Valbona Treska: Mungesa e mirëqenies psikologjike nuk është turp!

Valbona Treska: Mungesa e mirëqenies psikologjike nuk është turp!
INTERVISTA/ Flet posaçërisht për “Albanian Free Press”, Valbona Treska, Presidente e Urdhrit të Psikologut në Shqipëri: “Duhet të mësojmë të kërkojmë ndihmë nga specialistë të fushës. Duhet t’i tregojmë njëri-tjetrit se realisht kujdesemi dhe se tjetri është i rëndësishëm për ne. Duhet të mësojmë të dallojmë shenjat e një personi që ka nevojë për ndihmë që në hapat e para pa e lënë situatën të agravohet. Media duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe etike në transmetimin e lajmit”

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Juela Meçani

Ashtu si edhe në mbarë botën, në Shqipëri, dukuria e rëndë e vetëvrasjeve po kap shifra shqetësuese. Pse mendoni se ka një rritje të tillë të vetëvrasjeve në Shqipëri?

Ndonëse nuk kemi një studim të mirëfilltë, të thelluar, lidhur me arsyet që çojnë një individ në vendin tonë në vetëvrasje, pa dyshim që si pasojë e ndeshjes së shpeshtë me këtë problematikë, krijohet edhe një opinion për elementët që ndikojnë në tentativat e vetëvrasjeve apo që çojnë edhe në vetëvrasje. Një ndër shkaqet kryesore e që haset rëndom në përditshmëri, që nga individi i thjeshtë deri në instancat më të larta, është mungesa e rëndësisë së shëndetit psikologjik dhe mirëqenies emocionale në shoqërinë tonë. Në përgjithësi, ne jemi një shoqëri që me vështirësi po mësohemi edhe me kujdesin e shëndetit fizik. Koncepti i check-up vetëm vitet e fundit ka nisur të përdoret, gjë e cila tregon se kujdesin ndaj vetes në tërësi e kemi ende të pabrendësuar. Nga ana tjetër, nuk mund të lihen pa përmendur faktorë tejet të rëndësishëm, që ndikojnë në rritjen e nivelit të stresit, ankthit dhe që gjenerojnë një sërë problematikash psiko-emocionale tek individi. Flas këtu për individin me një tablo të shëndetshme klinike, që mund të mos ketë pasur histori të mëparshme të problemeve psiko-emocionale.

- Pasiguria është një ndër elementët më të shpeshtë që hasim. Të jesh i pasigurt për jetën, për vendin e punës, për ushqimet që konsumon, për shërbimin shëndetësor, për fëmijët, për karrierën, të mbytesh nga emisione, artikuj komercialë e foto në rrjete sociale që të tregojnë vazhdimisht sesa mirë jetojnë të tjerët, të ndihesh i paaftë për të ndryshuar situatat e të matesh 100 herë për të thënë atë që mendon, etj, etj si këto, janë të gjitha elemente që e vështirësojnë me shumicë funksionimin gjatë ditës.

- Nevoja për vëmendje dhe për dashuri të shëndetshme është gjithashtu një nga faktorët determinantë që çojnë në tentativat për vetëvrasje dhe më tej, në kryerjen e aktit të vetëvrasjes. Brenda familjes, shpesh mungon vëmendja dhe dashuria. Hidhuni një sy komunikimeve sociale. Bota ulëret për vëmendje sot dhe ne nuk qëndrojmë më prapa. Facebook, instagram, twitter, nuk janë thjesht mjete për të shpërndarë informacion; janë mjete për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Është tashmë e vërtetuar nga dhjetëra studime nga institutet më prestigjioze në botë se rrjetet sociale përdoren masivisht nga personat që ndihen të vetmuar shpirtërisht dhe që nëpërmjet ndarjes së informacionit për jetën e tyre në çdo kohë, përpiqen të jenë në vëmendje. Përdorimi i rrjeteve sociale në Shqipëri në këtë mënyrë, është në shifra të frikshme.

- Traumat kolektive, për të cilat individët nuk kanë marrë ndihmën e duhur në kohë e të cilave u janë mbivendosur me dhjetëra problematika të tjetra të shëndetit psikologjik. Të mos harrojmë se kemi kaluar trauma të mëdha kolektive nga të cilat viti ’97 ka lënë gjurmë në psikologjinë e individit.

Përpara pak ditësh u kujtua Dita Botërore e Parandalimit të vetëvrasjeve. Pra, a ka një mundësi reale që vetëvrasjet të parandalohen?

Padyshim që të gjithë kemi mundësi të parandalimit të vetëvrasjeve. Duhet së pari të eliminojmë stigmën se problemet psiko-emocionale që përjetojmë ne vetë apo të afërmit tanë “janë turp dhe nuk duhet të dalin sheshit”. Duhet të mësojmë të kërkojmë ndihmë nga specialistë të fushës. Duhet t’i tregojmë njëri-tjetrit se realisht kujdesemi dhe se tjetri është i rëndësishëm për ne. Duhet të mësojmë të dallojmë shenjat e një personi që ka nevojë për ndihmë që në hapat e para pa e lënë situatën të agravohet. Media duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe etike në transmetimin e lajmit. Është shumë e rëndësishme të kuptohet: mungesa e mirëqenies psikologjike NUK ËSHTË TURP!!!

Cila është rëndësia e këshillimit psikologjik, ose e mbështetjes së psikologut, kur haset kjo tendencë?

Sfida e parë e psikologut me një klientë të tillë është të parandalojë aktin që çon deri në humbjen e jetës. Është e rëndësishme që individi të fillojë të ndihet në vëmendje, të fitojë vetëbesimin dhe të punohet fillimisht për të nxjerrë në pah pikat e forta të karakterit, ndërkohë që paralelisht punohet edhe me problematikat e shumta që paraqet individi, pasi duhet sqaruar se një individ që shkon deri në tentativë vetëvrasjeje apo mendime për suicid, shfaq një sërë problematikash që gërshetohen mes tyre. Asnjëherë shkaku nuk është vetëm një! Të punuarit gjithashtu edhe me familjen, për t’i bërë ata të kuptojnë ç’po ndodh, ndihmon që situata të rikuperohet më shpejt. Një mjedis jo mbështetës, jo i qetë familjar dhe stigmatizues, është gjithmonë një mjedis që agravon gjendjen psiko-emocionale.

Sa seriozisht e merr familja shqiptare rrezikun e brishtësisë psikologjike tek adoleshentët e të rinjtë? 

Në punën e përditshme, unë vlerësoj se shumë gjëra kanë ndryshuar brenda familjes shqiptare. Një ndër to (që padyshim është pozitive) është informacioni më i madh që prindërit kanë lidhur me sjelljen e adoleshentëve, rreziqet që ekzistojnë, mënyrën e komunikimit që duhet të përpiqesh të kesh me një individ që është ende në rritje, etj. Prindërit e adoleshentëve janë zakonisht rreth të 40- tave, ç’ka i bën të jenë një popullsi aktive në marrjen e informacionit. Vërehet një tendencë gjithmonë e më shumë në rritje për të kërkuar ndihmë nga psikologët prej prindërve që konstatojnë probleme psiko-emocionale tek fëmijët. Është e rëndësishme që përveç ndihmës që u ofrohet, këta fëmijë rriten me edukatën e të kujdesurit për veten dhe nuk do të ngurojnë të kërkojnë ndihmë as nesër si të rritur dhe padyshim që do të modelojnë këtë sjellje edhe tek fëmijët.

Kur prindërit duhet t’u drejtohen juve për ndihmë? Shkuarja tek psikologu apo kërkesa për këshillim vlerësohen ende si luks?

Sikundër theksova më parë, gjërat kanë nisur të ndryshojnë dhe të kërkohet ndihmë nga specialistët e fushës. Nëse çdokush tani do të mendojë se jetojmë në Tiranë e se Tirana nuk është gjithë Shqipëria, do të sqaroja se edhe në qytetet e tjera ka një tendencë gjithmonë e më shumë në rritje për asistencën e psikologut. Nëse më parë, zyrat e shërbimeve psikologjike numëroheshin me gishta, aktualisht kemi një shtrirje të tyre thuajse në të gjitha qytetet e rëndësishme të Shqipërisë nga psikologë vërtet profesionistë. Kjo tregon se kërkesat për shërbimin psikologjik ekzistojnë, por padyshim që numri më i lartë i kërkesave për shërbim vazhdon të fokusohet në Tiranë. Tirana mban afro 1 milion banorë dhe ndryshimet në mendësi është më e thjeshtë të nisin nga metropoli.

A ka shenja specifike që na bëjnë të dyshojmë se njeriu ynë i dashur ka mendime vetëvrasjeje?

Ka disa shenja tipike të një individi që po përjeton një periudhë depresive, që ka probleme psikologjike e që mund të ketë mendime suicidale. Vërehet ndryshim në rutinën e individit, duke nisur që nga mungesa e dëshirës për të marrë pjesë në aktivitete sociale, mungesa e dëshirës për të shpenzuar kohë me familjarët, humor i rënë, çrregullime gjumi, rritje e konsumit të alkoolit apo cigareve, si dhe rritje e sjelljeve të rrezikshme për jetën, mungesë vëmendje dhe përqendrimi, apo sjellje edhe më të qarta akoma siç mund të jenë të shkruarit e letrave, të folurit rreth këtyre mendimeve, falja e sendeve personale etj.

Është e rëndësishme të sjellim në vëmendje se individi është më i rrezikuar për tentativa suicidale nëse ka varësi nga droga dhe alkooli, ka pësuar humbjen e një individi shumë të dashur, apo të një marrëdhënieje, ose është përfshirë në një traumë ku mund të ketë rrezikuar seriozisht jetën, nëse vuan nga një sëmundje e pashërueshme, nëse ka qenë subjekt i abuzimit, apo nëse ka probleme të rënda financiare.

Sa e kujdesshme duhet të jetë shoqëria jonë, familja, shkolla ndaj ekuilibrit psikologjik të gjithkujt?

Nëse bëjmë një krahasim të shpejtë me vendet e tjera më të zhvilluara të botës, do të vëmë re se shifrat kudo janë alarmante dhe kudo punohet lidhur me minimizimin e këtij fenomeni. Vetëm në vitin 2016 në SHBA janë regjistruar rreth 45.000 vdekje si pasojë e vetëvrasjeve, ndërkohë që vende si Zvicra apo vendet skandinave kanë shifra shumë herë më alarmante. Shqipëria në krahasim me këto vende ka disa faktorë që janë shumë favorizues në parandalimin e vetëvrasjeve, sikundër janë kushtet klimaterike, marrëdhënia e ngushtë që vazhdojmë të mbajmë me familjarët, të qenit socialë dhe dëshira për të ruajtur marrëdhëniet me të tjerët, etj. Në këto kushte, nëse do të bënim të gjithë më shumë kujdes e do të ishim më të vëmendshëm karshi problematikave të njëri-tjetrit, nëse do të kishim një shërbim zinxhir shumë më cilësor lidhur me kujdesin ndaj shëndetit mendor e nëse do të nisnim që në etapat e para edukimin e fëmijëve për rëndësinë që ka në mirëqenien e individit kujdesi ndaj shëndetit mendor, besoj se do të ndikonim dukshëm në uljen e numrit të vetëvrasjeve në vend.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: