Adelina Rista: Kjo opozitë ka hyrë në një tunel, që nuk ka dritë në fund

Adelina Rista: Kjo opozitë ka hyrë në një tunel, që nuk ka dritë në fund
INTERVISTA/ Flet deputetja e Partisë Socialiste, Adelina Rista: Të gjithë jemi dëshmitarë të mungesës së një opozite konstruktive. Mendoj se opozita e sotme e ka humbur orientimin”

“Në një shtet demokratik, detyra e opozitës është të bëjë opozitën, por të gjithë jemi dëshmitarë të mungesës së opozitës në detyrën dhe përgjegjësitë që ka ndaj zgjedhësve, duke braktisur tempullin e fjalës së lirë”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, deputetja socialiste, Adelina Rista, e cila paraqet rezervat e saj mbi bojkotin e Kuvendit prej opozitës. Sipas saj, “kjo opozitë akoma nuk po e gjen veten”. “Të shohësh sot ëndrra për përmbysje e marrje të pushtetit me dhunë, do të thotë se ora të ka mbetur një shekull pas”, pohon deputetja Rista...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Është theksuar qysh në muajin qershor se bashkë me shtatorin, opozita pritet të nisë vrullshëm aksionin e saj. Ku konsiston ky aksion? Çfarë ka ai si ide dhe qëllim të tij kryesor?

Populli thotë një fjalë të urtë: “Fshati që duket, nuk do kallauz...”. Dhe kjo opozitë e ka treguar që në fillim të këtij sesioni se ka hyrë në një tunel, i cili nuk ka dritë në fund. Jetojmë në një shtet demokratik, ku fatet e vendit i vendos vota popullore. Mua më duket se kjo opozitë akoma nuk po e gjen veten. Të shohësh sot ëndrra për përmbysje e marrje të pushtetit me dhunë, do të thotë se ora të ka mbetur një shekull pas.

 

PS-ja, tashmë një vit që qeveris e vetme. Cilat janë arritjet dhe gabimet kryesore të qeverisë në këtë 1 vit drejtimi pa LSI, sipas jush?

Qeveria “Rama” e ka treguar më së miri se në krye ka njeriun e duhur plot vizion e përkushtim, këmbëngulës dhe kërkues në realizimin e programit qeverisës. Që në fillim, kjo qeveri i shpalli luftë të hapur e pa kompromis krimit e korrupsionit. Duke pasur si moto të punës së saj sloganin “Fjala jonë është puna”, qeveria “Rama” hyri në rrugën e reformave të rëndësishme për të bërë shtet. Reforma administrative, reformat për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit, në sistemin shëndetësor e arsimor, si dhe reforma në drejtësi, janë disa nga arritjet e kësaj qeverie. Puna vazhdon për vazhdimësinë dhe konsolidimin e këtyre reformave. Rezultatet e kësaj qeverie, kuptohet që vijnë duke u rritur.

 

Si do ta komentonit mospjesëmarrjen e opozitës në 4 seancat e para parlamentare pas pushimeve? 

E thashë edhe pak më lart. Sovrani e ka përcaktuar shumicën parlamentare. Në një shtet demokratik, detyra e opozitës është të bëjë opozitën, por të gjithë jemi dëshmitarë të mungesës së opozitës në detyrën dhe përgjegjësitë që ka ndaj zgjedhësve, duke braktisur tempullin e fjalës së lirë. Veç kësaj, të gjithë jemi dëshmitarë të mungesës së një opozite konstruktive. Mendoj se opozita e sotme e ka humbur orientimin.

 

Flitet për një bashkëpunim qeverisje PS-PD. Mendimi juaj për një bashkëqeverisje apo bashkëpunim të mundshëm mes tyre? 

Bashkëqeverisje PS-PD? E shoh të pamundur. Është sovrani ai që me votën e tij e ka vendosur kush do të qeverisë dhe kush duhet të bëjë opozitë. Dhe në këtë mandat, verdikti i sovranit është që Partia Socialiste të qeverisë e vetme. Secila forcë politike duhet të ketë respekt për votën popullore.

 

Si është aktualisht vlerësimi i organizmave ndërkombëtarë për qeverinë “Rama” kur jemi në prag të çeljes së negociatave me BE-në? 

Kryeministri ka ekipin e vet qeverisës dhe në këndvështrimin e përgjithshëm, vlerësimet për këtë ekip janë pozitive. Dëshmi për këtë është edhe marrja e rekomandimit pa kushte dhe përcaktimi i datës për çeljen e negociatave.

 

Si do ta vlerësoni turizmin shqiptar këtë vit, a u rrit numri i turistëve? Po cilësia e shërbimit dhe kushtet e akomodimit dhe aspektet e tjera të një turizmi cilësor a ishin në rritje në krahasim të një viti më parë? Po në Fier, si ishte turizmi i këtij viti? 

Unë mendoj se politikat qeverisëse për ta bërë Shqipërinë një vend të vizitueshëm dhe të qëndrueshëm turistik, janë duke e dhënë rezultatin e tyre dita-ditës në rritje. Vendi ynë ka bërë një hop cilësor në drejtim të turizmit, numri i atyre që vizitojnë vendin tonë, apo duan të kalojnë pushimet në Shqipëri është rritur. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar turizmit kulturor, i cili tërheq shumë shikues apo vizitorë të huaj dhe vendas. Realizimi i shumë projekteve kulturore apo investimi në monumentet e kulturës ka rolin e vet në rritjen e numrit të turistëve. Po përqendrohem tek Fieri. Realizimi i shumë projekteve kulturore në Apoloni e ka rritur numrin e turistëve që e vizitojnë atë. Po kështu, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe pastrimi bregdetit të Semanit dhe Darezezës, e rriti shumë numrin e gjithë atyre që zgjodhën këto plazhe për të pushuar këtë vit. Theksoj se këto plazhe gëzojnë akoma bukurinë e tyre natyrore dhe këtë vit u bënë të kërkuara edhe nga turistë të huaj. Po kështu, vëmendje të madhe po merr edhe agroturizmi. Në vazhdim, turizmi është ndër prioritetet e qeverisë, që ka nevojë për vëmendje maksimale. Unë mendoj se kemi akoma shumë për të bërë në drejtim të përmirësimit të shërbimit në çdo drejtim, për të siguruar një shërbim brenda standardeve cilësore, që për të qenë realiste, në shumë vende le shumë për të dëshiruar. Gjithashtu, punë për të bërë ka dhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore drejt destinacioneve turistike.

Qeveria mbajti premtimin për dhënien e librave falas për shkollat fillore. Çfarë tregon kjo për qeverinë “Rama”? 

Është e vërtetë. Sigurimi i librave falas ka qenë dhe mbetet një nga pikësynimet e kësaj qeverie, e cila deri në fund të këtij mandati do të realizojë dhënien e librave falas për të gjithë nxënësit e arsimit 9-vjeçar. Kjo tregon më së miri përkushtimin serioz të qeverisë “Rama” për realizimin e programit të vet qeverisës. Plot 190 mijë fëmijë të klasave I-IV, si dhe fëmijë që vijnë nga familje në nevojë përfitojnë nga projekti i qeverisë. Por unë këtu dua të shtoj edhe diçka: Bashkia Fier mori përsipër dhurimin e librave, pra dhënien e librave falas, edhe për fëmijët e klasës së pestë. Ishte një nismë që Këshilli Bashkiak e miratoi njëzëri …

 

Diçka mbi të veçantat e pozitës gjeografike të Fierit. Fieri në këtë qeverisje, cilat janë arritjet, si është punuar si ka ndryshuar dhe çfarë problemesh ka ende?

Për të ardhur në Fier duhet të kalosh mbi lumin Seman e për të dalë nga Fieri duhet të kalosh mbi Vjosë, ndërsa mes për mes qytetin e përshkon lumi i Gjanicës. Fieri identifikohet me Apoloninë e lashtë, me bregdetin e virgjër, kodrinat e lulëzuara me ullinj, nëntokën e pasur me naftë dhe fushën pjellore të Myzeqesë, pra, parë në këtë këndvështrim, Fieri të ofron shumë. Por mbi të gjitha, Fieri identifikohet me njerëzit e tij të mrekullueshëm punëtorë të palodhur që mbartin e transmetojnë zakonet e traditat e pothuajse gjithë krahinave të Shqipërisë, duke dhënë e marrë nga njëri-tjetri dhe duke harmonizuar më së miri kulturën e trashëguar me zakonet e traditat e Myzeqesë , duke krijuar një lidhje të fortë e të pandashme, që e bën Fierin një qytet të paqtë, të këndshëm e të dashur për të jetuar e punuar. E nisa kështu për të thënë e për të kuptuar se sa i pasur në vlera është Fieri, por sa i varfër e sa pas dore është lënë ai në vitet e mëparshme. Me investime të munguara, Fieri ka qenë pothuajse jashtë vëmendjes së qeverive, që kanë ardhur e kanë shkuar, një qytet i lënë pothuajse në harresë. Por sot, pothuajse gjithçka ka ndryshuar. Ashtu si kudo edhe Fieri, mori vëmendjen e duhur nga qeveria. Në qoftë se sot kalon në Fier, do të shohësh një qytet krejt ndryshe, plot dritë e gjallëri, një qytet ku punohet në çdo skaj për të realizuar projektet e shumta në infrastrukturë, duke e bërë kështu Fierin një nga qytetet më të këndshëm e më të dashur për të jetuar e punuar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: