VIZITA ZYRTARE/ Veseli, nga Tirana: Shtetësia dhe territori i Kosovës, të panegociueshme!

VIZITA ZYRTARE/ Veseli, nga Tirana: Shtetësia dhe territori i Kosovës, të panegociueshme!
Shtetësia dhe territori i Kosovës janë të panegociueshme.

Një mesazh të tillë, kryeparlamentari kosovar, Kadri Veseli e ka dhënë dje nga Tirana, ku ka kryer një vizitë zyrtare, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Fatmir Limaj.

Gjatë një konference shtypi me homologun e tij shqiptar, Gramoz Ruçi, Veseli tha se “Kosova është vend i pavarur dhe sovran”.

“Jemi duke shkuar me vendosmëri në procesin final të dialogut që Kosova të marrë vendin e vet në OKB. Jemi krenarë që kemi partner si SHBA-të, partner i përjetshëm i shtetit, jemi krenarë që jemi në anën e vendeve perëndimore. Nuk ka opsion tjetër, ajo që dëmton më së shumti Kosovën është mungesa e unitetit. Është momenti të mendojmë për këtë gjeneratë dhe të ardhshme. As nuk mundet Vuçiç të dëmtojë sovranitetin tonë me ardhjen e tij në Kosovë. Asnjë deklaratë nuk e dëmton Kosovën më shumë se mungesa e unitetit. Që nesër të jenë bashkë pozita dhe opozita, ne e kemi propozuar Limaj si udhëheqës të ekipit negociator në këtë finale të dialogut. Kuvendi do të jetë vendi ku do ndërtohet platforma jonë nacionale“, u shpreh ai.

Kurse kreu i Kuvendit shqiptar, Gramoz Ruçi deklaroi se Shqipëria po ndjek me vëmendje zhvillimet nga dialogu Kosovë-Serbi dhe i bën apel për unitet forcave politike në Prishtinë.

“Edhe me diskutimet në këtë fazë dialogu duhet të konfirmojnë arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Apeli dhe mesazhi im është që aktorët politikë në Kosovë duhet të jenë unike, në unitet qëndrimi dhe veprimi, pasi ka shumë çështje që i ndajmë për luftën për pushtet, por këtu bëhet fjala për shtetin dhe stabilitetin e rajonit”, theksoi Ruçi.

Ndërkaq, Presidenti i Ilir Meta gjatë takimit që zhvilloi me Veselin theksoi se Kosova ka nevojë imediate për konsensus politik të brendshëm dhe gjithëpërfshirje në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: