Viti akademik, Inspektorati Shëndetësor inspektim shkollave

Viti akademik, Inspektorati Shëndetësor inspektim shkollave
Vetëm pak ditë para fillimit të shkollës, Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë po kalon në sitë 1223 institucione arsimore, sa u takon kushteve higjieno-sanitare. Kryeinspektori Eltar Deda bën të ditur se, në muajin qershor, u janë lënë rekomandime shumë shkollave pas problemeve të konstatuara. “Ne kemi lënë 726 rekomandime në inspektimet që kemi kryer dhe rekomandime të cilat nga informacionet që na vijnë, tashmë rezulton se kemi një përmirësim dhe reagim të pushtetit vendor, ministrisë se Arsimit, drejtorive dhe të gjitha institucioneve të cilat e kanë për detyrë të kryejnë mirëmbajtjen e tyre. Të gjitha rekomandimet kanë qenë kryesisht në plotësimin e dokumentacionit higjieno – sanitar, rregullimin e kushteve, eliminimin e lagështirës aty ku ka patur, lyerjen e institucionit, rregullimin e nyejve higjieno- sanitare, dyer dritare, ndriçimi dhe bankat, të cilat janë pjesë e mësimdhënies” - pohon Deda.

Sipas tij, në rast të mos plotësimit te detyrave të lëna, do te merren masa sipas kritereve ligjore, të cilat shkojnë deri ne pezullimin e procesit mësimor.

“Nuk ka ndonjë veprim tjetër; normale që, ato shkolla të cilat nuk mund të plotësojë kriteret dhe nuk janë brenda kritereve, detyrimisht do të zbatohet ligji. Bëhet zbatim i ligjit, nuk është se ka mbyllje totale, por ka dhe pezullim për 2-3 ditë ose 1 javë, deri sa të plotësohen kriteret.”

Inspektorati Shëndetësor do të vijojë kontrollet në institucionet arsimore deri në datën 16 shtator, një ditë para çeljes së vitit të ri shkollor, për të garantuar kushtet higjieno-sanitare.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: