VETTINGU, NJË BUSH TJETËR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

VETTINGU, NJË BUSH TJETËR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Bushi tjetër” është fshehja e disahershme e krimit. Edhe kësaj here, me parullën e “vettingut në politikë”, krimi do të fshihet më thellë. Siç fshihet lepuri ose ariu - në rastin e krimit këtu.

Ka këtu një koincidencë të çuditshme, me të dy fjalët: “vetting” dhe “bush”. Tashmë, fjala “vetting” e ardhur nga gjuha angleze, thuajse ka hyrë dhe ka bërë vend në gjuhën shqipe, edhe pse shumica e shqipton keq ose nuk di çfarë do të thotë fjala. Por edhe fjala “bush”, ka të njëjtin kuptim në të dy gjuhët: Si në anglisht, edhe për gjuhën shqipe, ka kuptimin e gëmushës, ku fshihet ajo çfarë duhet fshehur ose vetë krimi.

Vettingu i reklamuar do të jetë bash “bushi” ku politika do të fshehë korrupsionin, abuzimin, paratë e pista, allishverishet, vrasjet, zgjedhjet, manipulimet, drogën, komplotet dhe, më në fund, gjuetinë e shtrigave. Dikujt mund t’i duken të tmerrshme fjalët se, “vettingu është bush” për të fshehur krimin. E di se shumicës do t’i duket kështu dhe do të tronditet, njësoj siç u tronditen në momentin kur u tha se, “borgjezia tenton të rrëzojë socializmin”, ose kur disa po flisnin kundër “revolucionit proletar” dhe “diktaturës së proletariatit”. Kjo është një histori e njohur.

Por pse vettingu kthehet në “bush”?

1.

Ku autori e ku viktima!?...

Politika ia bën vettingun politikës. Këtu fle rreziku më i madh. Në këtë rast, politika veçohet mënjanë, futet në kulisa të errëta, larg popullit që vetëm voton. Në ato kulisa ku politika e “disa krahëve”, bëhet bashkë për të “luftuar krimin”, bën një plan më vete, të fshehtë nga populli – që është viktimë e krimit. E shikoni: Autorët e krimit bëjnë plane fshehurazi nga viktima e krimit. Atëherë del se, “bush” ka marrë kuptimin e fjalës “vetting”. Ata që nuk e dinë kuptimin direkt të fjalës angleze “verifikim”, le ta dinë se në rastin e shqipes është kthyer në “fshehje” ose “bush”.

2.

Lavdërimi ndaj “të marrëve”

“Të marrët”, sipas politikës, janë viktimat e krimit që bëjnë pjesë në popull ose vetë populli - sipas politikës. Besoj se shprehja e kudondodhur: “Ky vend nuk bëhet” që nënkupton se, “me këtë popull” nuk bëhet, ka ardhur vetëm nga politika. Tani është përhapur në çdo qelizë dhe kthyer në “belbëzitje majmuni”; në çdo kafe, flitet siç flasin majmunët se, “ky vend nuk bëhet”. Nuk e ka bërë pa qëllim politika këtë mëkat të madh; e ka bërë që kur të vijë një ditë ( si kjo e krimit), t’i dëshmojë popullit se “punët i di politika, jo ju”. Politika, me anë të vettingut, po e kthen popullin në fazat foshnjore të zhvillimit të shoqërisë. Ja ku jemi: Politika propozon që të bëhet vettingu, gjë që do të thotë të fshihen nga kujtesa dhe nga praktika - ligjet dhe morali i njëmijë vjetëve, tradita, mençuria e njeriut, vigjilenca përballë krimit, intuita... Këto veprojnë si mburojë e popullit kundër krimit, që në shoqëritë parapolitike e deri në demokraci. Parulla për “vetting” në politikë, do të thotë që të mos funksionojë asgjë nga këto “skille” njerëzore dhe ligje juridike; por në vend të tyre, të vihet vullneti i politikës për të pastruar politikën, duke “lavdëruar” popullin... A mund të ndodhë kjo? “Po”, mund të thonë vetëm ata që i konsiderojnë njerëzit “të marrë”!

3.

Vdekja e pluralizmit

“Vettingu” do të bëjë bashkë të gjitha palët. Kjo miklon edhe naivitetin e shumicës, e cila thotë se “në luftë mes njëri-tjetrit”, nuk bëhet gjë. Edhe vetë të dërguarit e BE-së, kanë tendencën që të japin këtë këshillë: “Bëhuni bashkë” ju të politikës. Ata kanë të “drejtë”, sepse duan t’u rrinë veshët në qetësi dhe të dërgojnë “raporte të mira” te shefat në BE...

E kush pyet për pluralizmin dhe demokracinë?...

Pluralizmi është një armik për politikën. Politika është djallëzore: Jeton në demokraci, por vepron si në diktaturë; demokracinë e përdor si liri për vete. Politika ka “fituar” lirinë që të bëhet bashkë “për mbrojtjen e krimit” të saj dhe këtë ta quajë “unitet”. Politika ka shansin të eliminojë pluralizmin ku qëndron zemra e të drejtës. Por nëse në demokraci nuk ka pluralizëm, atëherë politika bëhet kriminale. Vettingu i politikës i jep të gjithë këto shanse...

Atëherë do të shihemi në ditën e shpalljes së pluralizmit, si viktimë e krimit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: