Zyrtarizohet kërkesa për Eurobondin e radhës, 500 milionë euro të tjera

Zyrtarizohet kërkesa për Eurobondin e radhës, 500 milionë euro të tjera
Në vitin 2015, Shqipëria mori një borxh prej 475 milionë eurosh përmes emetimit të një Eurobondi me afat maturimi 5-vjeçar dhe me interes 5.75%

Shqipëria do të marrë në tregjet ndërkombëtare një borxh të ri prej 500 milionë eurosh, përmes emëtimit të një eurobondi me afat 5-vjeçar.

Kjo kërkesë e saj, e cila ka disa kohë që është përfolur në media, tashmë është zyrtarizuar duke u publikuar në agjencitë kryesore financiare të botës, duke lajmëruar kështu daljen e vendit tonë në ankandin e radhës, i cili pritet të zhvillohet javën që vjen për blerjen e këtij borxhi të ri.

Kujtojmë sakaq, se para tre vitesh, Shqipëria e ka marrë një borxh prej 475 milionë eurosh përmes emetimit të një eurobondi me afat maturimi 5-vjeçar. Një borxh ky, i cili u mor me interes në nivelin prej 5.75% dhe që duhet të shlyhet në vitin 2020.

Por Ministria e Financave pret që interesat e Eurobondit të ri të jenë dukshëm më të ulëta. Ndaj ka vendosur që një pjesë të parave nga Eurobondi i ri ta përdorë për të shlyer para kohe 200 milionë euro nga Eurobondi i marrë në vitin 2015. Pra, një operacion financiar që zëvendëson borxhin e shtrenjtë me borxh më të lirë, duke ulur kostot e interesave që paguan buxheti dhe qytetarët.

Kështu, lidhur me këtë, në Fletoren Zyrtare është publikuar dje edhe vendimi përkatës “Për Eurobondin që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe blerjen mbrapsht të një pjese të Eurobondit ekzistues, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”.

Sipas tij, në detaje përcaktohet sesi një pjesë e parave që do të sigurohen nga Eurobondi i radhës, do të përdoren për të shlyer atë të mëparshmin që tashmë duhet të shtyhet deri në vitin 2020.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: