Vrioni, e ardhmja e sulmit kuqezi quhet “Giacomo”

Vrioni, e ardhmja e sulmit kuqezi quhet “Giacomo”
Tifozët e Venezia, të habitur sesi Vrioni të cilin ata e konsideronin italian, u bë pjesë e Kombëtares Shqiptare

Aranit Muraçi

Giacomo si shumë të rinj të tjerë lindi në Itali nga prindër shqiptarë, të cilët emigruan pas ’90. Prindërit e Giacomo (Xhakomo) Vrioni nga Durrësi emigruan përtej detit për një jetë më të mirë dhe pak vite pas emigrimit të tyre talenti kuqezi, i cili mban një emër të pazakontë në shqipërim, lindi në San Severino Marche më 15 tetor 1998. Spikati shumë shpejt dhe u përzgjodh nga ekipet përfaqësuese italiane para se t’i bashkohej Kombëtares shqiptare, U-21.

Karriera

Giacomo e nisi karrierën në vendlindjen e tij re dhe pasi spikati si një lojtar premtues në një vend ku talenti nuk shkon kot, ai u bë pjesë e Sampdorias në Seria A. Me klubin e xhenovez talenti shqiptar ka aktualisht një kontratë deri më 2023. Ai është huazuar te Venecia, ekipi i Seria B, për të pasur shansin që të aktivizohet dhe të rritet si futbollist. Në radhët e Venecia, skuadër që drejtohet nga Pippo Inzaghi, ish-kandidat për të marrë postin trajnerin kuqezi, Vrioni është aktivizuar në dy ndeshje deri tani si dhe ka luajtur në një takim të Kupës së Italisë. Klubi i tij i Venezia, në momentin që Vrioni iu bashkua kuqezinjve, e përgëzoi atë publikisht, duke krijuar habi tek tifozët italianë. Riccardo Micciché, një tifoz italian i shkroi faqes zyrtare të Venezia, për të shuar kuriozitetin mbi origjinën e futbollistit. “Më falni për injorancën, por Vrioni është shqiptar?,” - dhe përgjigja e klubit italian ka qenë e tillë. “Janë prindërit e tij shqiptarë, por ai ka dy pasaporta.” Giacomo Vrioni mori pasaportë shqiptare, pasi kishte luajtur me ekipet përfaqësuese italiane U-17 dhe U-19. Ai zgjodhi në kohë të bëhej pjesë e Kombëtares shqiptare, duke marrë ftesë nga trajneri Alban Bushi, dhe luajti kundër Italisë në miqësoren e fundit, 3-1, duke shkëlqyer në fushë. Shqipëria ndoshta ka fituar sulmuesin e së ardhmes.

Vlerësimi  

Në ndeshjen e fundit miqësore mes Italisë dhe Shqipërisë, U-21, që u zhvillua të martën në Cagliari, Vrioni shkëlqeu duke shënuar golin e barazimit në mbyllje të kohës së rregullt. Edhe pse Italia e drejtuar nga Di Biagio shënoi dy gola në kohë shtesë, mediat italiane kanë vlerësuar maksimalisht paraqitjen e futbollistit kuqezi, lojtar që ekipit “axurr” u iku nga duart. Vrioni është vlerësuar me notën 7, maksimalja për futbollistët e Kombëtares shqiptare dhe një ndër më të mirët në fushë. Lojtari tjetër më i vlerësuar në kampin kuqezi ishte Kristal Abazaj, i cili debutoi me Kombëtaren A në miqësoret e kaluar. “Albanian Free Press” mësoi se të dy lojtarët, me paraqitjen në miqësoren e fundit, janë në planet e stafit kuqezi për të qenë pjesë e së ardhmes së Shqipërisë.

 

Itali-Shqipëri 3-1

Shënues: 27’ Dimarco , 90+3’ Murgia , 90+4’ Parigini/ 90’ Vrioni

Italia (4-3-3): Audero; Depaoli (56’ Calabria), Mancini (67’ Romagna), Luperto (77’ Marchizza), Dimarco; Locatelli (56’ Murgia), Mandragora, Pessina; Orsolini (67’ Parigini), Cutrone (38’ Cerri), Vido (77’ Cassata). Trajner: Di Biagio

Shqipëria: (4-2-3-1): Selmani; Kryeziu (86’ Ndreu), Tafa, Kumbulla, Hakaj (80’ Ndau); Mucolli (46’ Ramadani), Selahi (70’ Zejnullai); Ademi, Bare (80’ Shefiti), Sulejmanov (46’ Abazaj); Vrioni. Trajner: A. Bushi

Miqësorja me Italinë, përveç Vrionit spikasin edhe Abazaj e Selmani

Portieri i Laçit, Gentian Selmani, është vlerësuar për “Albanian Free Pres” nga ish-portieri legjendar kuqezi Perlat Musta, si e ardhmja e portës së Kombëtares A të Shqipërisë. Ai është ende pjesë e Laçit, madje kapiten i këtij ekipi, ndonëse 20-vjeç dhe pret të largohet për një klub më të madh në merkaton e radhës. Ndaj Italisë ai bëri një tjetër paraqitje të mirë. Selmani, megjithatë konkurrencën do ta ketë të vështirë përballë dy portierëve që ka sot Shqipëri, Etrit Berisha e Thomas Strakosha, të dy të rinj në moshë. Kristal Abazaj, ish-futbollisti i Luftëtarit që iu bashkua me shumë bujë Anderlecht në Belgjikë, u vlerësua gjithashtu nga ish-trajneri i ekipit shpresa Redi Redi për gazetën, si një ndër lojtarët më premtues për të ardhmen kuqezi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: