Urdhri i Infermierit shpall fushatën e zgjedhjeve për organet e reja të tij

Urdhri i Infermierit shpall fushatën e zgjedhjeve për organet e reja të tij
Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë ka  shpallur fushatën e zgjedhjeve për organet e UISH-së. Fushata e zgjedhjeve ka filluar në datën 30 gusht dhe zhvillohet sipas ligjit dhe statutit të këtij institucion.

“Të gjitha procedurat do të jenë transparente, votimet do të jenë të fshehta, kandidaturat do të shpallen në kohën e duhur”, - garantojnë drejtuesit aktualë të këtij institucioni, rreth këtij procesi.

Në detaje, që prej datës 30 gusht dhe deri më 8 shtator do të realizohet informimi i të gjithë anëtarësisë për zgjedhjet e reja, si edhe njohja me kalendarin e tyre. Ndërsa gjatë datave 10-21 shtator do të organizohen zgjedhjet e përfaqësuesve të infermierëve për anëtarë asambleje të UISH-së së qarkut.

Nga ana tjetër, kandidatët për president, zv/president dhe Sekretar të Këshillit Rajonal, dalin nga anëtarët e Këshillit dhe votohen me votim të fshehtë. Më tej, mes datave 16-20 nëntor 2018, të gjithë ata që duan të konkurrojnë për organet qendrore të UISH-së, duhet të paraqesin dokumentet përkatëse. Për ta përfunduar procesin në fjalë, në datën 5 dhjetor kur zhvillohet edhe Asambleja Kombëtare e cila zgjedh 5 anëtarë për Këshillin Kombëtar - dy nga qarku Tiranë, një anëtar nga qarku Fier, një nga qarku Elbasan dhe një nga qarku Korçë. Dhe pas saj, mblidhet Këshilli i ri Kombëtar, i cili dhe zgjedh me votim të fshehtë sipas kandidaturave, presidentin dhe zv/presidentin. Teksa në zbatim të nenit 43 të statutit të UISH-së, në mbledhjen e radhës, Këshilli do të emërojë edhe Sekretarin e Përgjithshëm.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: