ne ka një ndjenjë të veçantë. Jemi i pari grup shqiptarësh që shkojmë në Spanjë, vetëm disa ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Dhe me afrimin e brigjeve spanjolle, pa dashur na vjen ndërmend ajo kohë e mbushur plot ngjarje të mëdha, kur në ndihmë të Spanjës, për të mbrojtur Republikën e saj, u nisëm nga e gjithë bota vullnetarë, të cilët formuan një brigadë internacionale, që luftoi me heroizëm krah më krah popullit spanjoll. Ishin ditët e një lufte të madhe. Spanja dhe Shqipëria luftonin kundër fashizmit. Vargmalet e Sierra Nevadës, Pirenejtë, lumi Ebro, Madridi, ... të gjithë këta emra dhe vende të përmendura tek romani i famshëm i Petro Markos  Hasta la vista” të mbushin me emocion, se lidhen pikërisht me atë ngjarje të madhe historike. Na duket se shkojmë drejt një vendi që e njohim, populli i të cilit na do dhe e duam, për shkak të atij gjaku që derdhëm së bashku në ato vite, spanjollë dhe shqiptarë.

Me këto meditime kemi kaluar Mesdheun dhe tani shohim qartë konturet e tokës spanjolle. Dhe na vijnë ndërmend edhe njëherë olivaret e famshme, blloqet e pambarim të ullinjve, që u bënë gjithashtu shesh i madh beteje në ato vite për mbrojtjen e Republikës.

 

** *

“El Prado”, aeroporti i Barcelonës. Kemi mbërritur pra në tokën spanjolle. Ndërkohë gazetarë, radiokronistë dhe kameramanë vendas kanë filluar nga puna. Është një interesim i madh i tyre për skuadrën e “Flamurtarit” dhe për vendin tonë në përgjithësi. “Mikëpritje e jashtëzakonshme nga shqiptarët. Ata bënë të gjitha përpjekjet që ne të ndjeheshim si në shtëpinë tonë”, shkruante gazeta “El mondo deportivo” për pritjen që iu bë skuadrës së “Barcelonës” në Shqipëri, kur pati ardhur për ndeshjen e parë në Vlorë. Dhe gazeta vazhdonte: “Ngado që të hidhje sytë, një pamje e mrekullueshme, plazhe të shumtë, me një det që të magjeps, Vlora, një qytet me lule e palma, me shtëpi e kopshte të mirëmbajtura…”.

Të gjitha këto si dhe niveli i lartë i lojës, e sidomos rezultati i arritur nga “Flamurtari” ndaj “Barcelonës”, e kishin rritur së tepërmi interesimin për ne. “Barcelona e la fushën e Vlorës gati e mundur, pas një loje ku “Flamurtari” u shfaq si një rival i madh”. Kështu shkruante të nesërmen e asaj ndeshje, gazeta në fjalë. Prandaj, pyetja e parë që u bë gjatë intervistave në aeroport ishte nëse skuadra shqiptare mund të bënte surprizë edhe në Barcelonë?!

Mbushur me këtë atmosferë, rruga drejt hotelit “Presidente”, ku do të akomodoheshin gjatë ditëve të qëndrimit në Barcelonë, na u duk e shkurtër, edhe pse kalojnë kilometra të tëra për të shkuar nga aeroporti deri në “Avinguda Diagonal”. Është rruga kryesore e Barcelonës, një diagonale e vërtetë që parashikon në një vijë të drejtë gati tërë qytetin. E ndërsa ekipi me stafin drejtues nisen me një autobus tepër komod, Houze Luis Hernande Abajo, shef i redaksisë sportive të Radios Spanjolle për Barcelonën, që të dyja më parë kishte transmetuar në Vlorë për Radio Katalonjën ndeshjen “Flamurtari”- “Barcelona”, më fton në makinën e tij dhe merr përsipër rolin e ciceronit, duke më prezantuar pamjet e para të këtij qyteti të madh prej rreth 3 milion banoresh. Pasi kalojmë zonën industriale (Barcelona jep 20 për qind të prodhimit industrial të Spanjës), futemi pastaj midis ndërtesave të bukura që mbushin të dy anët e rrugës. Shumica janë të stilit gotik, të gërshetuara me shije me ato të stilit modern. Veçanërisht, shquhen mbi to majat e godinave të bankave me emra të ndryshme, sepse duhet thënë që Barcelona është porti, por edhe qendra më e madhe tregtare e Spanjës.

“Tani, -thotë kolegu im spanjoll, -jemi futur në rrugën më të bukur “Via Ramblas”, një nga krenaritë e Barcelonës”.

Një rrugë e gjatë, e gjerë dhe e drejtë si shumë të tjera, ku trotuari i mesëm ishte i gjithi me lule shumëngjyrëshe dhe të freskëta. Diku, aty pranë, ndodhej edhe godina e Radio Barcelonës. Qyteti ka dhe radiostacione të tjera për krahinën e Katalonjës (kryeqendër e së cilës është Barcelona). Ka gjithashtu stacione televizive, si edhe gazeta të shumta të përditshme dhe periodike. Mësojmë se Barcelona është qyteti që botoi gazetën e parë në Evropë me tirazhin më të madh, që mban si datë krijimi vitin 1792, “Diario de Barcelona”. Dhe ky qytet, me këtë traditë e rrjet kaq të dendur informacioni, interesimin për skuadrën tonë të futbollit “Flamurtari” e shtoi së tepërmi kur mbërritëm në hotel. Veç gazetarëve e fotoreporterëve të shumtë kishte edhe mjaft të rinj, që kërkonin t’u merrnin autografe sportistëve tanë. Stemat, emblemat sportive, albumet për Shqipërinë, fotografitë  e Skuadrës së “Flamurtarit” -t, të përfaqësueses sonë, apo kartolinat me pamje nga Shqipëria kërkoheshin me dëshirë të madhe aq sa për punonjësit e hotelit u bë pak i vështirë përballimi i atyre që vinin për të na kërkuar. Ndërkohë, ne pritnim me padurim të shihnim stadiumin, ndërsa të nesërmen ndeshjen e kthimit.

Dhe ai shfaqet përnjëherë, pasi marrin rrugën që të çon për në Taragonë, ashtu madhështor, sikur e shihnim Coloseum-in. Me një kapacitet prej 120 mijë vendesh, i dyti në botë pas “Mrakana”-s së Brazilit, me tribuna e ambientet komode, me fushën që kur e shkel të ngjall ndjenjën e kënaqësisë, stadiumi “Camp Nou” të lë përshtypjen të paharruara.

Me këtë ndjenjë, por të mbushur edhe me optimizëm, futbollistët e “Flamurtarit” zhvillojnë stërvitjen në orën 20:30 të ndjekur përsëri nga gazetarë të shumtë. Kështu kalon kjo natë e parë, me një shi të vazhdueshëm që na shoqëroi pothuajse gjatë tre ditëve që qëndruan në Barcelonë. Sidoqoftë, e gjetëm kohën për t’u njohur më mirë më qytetin, ku të bëjnë përshtypje muzeume të shumtë, midis të cilëve ata që flasin  për historinë e Barcelonës, jetën dhe zhvillimin e saj. Gjen aty fakte për lashtësinë e qytetit, muri i parë i të cilit u ndërtua nga fundi i shekullit  të III-Të. I themeluar nga fenikasit dhe kartagjenasit qyteti ka  pasur emra të ndryshëm derisa ka ardhur në ditët tona me emrin e bukur Barcelona.

Duke shëtitur me aq sa mundëm, Barcelona të jep përshtypjen e një qyteti me një origjinalitet të veçantë, jo vetëm nga bukuria e gjithçkaje që e rrethon, rrugë të drejta e të  gjëra me një trafik shumë të  dendur, parqe, kinema, teatro, arena toreadorësh, shatërvanë, kisha madhështore etj. Por edhe nga ajo trashëgimi e pasur e kulturës katalane, si dhe nga ajo pavarësi krenare e popullit  të saj. Në Barcelonë flitet gjuha  katalanase dhe krahina e saj, Katalonja gjithnjë ka luftuar për autonominë e saj.

Duke qenë se jemi një grup sportiv, na bëjnë përshtypje veçanërisht terrenet sportive, projektet  e komplekseve që përgatiteshin për lojërat e ardhshme olimpike “Barcelona ‘92”. Barcelona mund të quhet edhe qytet sportiv, jo vetëm për faktin se ka stadiumin më të madh në Evropë, por nga që skuadrat e saj në futboll, basketboll apo edhe në sportet e tjerë  janë nga më të dëgjuarat në Spanjë, por të mirënjohura edhe në vendet e tjera  të botës, duke fituar trofe të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Dita e ndeshjes u prit me interesim shumë të madh. Futbollistët e Barcelonës për këtë ditë kishin bërë një përgatitje speciale, sikur të ndesheshin me një skuadër të madhe, të paktën kështu shpreheshin në komentet e tyre gazetat vendase.

Skuadrës së shquar spanjolle nuk i kishte shkuar ndoshta ndërmend se një skuadër shqiptare si “Flamurtari”, pa përvojë në takime të një niveli të tillë si Kupat e Evropës, të mund t’i sillte aq vështirësi për kualifikimin . Nisur nga përbërja e saj, me disa lojtarë të përfaqësueses, si dhe me lojtarë të blerë nga Anglia, ku Linekeri ishte dhe golashënuesi më i mirë i finaleve të një kampionati botëror, “Barcelona” më shumë e kishte parashikuar si një shëtitje ndeshjen e parë në Vlorë, për turin e parë të kupës së UEFA-s. Por deri në minutën e fundit  ishte pikërisht “Flamurtari” ai që

udhëhiqte rezultatin 1-0, pas një loje të zhvilluar me nivel të lartë. Kështu, “Flamurtari” i panjohur dhe i lehtë deri më 17 shtator 1986, kur u zhvillua ndeshja e parë që përfundoi në barazim 1-1, u bë për Barcelonën një skuadër që duhej vlerësuar. U desh një përpjekje e madhe nga “Barcelona”, që të barazonte atë ditë në stadiumin e Vlorës. “Me golin e tij në fund të ndeshjes, Esteban evitoi një humbje të turpshme”, shkruanin të nesërmes e asaj ndeshjeje  gazetat spanjolle, ndërsa vetë autori i golit shprehej se:”Më pëlqen të shënoj gola të rëndësishëm dhe ky ndaj “Flamurtari”-t ishte një i tillë. Ndërkohë çmohej loja e futbollistëve vlonjatë dhe sidomos goli i Vasil Ruçit. “U habita nga ai gol. Ishte e pamundur ta prisja gjuajtjen që dha atë gol të tipit Hugo Sançez”, pat thënë në intervistën e tij pas asaj ndeshjeje  të parë, portieri i “Barcelona”-s dhe i përfaqësueses spanjolle, Zubizareta.

Pra, pas ndeshjes së parë çdo gjë u qartësua: “Barcelona” do të kishte një rival jo të vogël në ndeshjen e kthimit, ndërsa “Flamurtari” i mbushur me besim nga ndeshja në Vlorë do të luftonte më shumë në stadiumin “Camp Nou”. Trajneri i “Barcelona”-s anglezi, Terri Venejbells, në prag të takimit të dytë shprehej se: “Futbolli shqiptar ka ditur të arkivojë gjëra të bukura me lojërat që ka zhvilluar, pjesë e këtij futbolli është edhe “Flamurtari”, që tashmë e kemi parë, prandaj them se ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë”.

35 mijë spektatorë, nën ndriçimin e fuqishëm të prozhektorëve i pritën me këngë dhe brohoritje skuadrat që dolën në fushën e “CAMP Nout” në atë mbrëmje të vonë, të së mërkurës së 1 tetorit 1986. Gjithçka që ndodhi atë natë në “Camp Nou”, pas asaj që nisi në ora 21:15, është transmetuar tashmë nga Radio-Tirana dhe është parë e regjistruar nga TVSH-ja, megjithatë është mjaft e vështirë të transmetosh gjithçka që futbollistët tanë dhanë atë natë në shfaqjen e tyre. Loja ishte mjaft korrekte dhe “Flamurtari” demonstroi se në futboll duhet të vraposh dhe të lëvizësh me topin”, - shkruante të nesërmen e ndeshjes gazeta spanjolle “Sport”. Po kjo gazetë shkruante: “Lojtarët tanë janë të trishtuar, por edhe të kënaqur që mundën të kualifikonin  pas këtij barazimi pa gola. Barcelona u gjend përballë një “Flamurtari” entuziast, por mjaft teknik dhe e kalon turin në sajë të një goli në fushën kundërshtare”.Ndërsa intervistat folën edhe më shumë. Presidenti i klubit sportive “Barcelona”, Nuniez, tha: “Nuk mund të bënim më shumë, se “Flamurtari” u mbrojt mjaft mirë. Kënaqësia jonë është që u  kualifikuam”.

Kurse një nga futbollistët më të shquar të përfaqësueses spanjolle dhe të “Barcelona”-s, Voktor, u shpreh: “Flamurtari” luan futboll  të nivelit të lartë dhe më 3 dhjetor në Tiranë për eliminatorët e Kampionatit Evropian them se Spanja, duke parë këtë nivel të “Flamurtarit”-t do ta ketë të vështirë me kombëtaren e Shqipërisë. Golashënuesi më i mirë i finaleve të kampionatit botëror (1986), futbollisti anglez Lineker, që sapo ishte transferuar tek “Barcelona”, ndër të tjera tha se “ishte rasti më i mirë që në takimet e para ndërkombëtare në radhët e Barcelonës të shënoja gol, por mbrojtësit shqiptarë ishin të një klasi të lartë”. Ky mendim u shpreh edhe nga mjaft tifozë të pranishëm atë mbrëmje të vonë në “Camp Nou”. Studenti Eduardo Prades, i cili ishte ulur aty pranë kabinës, ku transmetova ndeshjen, tha se: “S’duhet të qahemi, Flamurtari luante bukur dhe ne mirë që  u kualifikuam!”.

Kur ekipi kthehej vonë në mesnatë për në hotel, nëpër rrugë e sheshe dukej sikur “Flamurtari” shkelte si triumfator. Sepse, në fund të fundit, nuk mund ta quaje të mundur. Në dy ndeshje, dy barazime! Dhe ndaj kujt? Ndaj “Barcelona”-s së famshme!...

Në fund, presidenti i FC Barcelonës, Nuniez, në pritjen që dha për ekipin tonë, nuk i kurseu fjalët plot dashamirësi për futbollistët vlonjatë, duke i quajtur ndeshjet midis dy ekipeve si një hap i mirë për forcimin e miqësisë midis dy popujve dhe zhvillimin e marrëdhënieve të dy vendeve në të ardhmen.

Duken si tepër ceremonial dhe deklarative të gjitha këto, po kështu ngjau me të vërtetë. “Flamurtari” me atë lojë dhe rezultat që arriti ndaj “Barcelona”-s në fushën e futbollit, u bë ambasadori i parë i Shqipërisë në Spanjë, duke merituar notën më të lartë të diplomacisë për kohën.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: