VENDIMI I PE/ Liberalizohen vizat për Kosovën, politika shqiptare:  Akt i merituar!

VENDIMI I PE/ Liberalizohen vizat për Kosovën, politika shqiptare:  Akt i merituar!
Parlamenti Evropian ka dhënë dje me shumicë votash, miratimin mbi liberalizimin e vizave për Kosovën.

Vetë raportuesja për Kosovën në PE, Tanja Fajon deklaroi se ky vend i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave.

Teksa pas këtij hapi, tashmë pritet edhe vendimi që do të marrë Këshilli i Ministrave në Bashkimin Evropian.

Sakaq, lajmi pozitiv është pritur me mjaft entuziazëm edhe në Tiranën zyrtare, përfaqësuesit e lartë të së cilës e kanë përshëndetur menjëherë atë.

Kështu, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka komentuar se ky hap është një mesazh i qartë drejt perspektivës europiane të Kosovës. Por edhe një fakt tregues që Kosova po forcohet dhe bëhet faktor stabiliteti në rajon.

“Përshëndes vendimin e Parlamentit Europian për t’i hapur dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën! Mesazh i qartë i perspektivës së saj europiane! Shumë i gëzuar për këtë lajm të jashtëzakonshëm dhe arritje të madhe të popullit dhe të shtetit të Kosovës, që rritet dhe forcohet çdo ditë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, shkruan Meta.

Kurse nga ana e tij, kryeministri Edi Rama u shpreh me fjalët “shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën”. Duke shtuar se “Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Europë, por kjo e sotmja është një hap për t’u përshëndetur sidoqoftë”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka komentuar me nota mjaft pozitive vendimin e lartpërmendur, teksa ka komentuar se kjo ditë është e merituar për qytetarët e Kosovës.

“Përshëndes votimin e Parlamentit Europian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE. Ky votim i njeh qytetarëve të Kosovës një të drejtë të merituar dhe dinjitet të barabartë në rajon. Votimi i PE është mbështetje e qartë për Kosovën dhe perspektivën e saj europiane”, u shpreh Basha.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: